A TË ka vjedhur ndonjëherë dikush ndonjë gjë? . . . Si u ndjeve? . . . Ai që të vodhi ishte një hajdut, dhe askujt nuk i pëlqejnë hajdutët. Çfarë mendon, si bëhet një njeri hajdut? A lind ashtu? . . .

Sapo mësuam që njerëzit lindin me mëkat. Prandaj të gjithë ne jemi të papërsosur. Por askush nuk lind hajdut. Një hajdut mund të vijë nga një familje e mirë. Prindërit e tij, motrat dhe vëllezërit mund të jenë të ndershëm. Por një njeri mund të bëhet hajdut nga dëshira për të pasur para dhe gjërat që mund të blihen me para.

Kush ishte hajduti i parë sipas teje? . . . Të mendohemi pak. Kur ishte në qiell, Mësuesi i Madh e njihte atë person. Ky hajdut kishte qenë engjëll. Por, meqë Perëndia i kishte bërë të gjithë engjëjt të përsosur, si ka mundësi që një engjëll u bë hajdut? . . . Po ja, siç e mësuam në kapitullin e tetë të këtij libri, ai donte diçka që nuk ishte e tija. Çfarë ishte kjo, të kujtohet? . . .

Pasi Perëndia krijoi burrin e parë dhe gruan e parë, ky engjëll donte që ata të adhuronin atë vetë. Ai s’kishte të drejtë të merrte adhurimin e tyre. Ky adhurim i takonte Perëndisë. Por ai engjëll e vodhi! Duke mashtruar Adamin dhe Evën që të adhuronin atë, engjëlli u bë hajdut. Ai u bë Satana Djalli.

Çfarë e shtyn dikë që të bëhet hajdut? . . . Dëshira për të pasur diçka që nuk i takon atij. Kjo dëshirë mund të bëhet kaq e fortë, sa të shtyjë edhe njerëz të mirë të bëjnë gjëra të këqija. Nganjëherë, këta njerëz që bëhen hajdutë nuk ndryshojnë më e nuk kthehen  që të bëjnë prapë gjëra të mira. Njëri nga këta ishte një apostull i Jezuit. E quanin Judë Iskarioti.

Juda e dinte se vjedhja ishte e gabuar, sepse e kishte mësuar Ligjin e Perëndisë që kur ishte djalë i vogël. E dinte se një herë Perëndia kishte folur nga qielli e i kishte thënë popullit të tij: «Mos vidh.» (Dalja 20:15) Kur Juda u rrit, takoi Mësuesin e Madh dhe u bë një nga dishepujt e tij. Më vonë, Jezui e zgjodhi madje Judën që të ishte një nga 12 apostujt e tij.

Jezui dhe apostujt e tij udhëtonin së bashku, hanin së bashku dhe gjithë paratë që kishte grupi mbaheshin në një kuti. Jezui ia dha kutinë Judës që ta mbante. Sigurisht, paratë nuk ishin të Judës. Por, çfarë bëri ai pas njëfarë kohe, a e di? . . .

Pse vidhte Juda?

Juda filloi të merrte nga kutia para pa leje. I merrte ato kur të tjerët nuk e shihnin. Madje përpiqej të gjente mënyra se si të merrte edhe më shumë. Filloi të mendonte gjithë kohës vetëm për paratë. Le të shohim ku e çoi kjo dëshirë e gabuar, vetëm disa ditë para se të vritej Mësuesi i Madh.

Maria, një nga motrat e Lazarit që ishte miku i Jezuit, mori ca vaj shumë të mirë e të kushtueshëm dhe e derdhi te këmbët e Jezuit. Juda u ankua. Përse u ankua, e di? . . . Tha që vaji duhej të ishte shitur dhe paratë t’u ishin dhënë të varfërve. Por, në të vërtetë, ai donte të vinte më shumë para në kuti, që pastaj të mund t’i vidhte!Gjoni 12:1-6.

Jezui i tha Judës që të mos e trazonte Marinë, e cila ishte treguar shumë e mirë. Judës nuk i pëlqeu kur Jezui i tha kështu, prandaj shkoi te krerët e priftërinjve, të cilët ishin armiq të Jezuit. Ata donin ta arrestonin Jezuin, por donin ta bënin këtë natën, që të mos i shihte njeri.

 Juda u tha priftërinjve: ‘Do t’ju tregoj si ta kapni Jezuin po të më jepni para. Sa do të më jepni?’

Priftërinjtë iu përgjigjën: ‘Do të të japim tridhjetë monedha argjendi.’Mateu 26:14-16.

