Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI 5

«Ky është Biri im»

«Ky është Biri im»

KUR fëmijët bëjnë gjëra të mira, ata që kujdesen për ta kënaqen. Kur një vajzë e bën mirë diçka, babai i saj është i kënaqur që mund t’u thotë të tjerëve: «Kjo është vajza ime.» Ose kur një djalë bën gjëra të mira, babai thotë i lumtur: «Ky është biri im.»

Jezui bën gjithnjë gjëra që e kënaqin Atin e tij. Prandaj Ati është krenar për Jezuin. Të kujtohet, çfarë bëri Ati i Jezuit një ditë kur Jezui ishte bashkë me tre dishepujt e tij? . . . Po, Perëndia foli që nga qielli dhe u tha: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin unë e kam miratuar.»Mateu 17:5.

Me gëzim, Jezui bën gjithnjë gjëra që e kënaqin Atin e tij. A e di përse? Sepse e do vërtet atë. Në qoftë se dikush i bën gjërat vetëm sepse është i detyruar t’i bëjë, do t’i duket e vështirë. Por, kur ai është i gatshëm t’i bëjë, e ka më të lehtë. Çfarë do të thotë të jesh i gatshëm? . . . Do të thotë të kesh vërtet dëshirë ta bësh diçka.

Edhe para se të vinte në tokë, Jezui ishte i gatshëm të bënte çfarëdo gjëje që i kërkonte Ati i tij, sepse e donte Atin e tij, Perëndinë Jehova. Jezui kishte një vend të mrekullueshëm në qiell me Atin e tij. Por Perëndia donte që Jezui të bënte një punë të veçantë. Për të bërë këtë punë, Jezui duhej të largohej nga qielli. Duhej të lindte si foshnjë në tokë. Jezui ishte i gatshëm ta bënte këtë, sepse kjo ishte dëshira e Jehovait.

Çfarë i tha engjëlli Gabriel Marisë?

Që të lindte si foshnjë në tokë, Jezui duhej të kishte një nënë. Kush ishte ajo? . . . Ishte Maria. Jehovai dërgoi nga qielli engjëllin e tij Gabriel që të fliste me Marinë. Gabrieli i tha se ajo do të lindte  një djalë, të cilit do t’ia vinin emrin Jezu. Kush do të ishte babai i foshnjës? . . . Engjëlli tha se i Ati do të ishte Perëndia Jehova. Ja përse Jezui do të quhej Biri i Perëndisë.

Si mendon se u ndie Maria për këtë gjë? . . . Mos tha ajo: «Nuk dua të jem nëna e Jezuit?» Jo, Maria ishte gati të bënte çfarë dëshironte Perëndia. Por, si do të lindte si një foshnjë në tokë Biri i Perëndisë që ishte në qiell? Si ishte e ndryshme lindja e Jezuit nga lindja e të gjitha foshnjave të tjera? A e di ti këtë? . . .

Perëndia i bëri prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën, që të bashkoheshin me njëri-tjetrin në mënyrë të mrekullueshme. Pas kësaj, një foshnjë mund të fillonte të rritej brenda barkut të nënës. Njerëzit thonë se kjo është një mrekulli. Besoj se kështu mendon edhe ti.

Në këtë rast Perëndia bëri diçka që ishte një mrekulli edhe më e madhe. Ai e mori jetën e Birit të tij nga qielli dhe e vendosi brenda barkut të Marisë. Perëndia s’e kishte bërë kurrë më parë këtë dhe nuk e ka bërë më. Falë kësaj mrekullie, Jezui filloi të rritej brenda barkut të Marisë, ashtu siç rriten bebet brenda barkut të nënës së tyre. Pas kësaj, Maria u martua me Jozefin.

Kur erdhi koha që Jezui të lindte, Maria dhe Jozefi ishin për vizitë në qytetin e Betlehemit. Por qyteti ishte plot me njerëz. Nuk  kishte as edhe një dhomë ku të rrinin Maria dhe Jozefi, prandaj atyre iu desh të rrinin në një vend ku mbaheshin kafshët. Atje Maria lindi Jezuin dhe e vendosi në një koritë, si kjo që shikon këtu. Korita është një vend ku mbahet ushqimi që hanë lopët dhe kafshët e tjera.

