Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 KAPITULLI 19

A është mirë të zihemi?

A është mirë të zihemi?

A NJEH ndonjë vajzë a djalë, të cilit i pëlqen të duket si i madh dhe i fortë? . . . A të pëlqen të rrish me të? Apo do të të pëlqente më shumë të rrije me dikë që është i mirë e që do paqen? . . . Mësuesi i Madh tha: ‘Të lumtur janë ata që e duan paqen, sepse do të quhen «bij të Perëndisë».’Mateu 5:9.

Por nganjëherë të tjerët bëjnë gjëra që na zemërojnë. A nuk është kështu? . . . Nga kjo mund të na lindë dëshira për t’u hakmarrë. Një herë një gjë e tillë ndodhi me dishepujt e Jezuit kur po shkonin me Jezuin në Jerusalem. Dua të të tregoj se çfarë ndodhi.

Pasi kishin bërë një copë rrugë, Jezui dërgoi disa dishepuj përpara në një fshat samaritan për të gjetur një vend ku të pushonin. Por banorët atje nuk donin që ata të qëndronin, sepse samaritanët kishin tjetër fe. Atyre nuk u pëlqenin ata që shkonin në Jerusalem për të adhuruar.

Çfarë donin të bënin Jakovi dhe Gjoni për t’u hakmarrë kundër samaritanëve?

 Çfarë do të kishe bërë po të të kishte ndodhur ty kjo? A do të ishe zemëruar? A do të kishe dashur të hakmerreshe ndaj tyre? . . . Këtë donin të bënin dishepujt Jakov dhe Gjon. Ata i thanë Jezuit: ‘A dëshiron të themi që të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i shkatërrojë?’ Nuk çuditemi që Jezui i quajti ata Bij të Bubullimës! Por Jezui u tha se nuk ishte e drejtë t’i trajtonin njerëzit kështu.Luka 9:51-56; Marku 3:17.

Është e vërtetë se nganjëherë njerëzit mund të sillen keq me ne. Ndoshta disa fëmijë të tjerë nuk duan që të luajmë edhe ne në lojërat e tyre. Madje mund të na thonë: «Nuk duam që të rrish këtu.» Kur ndodh diçka e tillë, mund të ndihemi shumë keq, apo jo? Ndoshta na vjen dëshira që të bëjmë diçka për t’u hakmarrë. Por, a duhet të hakmerremi? . . .

Merre pak Biblën tënde dhe hape te Proverbat, kapitulli 24, vargu 29. Aty lexojmë: «Mos thuaj: ‘Si ma bëri, ashtu do t’ia bëj. Do t’ia kthej secilit sipas veprave të veta.’»

Si mendon, çfarë do të thotë ky varg? . . . Këtu po thotë që nuk duhet të përpiqemi të hakmerremi. Nuk duhet të sillemi keq me dikë vetëm sepse ai u soll keq me ne. Po sikur dikush të kërkojë që të zihet me ty? Ai mund të përpiqet të të zemërojë duke të sharë. Ndoshta të tall dhe të thotë se s’ta mban. Ta zëmë se të quan frikacak. Çfarë duhet të bësh? A duhet të pranosh që të zihesh? . . .

Le të shohim prapë se çfarë thotë Bibla. Hape te Mateu, kapitulli 5, vargu 39. Aty Jezui thotë: «Mos i rezisto atij që është i lig; por atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.» Çfarë mendon se donte të thoshte Jezui me këtë? A donte të thoshte që nëse dikush të godet me grusht në një faqe, duhet ta lësh të të godasë edhe në faqen tjetër? . . .

 Jo, Jezui nuk donte të thoshte aspak këtë. Shuplaka nuk është si një goditje me grusht. Më shumë është si një e shtyrë. Ndoshta një njeri na e jep një shuplakë sa për të nisur zënkën. Ai do që ne të zemërohemi. E po të zemërohemi e ta shtyjmë edhe ne, çfarë ndodh? . . . Do të fillojmë të zihemi.

Por Jezui nuk donte që dishepujt e tij të ziheshin. Prandaj tha që kur dikush na jep një shuplakë, nuk duhet t’i përgjigjemi njësoj. Nuk duhet të zemërohemi dhe të fillojmë të zihemi. Po ta bëjmë këtë, do të tregojmë se nuk jemi më të mirë se ai që e filloi zënkën.

Si mendon, cila është gjëja më e mirë që duhet bërë, nëse sheh që nis një problem? . . . Duhet të largohesh. Ai njeri mund të të shtyjë edhe ca herë të tjera. Por ka të ngjarë që të mbarojë me kaq.  Kur largohesh, kjo nuk do të thotë se je i dobët. Do të thotë se je i fortë, ngaqë po bën atë që është e drejtë.

Çfarë duhet të bëjmë, nëse dikush kërkon që të zihemi me të?

Po sikur të pranosh të zihesh e ta mundësh tjetrin? Çfarë mund të ndodhë më pas? . . . Ai që e munde mund të kthehet prapë me disa shokë të tij. Ata mund të të qëllojnë edhe me ndonjë shkop të madh ose me thikë. Prandaj, a e sheh pse Jezui nuk donte që të zihemi? . . .

Çfarë duhet të bëjmë nëse shohim që disa të tjerë po zihen? A duhet të marrim anën e njërit apo të tjetrit? . . . Bibla na thotë se çfarë është e drejtë të bëjmë. Hape te Proverbat, kapitulli 26, vargu 17. Aty thuhet: «Kalimtari që tërbohet për sherrin e tjetërkujt është si një njeri që e kap qenin për veshësh.»

Pse është sikur ta kapësh një qen për veshësh, po të përzihesh në zënkat e të tjerëve? Mund të dëmtohesh, prandaj mos e bëj!

Çfarë do të ndodhte po ta kapje për veshësh një qen? Qenit do t’i dhembte dhe do të të kafshonte, apo jo? Sa më shumë të përpiqet qeni që të çlirohet, aq më të vështirë do ta kesh që ta mbash për veshësh dhe aq më i inatosur do të bëhet qeni. Po ta lësh të lirë, patjetër që do të të kafshojë fort. Por, a mund të rrish atje dhe ta mbash për veshësh përgjithmonë? . . .

Ja pra, në një telash të ngjashëm do të futeshim po të përziheshim në një zënkë midis dy të tjerëve. Ndoshta ne nuk e dimë se kush e nisi zënkën ose pse po zihen. Ndoshta dikë po e rrahin, por mbase ai i ka  vjedhur diçka këtij tjetrit. Po ta ndihmonim, do të ndihmonim një hajdut. Kjo nuk do të ishte mirë, apo jo?

Prandaj, çfarë duhet të bësh kur sheh të tjerë që po zihen? . . . Po të jetë në shkollë, mund të vraposh e t’i tregosh mësuesit. Po të jetë jashtë shkollës, mund të thërrasësh prindërit e tu ose një polic. Po, edhe kur të tjerët duan të zihen, ne duhet të kërkojmë paqen.

Çfarë duhet të bësh kur shikon njerëz që po zihen?

Si dishepuj të vërtetë të Jezuit, ne bëjmë çmos që të mos përzihemi në zënka. Në këtë mënyrë tregojmë se jemi të fortë, ngaqë bëjmë atë që është e drejtë. Bibla thotë se dishepulli i Jezuit «nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë».2 Timoteut 2:24.

Le të shohim tani disa këshilla të tjera të mira që do të na ndihmojnë të mos përzihemi në zënka: Romakëve 12:17-21 dhe 1 Pjetrit 3:10, 11.