A e ke të vështirë të bësh atë që është e drejtë? . . . Shumë njerëz e kanë të vështirë. Bibla thotë se një djalë me emrin Josia kishte të njëjtin problem. Por kishte shokë të mirë që e ndihmonin. Le të mësojmë më tepër për Josinë dhe shokët e tij.

Babi i Josisë ishte Amoni, mbreti i Judës. Amoni ishte shumë i keq dhe adhuronte idhuj. Kur i vdiq babi, Josia u bë mbret i Judës. Por ishte vetëm tetë vjeç. A mendon se ishte i keq si babi i tij? . . . Jo, nuk ishte i keq.

Josia dhe Jeremia e ndihmuan njëri-tjetrin që të bënin atë që ishte e drejtë

Edhe kur ishte i vogël, Josia donte t’i bindej Jehovait. Prandaj, zgjidhte si shokë vetëm ata që e donin Jehovain. Ata e ndihmonin Josinë të bënte atë që ishte e drejtë. Cilët ishin disa nga shokët e Josisë?

Njëri prej tyre ishte Sofonia. Ai ishte një profet që u thoshte banorëve të Judës se do t’u ndodhnin gjëra të këqija po të adhuronin idhuj. Josia e dëgjonte  Sofoninë dhe adhuronte Jehovain, jo idhuj.

Një shok tjetër i Josisë ishte Jeremia. Ishin pak a shumë në të njëjtën moshë dhe i kishin shtëpitë afër kur ishin të vegjël. Ishin aq shokë të mirë, sa kur vdiq Josia, Jeremia shkroi një këngë të veçantë ku tregonte sa shumë e kishte marrë malli për Josinë. Jeremia dhe Josia e ndihmonin njëri-tjetrin që të vepronin drejt dhe t’i bindeshin Jehovait.

Sofonia i tha popullit që të mos adhuronin idhuj

Çfarë mund të mësosh nga Josia? . . . Edhe kur ishte i vogël, Josia donte të bënte atë që ishte e drejtë. Ai e dinte se duhej të kishte shokë ata që e donin Jehovain. Bëj kujdes të zgjedhësh shokë që e duan Jehovain dhe që të ndihmojnë të veprosh drejt.