EDHE pse shërbimi shtëpi më shtëpi vazhdon të jetë mënyra kryesore përmes së cilës Dëshmitarët e Jehovait përhapin të vërtetën biblike, përdorimi i tryezave dhe i stendave tërheqëse ka dalë shumë i efektshëm për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mat. 24:14) Lajmëtarët e Mbretërisë kanë përdorur stenda, tryeza dhe kioska që t’u predikojnë njerëzve në vende publike. Përveç këtyre, kongregacionet anekënd botës janë furnizuar edhe me rreth 250.000 stenda literature të lëvizshme. Si ka ndikuar te njerëzit?

Në Dar-es-Salam, Tanzani, gati 700 veta kanë kërkuar studime biblike që kur filloi programi për dëshminë  publike speciale në metropol më 2014. Shumë të interesuar kanë ndjekur mbledhjet dhe po njohin më mirë Perëndinë. Brenda një viti, njerëz nga vende të Afrikës dhe jashtë saj morën mbi 250.000 botime te stendat.

Ishujt Solomon, ku më pak se 2.000 lajmëtarë predikojnë në një territor të paanë me mbi 300 ishuj të banuar, dëshmia speciale në metropol është bërë mënyrë e rëndësishme për të përhapur farat e së vërtetës. Në kryeqytet, Honiarë, vëllezërit shpërndanë mbi 104.000 revista dhe më se 23.600 broshura. Shumë nga ata që i morën, vinin nga ishuj dhe fshatra të izoluara ku nuk ka Dëshmitarë. Vetëm një pasdite lanë 400 libra Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe 60 veta kërkuan studim biblik në shtëpi.

Një mëngjes herët pionierët e rregullt Majkëll dhe Linda po vendosnin stendën e literaturës në anë të shëtitores përgjatë bregdetit, në Ishullin Margarita, Venezuelë. Një burrë me emrin Anibal iu afrua stendës dhe mori librin Çfarë mëson vërtet Bibla? U tha se i ati i kishte vdekur pikërisht në atë plazh shtatë vjet më parë, dhe se që atëherë e ëma vuante nga depresioni. Javën tjetër Anibali u kthye dhe u tha Majkëllit e Lindës se ishte përvjetori i vdekjes së të atit. Nxori celularin, mori të ëmën dhe i kërkoi Majkëllit t’i thoshte ca fjalë ngushëlluese. Që atëherë, ajo u ka telefonuar disa herë Majkëllit e Lindës dhe ata i kanë lexuar shkrime ngushëlluese. Në një nga mesazhet, mamaja e Anibalit shkruante: «Sot ndihem shumë më mirë sepse më keni  dhënë zemër dhe më keni ndihmuar të forcoj besimin.»

Dëshmia speciale publike në metropol është organizuar në 127 pika të 14 qyteteve në Shtetet e Bashkuara. Gjatë shtatë muajve të parë të vitit të shërbimit 2015 u filluan 8.445 studime biblike. Gjithashtu, kjo formë dëshmie ka luajtur rol të rëndësishëm për të ndihmuar ata që dikur shoqëroheshin me ne, të vijnë sërish në adhurimin e vërtetë. Për shembull, një burrë që quhet Teri po shihte literaturën në tryezën tonë në Los Anxhelos, Kaliforni, ndaj çifti i Dëshmitarëve e pyeti nëse kishte lexuar ndonjë nga botimet tona. Ai u shpjegoi se ishte Dëshmitar i Jehovait, por kishte qenë joaktiv për rreth katër vjet. Lexuan dhe diskutuan atë që thotë Jehovai tek Ezekieli 34:11: «Do t’i kërkoj vetë delet e mia dhe do të kujdesem për to.» I treguan për sitin tonë dhe për JW Broadcasting. Mëngjesin tjetër Teri i dërgoi një email vëllait ku i shpjegonte se pak para se të shihte stendën, i ishte përgjëruar Perëndisë ta falte ngaqë i kishte lënë pas dore mbledhjet. I kishte kërkuar Jehovait edhe që ta ndihmonte të lidhej më ngushtë me të. Teri vazhdonte: «Pastaj ju më përshëndetët me ngrohtësi. Më lexuat një shkrim që më dha zemër dhe më dhatë informacionin e duhur për t’u kthyer në organizatën e Jehovait. Ishte përgjigjja e lutjes sime.»

Në Adis-Abebë, Etiopi, ka katër zona ku jepet dëshmi publike speciale në metropol. Gjatë tre muajve vëllezërit shpërndanë 37.275 botime, dhe 629 veta kërkuan t’i vizitonin Dëshmitarët. Mes gjithë atyre që morën librin Çfarë mëson vërtet Bibla? ishte edhe një i moshuar që filloi ta lexonte që aty. Dikur kishte studiuar  në një seminar fetar dhe kishte pyetje për Jezuin dhe për Mbretërinë e Perëndisë. Kështu, të nesërmen u kthye te stenda që të merrte përgjigjet e pyetjeve. Ditën tjetër pas kësaj, pranoi një studim biblik, dhe në fund të javës vajti në mbledhje për herë të parë. Tani i ndjek rregullisht mbledhjet dhe po ecën goxha mirë.

Etiopi: Literaturë në gjuhën amharike në një stendë në Adis-Abebë

 Një jude iu afrua një stende literature në Meksikë dhe u kërkoi dy vëllezërve ndonjë botim për temën e vdekjes. I thanë se u kishin mbaruar revistat që flitnin për vdekjen, ndaj i ofruan një që fliste për të ardhmen. E kapi nga krahu vëllanë dhe i tha: «Nuk më intereson e ardhmja. Dua vetëm të vras veten.» Pastaj filloi të qante. Vëllezërit e pyetën ç’i kishte ndodhur që ndihej kështu. Burri iu përgjigj me ngashërim: «Sapo më ka vdekur çuni.» Vëllezërit i treguan kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? I lexuan dy paragrafët e parë poshtë nëntitullit «Kur na vdes një njeri i afërt» si dhe fundin e kapitullit ku flitet për shpresën për të vdekurit. I prekur thellë, e kapi prapë nga krahu vëllanë, dhe e pyeti: «A është e vërtetë kjo?» Vëllezërit e siguruan se Jehovai do ta përmbushë se s’bën këtë premtim. Ai i pyeti: «Çfarë duhet të bëj që ta shoh prapë çunin?» Pastaj lanë takim në shtëpinë e tij. Kur vajtën atje, e gjetën në shtëpi, duke pritur me padurim të fillonte studimin e Biblës.

Një mbikëqyrës udhëtues që ka ndihmuar për organizimin e programit të dëshmisë speciale në metropol në Nju-Jork, tha: «Jehovai e ka bekuar jashtë mase këtë program! Jo vetëm që është mënyrë goxha e efektshme për të kontaktuar dhjetëra mijë njerëz, por edhe shumë joaktivë ose të përjashtuar, ‘delet e humbura’, që po ndihmohen të kthehen në vathë.»Ezek. 34:15, 16.