Le të mësojmë për një djalë që i shpëtoi jetën dajës së tij. Daja i tij ishte apostulli Pavël. Këtij djali nuk ia dimë emrin, por dimë se ai bëri diçka shumë të guximshme. A dëshiron të dish çfarë bëri? . . .

Pavli ishte në burg në Jerusalem. E kishin arrestuar sepse predikonte për Jezuin. Disa burra të këqij e urrenin Pavlin, prandaj bënë një plan të keq. Ata thanë: ‘Le t’i kërkojmë komandantit ushtarak që ushtarët e tij ta sjellin Pavlin para gjyqit. Ne do të fshihemi rrugës dhe, kur Pavli të kalojë, do ta vrasim.’

Nipi i Pavlit ia tregoi planin e keq atij dhe komandantit ushtarak

Nipi i tij, djali i motrës, mori vesh për këtë plan. Çfarë duhej të bënte? Ai shkoi në burg te Pavli dhe i tregoi. Menjëherë, Pavli i tha që t’ia tregonte këtë plan të keq komandantit. A mendon se e kishte të lehtë nipi i Pavlit t’ia tregonte komandantit? . . . Jo, sepse komandanti ishte njeri me pozitë. Por, nipi i Pavlit ishte i guximshëm dhe i tregoi.

Komandanti e dinte mirë çfarë të bënte. Mblodhi rreth 500 ushtarë që të mbronin Pavlin. U tha që ta çonin në Cezare që atë natë. A shpëtoi Pavli? . . . Po, burrat e këqij nuk e sulmuan dot. Plani i tyre i keq dështoi.

Çfarë mëson nga ky tregim? . . . Edhe ti mund të jesh guximtar si nipi i Pavlit. Duhet të jemi të guximshëm kur u flasim të tjerëve për Jehovain. A do të jesh i guximshëm dhe të vazhdosh të flasësh për Jehovain? . . . Nëse po, mund t’i shpëtosh jetën dikujt.