Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 MËSIMI 5

Samueli bëri atë që ishte e drejtë

Samueli bëri atë që ishte e drejtë

Që kur ishte i vogël, Samueli jetoi dhe punoi në tabernakull, vendi ku njerëzit shkonin të adhuronin Jehovain. Si ndodhi që Samueli shkoi në tabernakull? Në fillim, të mësojmë diçka për mamin e Samuelit, Hanën.

Për shumë kohë, Hana donte të kishte fëmijë, por nuk mundej. Prandaj, iu lut shumë Jehovait që ta ndihmonte. Ajo i premtoi se, po të lindte një djalë, do ta dërgonte të punonte në tabernakull dhe të jetonte aty pranë. Jehovai ia dëgjoi lutjen dhe ajo u bë me djalë. Ia vuri emrin Samuel. Dhe tamam siç kishte premtuar, Hana e çoi Samuelin në tabernakull t’i shërbente Perëndisë që kur ishte tre ose katër vjeç.

Kryeprift në tabernakull ishte Eliu. Edhe dy djemtë e tij punonin atje si priftërinj. Ti e di që tabernakulli ishte shtëpia e adhurimit të Perëndisë dhe njerëzit duhej të bënin gjëra të mira atje. Kurse djemtë e Eliut bënin gjëra shumë të këqija. Samueli e shihte çfarë bënin. Po Samueli, a bënte gjëra të këqija si djemtë e Eliut? . . . Jo, ai bëri atë që ishte e drejtë, tamam siç e kishin mësuar prindërit.

Çfarë mendon se duhet të kishte bërë Eliu me dy djemtë e tij? . . . Duhej t’i kishte dënuar. Nuk duhej t’i kishte lejuar të punonin më në shtëpinë e Perëndisë. Por Eliu nuk bëri kështu, prandaj Jehovai u zemërua me të dhe me dy djemtë e tij. Jehovai vendosi t’i dënonte.

Samueli i dha Eliut mesazhin nga Jehovai

Një natë, kur Samueli ishte në gjumë, dëgjoi një zë që e thirri: ‘Samuel!’ Ai vrapoi për tek Eliu, por ky i tha: ‘Nuk të thirra unë.’ Kjo u përsërit edhe dy herë të tjera. Pas herës së tretë, Eliu i tha Samuelit se, po ta dëgjonte prapë zërin, duhej të thoshte: ‘Të lutem Jehova, fol, po të dëgjoj.’ Kështu bëri Samueli. Pastaj, Jehovai i tha Samuelit: ‘Thuaji Eliut se do ta dënoj atë dhe familjen e tij për gjërat e këqija që kanë bërë.’ Si mendon, a e kishte  të lehtë Samueli t’ia jepte këtë mesazh Eliut? . . . Nuk e kishte të lehtë. Por bëri siç i tha Jehovai, megjithëse pati frikë. Dhe ajo që kishte thënë Jehovai, doli e vërtetë. Dy djemtë e Eliut i vranë. Edhe Eliu vdiq.

Samueli është një shembull i mirë për ne. Bëri atë që ishte e drejtë, edhe pse shihte që të tjerët silleshin keq. Po ti? A do të jesh si Samueli dhe të bësh atë që është e drejtë? Nëse po, do ta bësh të lumtur edhe Jehovain, edhe mamin e babin.

LEXO NË BIBLËN TËNDE