A e ke gjithmonë të lehtë t’i bindesh mamit dhe babit? . . . Ndonjëherë është e vështirë. A e di se Jezui i bindej gjithmonë Jehovait dhe prindërve? . . . Nga ai do të mësosh t’i bindesh mamit dhe babit edhe kur nuk është e lehtë. Le të mësojmë më tepër për këtë.

Para se Jezui të vinte në tokë, ai ishte në qiell me Atin e tij, Jehovain. Por Jezui kishte prindër edhe këtu në tokë. Ata ishin Jozefi dhe Maria. A e di si u bënë prindër të tij? . . .

Jehovai e mori jetën e Jezuit në qiell dhe e vuri brenda barkut të Marisë që Jezui të lindte dhe të jetonte në tokë. Kjo ishte një mrekulli! Jezui u rrit në barkun e Marisë ashtu si çdo fëmijë në barkun e mamit. Rreth nëntë muaj më vonë, Jezui lindi. Kështu, Maria dhe burri i saj, Jozefi, u bënë prindërit e Jezuit këtu në tokë.

Kur Jezui ishte vetëm 12 vjeç, bëri diçka që tregoi sa shumë e donte Atin e tij, Jehovain. Kjo ndodhi kur Jezui dhe familja e tij bënë një udhëtim të gjatë për në Jerusalem që të adhuronin Jehovain. Kur po ktheheshin në shtëpi, Jozefi dhe Maria nuk po e gjenin askund Jezuin. A e di ku ishte? . . .

Pse kishte shkuar në tempull Jezui?

Jozefi dhe Maria nxituan për në Jerusalem dhe e kërkuan gjithandej. Ishin shumë të mërzitur sepse nuk po e gjenin dot. Por, pas tri ditësh, e gjetën në tempull. A e di pse kishte shkuar në tempull? . . . Sepse atje mund të mësonte për Atin e tij, Jehovain. E donte Jehovain dhe donte të mësonte si t’ia gëzonte zemrën. Edhe kur u rrit e u bë burrë, Jezui i bindej gjithmonë Jehovait. I bindej edhe kur e kishte të vështirë e kur i duhej të vuante. Po Jozefit dhe Marisë, a i bindej? . . . Po, Bibla thotë se po.

Çfarë mëson nga Jezui? . . . Duhet t’u bindesh prindërve, edhe kur e ke të vështirë. A do t’u bindesh ti? . . .