A i sheh këta burra në figurë? . . . Ata janë Mateu, Marku, Luka, Gjoni, Pjetri, Jakovi, Juda dhe Pavli. Të gjithë jetuan në të njëjtën kohë me Jezuin dhe shkruan për të. Le të mësojmë më shumë për këta burra.

Çfarë di për këta burra?

Tre prej tyre ishin apostuj që predikuan me Jezuin. A e di cilët ishin? . . . Mateu, Gjoni dhe Pjetri. Mateu dhe Gjoni e njihnin shumë mirë Jezuin dhe secili prej tyre shkroi një libër për jetën e Jezuit. Edhe apostulli  Gjon shkroi një libër me emrin Zbulesa dhe tri letra: Letra e Parë e Gjonit, Letra e Dytë e Gjonit dhe Letra e Tretë e Gjonit. Apostulli Pjetër shkroi dy letra në Bibël që quhen Letra e Parë e Pjetrit dhe Letra e Dytë e Pjetrit. Në letrën e tij të dytë, Pjetri shkroi për rastin kur Jehovai foli nga qielli dhe tha për Jezuin: ‘Ky është im bir. E dua dhe jam krenar për të.’

Edhe të tjerët në figurë na mësojnë për Jezuin nëpërmjet librave që shkruan. Njëri prej tyre është Marku. Ka mundësi të ishte atje kur Jezuin e arrestuan dhe pa gjithçka që ndodhi. Një tjetër është Luka. Ishte mjek dhe ndoshta u bë i krishterë pasi vdiq Jezui.

Dy shkrimtarë të tjerë të Biblës që sheh në figurë ishin vëllezërit më të vegjël të Jezuit. A e di si quheshin? . . . Jakov dhe Judë. Në fillim, ata nuk besonin te Jezui. Madje mendonin se ishte pak i çmendur. Por më vonë besuan tek ai dhe u bënë të krishterë.

Shkrimtari i fundit që sheh në figurë është Pavli. Para se të bëhej i krishterë, e kishte emrin Saul. Ai i urrente të krishterët dhe tregohej shumë i keq me ta. A e di pse u bë i krishterë Pavli? . . . Një ditë, ai po udhëtonte kur papritur dëgjoi dikë që i foli nga qielli. Ishte Jezui. Ai e pyeti: ‘Pse tregohesh kaq i keq me ata që besojnë tek unë?’ Pas kësaj, ai ndryshoi dhe u bë i krishterë. Pavli shkroi 14 libra të Biblës, nga Romakëve deri te Hebrenjve.

Ne e lexojmë Biblën çdo ditë, apo jo? . . . Prej saj, mësojmë shumë gjëra për Jezuin. A dëshiron të mësosh më tepër për Jezuin? . . .