Pse po e vënë Jezuin në një koritë?

Natën kur lindi Jezui ndodhën gjëra emocionuese. Afër Betlehemit një engjëll iu shfaq disa barinjve. U tha se Jezui ishte një person i rëndësishëm. Engjëlli tha: ‘Ja, unë po ju shpall lajmin e mirë që do ta bëjë të lumtur popullin. Sot lindi dikush që do ta shpëtojë popullin.’Luka 2:10, 11.

Cilin lajm të mirë u ka thënë barinjve njëri nga këta engjëj?

Engjëlli u tha barinjve se mund ta gjenin Jezuin në Betlehem, të vendosur në një koritë. Pastaj, papritur edhe engjëj të tjerë në qiell u bashkuan me engjëllin e parë për t’i dhënë lavdi Perëndisë.  ‘Lavdi Perëndisë,—këndonin engjëjt,—dhe paqe mbi tokë ndër njerëzit që kanë miratimin e tij.’Luka 2:12-14.

Kur u larguan engjëjt, barinjtë shkuan në Betlehem dhe gjetën Jezuin. Ata i treguan Jozefit dhe Marisë të gjitha gjërat e mira që kishin dëgjuar. A e mendon dot sa e lumtur ishte Maria që ishte treguar e gatshme të ishte nëna e Jezuit?

Më vonë, Jozefi dhe Maria e çuan Jezuin në qytetin e Nazaretit. Aty u rrit Jezui. Kur ishte i rritur, filloi veprën e tij të madhe për të mësuar të tjerët. Kjo bënte pjesë në punën që Perëndia Jehova donte që i Biri të bënte në tokë. Jezui ishte i gatshëm ta bënte këtë vepër, sepse e donte shumë Atin e tij qiellor.

 Para se të fillonte veprën si Mësuesi i Madh, Jezui u pagëzua në lumin Jordan nga Gjon Pagëzori. Pas kësaj ndodhi diçka mahnitëse! Kur Jezui po dilte nga uji, Jehovai foli nga qielli, duke thënë: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin e kam miratuar.» (Mateu 3:17) A nuk ndihesh i lumtur kur prindërit të thonë që të duan? . . . Mund të jemi të sigurt se edhe Jezui u ndie i lumtur.

Jezui bënte gjithnjë atë që ishte e drejtë. Ai nuk u hoq sikur ishte dikush që nuk ishte në të vërtetë. Nuk u thoshte njerëzve se ishte Perëndia. Engjëlli Gabriel i kishte thënë Marisë se Jezui do të quhej Biri i Perëndisë. Vetë Jezui tha se ishte Biri i Perëndisë. Ai nuk u tha njerëzve se dinte më shumë se Ati i tij, por tha: «Ati është më i madh se unë.»Gjoni 14:28.

Edhe në qiell, kur Ati i jepte punë për të bërë, Jezui i bënte. Nuk thoshte që do t’i bënte e pastaj bënte diçka tjetër. Ai e donte Atin e tij, prandaj e dëgjonte atë që i thoshte ai. Pastaj, kur erdhi në tokë, Jezui bëri atë për të cilën Ati i tij qiellor e kishte dërguar. Nuk e kaloi kohën duke bërë diçka tjetër. Ja përse Jehovai është i kënaqur me Birin e tij.

Edhe ne duam ta kënaqim Jehovain, a s’është kështu? . . . Atëherë duhet të tregojmë se e dëgjojmë vërtet Perëndinë, ashtu siç bëri Jezui. Perëndia na flet nëpërmjet Biblës. Nuk do të ishte e drejtë të hiqemi sikur e dëgjojmë Perëndinë, por pastaj të besojmë e të bëjmë gjëra që janë në kundërshtim me Biblën, si thua? . . . Le të kujtojmë se do të jemi të lumtur që po kënaqim Jehovain vetëm në qoftë se e duam me të vërtetë atë.

Tani, të lexojmë këto shkrime të tjera nga Bibla, që tregojnë se çfarë duhet të dimë e të besojmë për Jezuin: Mateu 7:21-23; Gjoni 4:25, 26 dhe 1 Timoteut 2:5, 6.