A DO të të pëlqente të bëje çfarë të doje? A dëshiron ndonjëherë që asnjeri mos të të thotë çfarë të bësh? Më thuaj të vërtetën, si mendon? . . .

Pse duhet t’i dëgjosh më të rriturit?

Por, çfarë është më mirë për ty? A është vërtet gjë e mençur të bësh çfarë të duash? Apo është më mirë t’i bindesh babait dhe mamasë? . . . Perëndia thotë se duhet t’u bindesh prindërve, prandaj ka një arsye të fortë pse duhet ta bësh këtë. Le të shohim bashkë se mos e gjejmë arsyen.

Sa vjeç je? . . . A e di sa vjeç është babai yt? . . . Po mamaja, gjyshja ose gjyshi? . . . Ata kanë jetuar shumë më gjatë se ti. Sa më shumë që të jetojë një njeri, aq më shumë kohë ka për të mësuar gjëra të tjera. Dëgjon më shumë, shikon më shumë dhe bën më shumë gjëra çdo vit. Prandaj, të vegjlit mund të mësojnë nga më të rriturit.

A njeh ndonjë që është më i vogël se ty? . . . A di ti më shumë se ai ose ajo? . . . Pse di më shumë? . . . Sepse ke jetuar më gjatë. Ke pasur më shumë kohë se ai ose ajo për të mësuar gjëra të tjera.

Kush ka jetuar më shumë se ti, më shumë se unë ose se çdo njeri tjetër? . . . Perëndia Jehova. Ai di më shumë sesa di unë dhe  sesa di ti. Kur na thotë të bëjmë ndonjë gjë, mund të jemi të sigurt se ajo që kërkon është e drejtë, edhe pse mund ta kemi të vështirë ta bëjmë. A e dije se edhe Mësuesi i Madh një herë e pati të vështirë të bindej? . . .

Në një rast, Perëndia i kërkoi Jezuit të bënte diçka shumë të vështirë. Jezui u lut për këtë, siç e shohim këtu. Ai tha: ‘Të lutem, hiqe këtë gjë të vështirë prej meje.’ Duke u lutur në këtë mënyrë, Jezui tregoi se nuk e kishte gjithnjë të lehtë të bënte vullnetin e Perëndisë. Por, si e mbaroi Jezui lutjen e tij? A e di? . . .

Çfarë mund të mësojmë nga lutja e Jezuit?

Jezui mbaroi me fjalët: «Le të bëhet jo vullneti im, por i yti.» (Luka 22:41, 42) Po, ai donte që të bëhej vullneti i Perëndisë, jo vullneti i tij. Prandaj bëri atë që donte Perëndia, jo atë që kishte menduar se sipas tij do të ishte më mirë.

Çfarë mund të mësojmë nga kjo? . . . Mësojmë se është gjithnjë e drejtë të bëjmë atë që thotë Perëndia, edhe pse mund të mos jetë e lehtë. Por mësojmë edhe diçka tjetër. Çfarë mësojmë? . . . Mësojmë se Perëndia dhe Jezui nuk janë i njëjti person, siç thonë disa njerëz. Perëndia Jehova është më i madh dhe di më shumë se Biri i tij, Jezui.

Kur i bindemi Perëndisë, tregojmë se e duam. Bibla thotë: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» (1 Gjonit 5:3) Pra, e kupton se të gjithë duhet t’i bindemi Perëndisë. Ti dëshiron t’i bindesh atij, apo jo? . . .

Le ta hapim bashkë Biblën dhe të shohim se çfarë u thotë Perëndia fëmijëve të bëjnë. Do të lexojmë çfarë thotë Bibla tek  Efesianëve, kapitulli 6, vargjet 1, 2 dhe  3. Aty thuhet: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj në unitet me Zotërinë, sepse kjo është e drejtë: ‘Ndero atin dhe nënën tënde’; i cili është urdhërimi i parë me një premtim: ‘Që të të vejë mbarë dhe të qëndrosh gjatë mbi tokë.’»

Pra, e shikon, vetë Perëndia Jehova po thotë që duhet t’i bindesh babait dhe mamasë. Çfarë do të thotë ‘t’i nderosh’ ata? Do të thotë që duhet t’u tregosh respekt. Perëndia premton se po t’u bindesh prindërve, ‘do të të shkojë mbarë’.