Juda i mori paratë. Ishte tamam sikur ai t’ua kishte shitur Mësuesin e Madh atyre burrave! A e mendon dot që një njeri të bëjë një gjë kaq të keqe? . . . Sa keq, kjo është pasoja kur një njeri bëhet hajdut dhe vjedh para. Ai i do paratë më shumë sesa do njerëzit e tjerë, ose edhe Perëndinë.

Mbase ti thua: ‘Asnjëherë nuk do të dua ndonjë gjë më shumë sesa dua Perëndinë Jehova.’ Është shumë mirë që mendon kështu. Kur Jezui e zgjodhi Judën si apostull, edhe Juda mbase kështu mendonte. Edhe të tjerë që më pas u bënë hajdutë mund të kenë menduar kështu. Të flasim për disa prej tyre.

Për çfarë gjërash të këqija po mendojnë Akani dhe Davidi?

Njëri prej tyre ishte një shërbëtor i Perëndisë me emrin Akan, i cili jetonte shumë kohë para se të lindte Mësuesi i Madh. Akani pa një veshje të bukur, një copë ari dhe disa monedha argjendi. Ato nuk i takonin atij. Bibla  thotë se i takonin Jehovait, sepse ishin marrë nga armiqtë e popullit të Perëndisë. Por Akani i dëshironte ato kaq shumë, saqë i vodhi.Josiu 6:19; 7:11, 20-22.

Ka edhe një rast tjetër. Shumë kohë më parë, Jehovai e zgjodhi Davidin që të ishte mbret mbi popullin e Izraelit. Një ditë, Davidi filloi të shikonte një grua të bukur, Betshebën. Ai vazhdoi ta shikonte Betshebën dhe të mendonte ta merrte në shtëpi, që të bëhej gruaja e tij. Mirëpo, ajo ishte gruaja e Uriahut. Çfarë duhej të kishte bërë Davidi? . . .

Davidi duhej ta kishte hequr nga mendja Betshebën, të mos mendonte më që ta merrte për vete. Por ai s’e bëri këtë. Davidi e mori këtë grua në shtëpinë e tij. Pastaj i rregulloi  punët në mënyrë që Uriahu të vritej. Pse i bëri Davidi këto gjëra të këqija? . . . Sepse vazhdoi të dëshironte një grua që i takonte dikujt tjetër.2 Samuelit 11:2-27.

Në ç’kuptim ishte hajdut Absalomi?

Meqë Davidi u pendua, Jehovai e la të jetonte. Por pas kësaj, Davidi pati shumë probleme. Biri i Davidit, Absalomi, donte t’i merrte atij vendin si mbret. Prandaj, kur njerëzit shkonin të takonin Davidin, Absalomi i përqafonte dhe i puthte. Bibla thotë: ‘Absalomi u vidhte zemrat njerëzve të Izraelit.’ Ai i bindi ata njerëz që të dëshironin të kishin atë si mbret, në vend të Davidit.2 Samuelit 15:1-12.

A ke dëshiruar ndonjëherë një gjë shumë fort, ashtu si Akani, Davidi dhe Absalomi? . . . Nëse kjo gjë i takon dikujt tjetër, ta marrësh atë pa leje do të thotë të vjedhësh. Të kujtohet, çfarë dëshironte hajduti i parë, Satanai? . . . Donte që njerëzit të adhuronin atë dhe jo Perëndinë. Prandaj, Satanai po vidhte kur e mashtroi Adamin dhe Evën që t’i bindeshin atij.

Kur dikush e ka të tijën një gjë, ka të drejtën të thotë se kush mund ta përdorë atë. Për shembull, ndoshta shkon të luash me disa fëmijë të tjerë në shtëpinë e tyre. A do të ishte e drejtë të merrje ndonjë gjë prej aty dhe ta sillje në shtëpinë tënde? . . . Jo, po të mos të të thoshte babai ose mamaja e tyre që mund ta merrje. Nëse ti e merr diçka me vete në shtëpinë tënde pa leje, kjo është vjedhje.

Pse mund të tundohesh që të vjedhësh? . . . Sepse dëshiron diçka që nuk të takon. Edhe nëse nuk të sheh ndonjë njeri tjetër, kush po të sheh? . . . Perëndia Jehova. Ne duhet të kujtojmë që Perëndia e urren vjedhjen. Prandaj, dashuria për Perëndinë dhe për të tjerët do të të ndihmojë që të mos bëhesh kurrë hajdut.

Bibla tregon qartë se është e gabuar të vjedhësh. Të lutem, lexo Markun 10:17-19; Romakëve 13:9 dhe Efesianëve 4:28.