Tani do të të tregoj një histori për disa njerëz që shpëtuan jetën e tyre sepse ishin të bindur. Këta kanë jetuar shumë kohë më përpara në qytetin e madh të Jerusalemit. Pjesa më e madhe e njerëzve në atë qytet nuk e dëgjonin Perëndinë. Prandaj Jezui i paralajmëroi se Perëndia do të bënte që qyteti i tyre të shkatërrohej. Jezui u tha edhe se si mund të shpëtonin, në qoftë se i donin gjërat e drejta. Ai u tha: ‘Kur të shikoni ushtritë që rrethojnë Jerusalemin, do ta dini se shkatërrimi i tij po afrohet. Atëherë është koha që të dilni nga Jerusalemi dhe të ikni nëpër male.’Luka 21:20-22.

Si shpëtuan këta njerëz ngaqë iu bindën urdhrit të Jezuit?

Tamam ashtu siç tha Jezui, ushtritë e Romës erdhën për të sulmuar Jerusalemin dhe e rrethuan atë. Pastaj, për ndonjë arsye, ushtarët ikën. Shumica e njerëzve menduan se rreziku kishte kaluar, prandaj qëndruan në qytet. Por, çfarë kishte thënë Jezui se duhej të bënin? . . . Çfarë do të kishe bërë ti, po të jetoje në Jerusalem? . . . Ata që i besuan vërtet fjalët e Jezuit ikën nga shtëpia dhe shkuan nëpër male, larg Jerusalemit.

Kaloi një vit i tërë dhe asgjë nuk i ndodhi Jerusalemit. Pastaj kaloi edhe viti i dytë, e prapë nuk ndodhi gjë. Edhe vitin e tretë  po kështu. Disa njerëz mund të kenë menduar se ata që ikën nga qyteti ishin budallenj. Por pastaj, vitin e katërt, ushtritë romake u kthyen. E rrethuan përsëri Jerusalemin. Tani ishte tepër vonë, asnjeri s’ikte dot nga qyteti. Kësaj radhe ushtritë e shkatërruan qytetin dhe shumë njerëz që ishin brenda tij vdiqën, kurse të tjerët u morën robër.

Po me ata që iu bindën Jezuit ç’ndodhi? . . . Ata shpëtuan, sepse ishin larg Jerusalemit, kështu që nuk u ndodhi asgjë e keqe. Bindja i mbrojti.

Po të jesh i bindur, a do të të mbrojë edhe ty bindja? . . . Ndoshta prindërit të thonë që të mos luash asnjëherë në rrugë. Pse ta thonë këtë? . . . Sepse mund të të shtypë makina. Por, ndonjë ditë ti mund të mendosh: ‘Tani nuk ka makina në rrugë, kështu që  s’do të më ndodhë gjë. Kam parë edhe fëmijë të tjerë që luajnë në rrugë, po asnjëherë s’u ka ndodhur gjë.’

Pse duhet të bindesh edhe kur të duket sikur s’ka ndonjë rrezik?

Kështu menduan shumica e njerëzve në Jerusalem. Pasi u larguan ushtritë romake, dukej sikur ishin të sigurt. Edhe të tjerë po qëndronin në qytet, kështu që qëndruan edhe ata. Ishin paralajmëruar, por nuk dëgjuan. Prandaj humbën jetën.

Të marrim një shembull tjetër. A ke luajtur ndonjëherë me shkrepëse? . . . Mund të duket zbavitëse të shikosh flakën që del kur ndez shkrepësen. Por është e rrezikshme të luash me të, sepse mund të marrë zjarr shtëpia dhe ti mund të vdesësh.

Mos harro se nuk mjafton të bindesh vetëm nganjëherë. Në qoftë se bindesh gjithnjë, bindja do të të mbrojë. Kush është ai që thotë: «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj?» . . . Perëndia. Mos harro, ai ta thotë këtë sepse të do.

Tani të lexojmë këto shkrime që tregojnë sa e rëndësishme është bindja: Proverbat 23:22; Predikuesi 12:13; Isaia 48:17, 18 dhe Kolosianëve 3:20.