Njohja ligjore

Njohja ligjore nuk është e domosdoshme që Dëshmitarët e Jehovait të kryejnë aktivitetet e tyre fetare. Megjithatë, regjistrimi na jep mundësi të blejmë ose të marrim me qira ambiente për mbledhje dhe të importojmë literaturë.

  • Në vitin 2004 gjykatat ruse mbyllën entin ligjor të Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë. Si rrjedhojë, vëllezërit tanë në Moskë kanë hasur kundërshtim edhe më të egër. Policët nuk i linin të qetë, njerëzit i sulmonin gjatë shërbimit dhe pronarët e ambienteve me qira anulonin kontratat, duke i lënë vëllezërit pa vend adhurimi. Një vendim i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në vitin 2010 konfirmoi se Rusia kishte shkelur të drejtat e Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë dhe urdhëroi që të njiheshin ligjërisht  sërish. Me kënaqësi njoftojmë se më 27 maj 2015 Departamenti i Moskës në Ministrinë e Drejtësisë të Federatës Ruse regjistroi si ent ligjor një Organizatë Fetare Lokale të Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë.

Taksat

Entet ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën në përgjithësi janë të përjashtuara nga taksat, si shumica e organizatave fetare e bamirëse. Por ndonjëherë qeveritë nuk duan ta pranojnë statusin tonë si të përjashtuar nga taksat.

  • Suedi, autoritetet këmbëngulin se Betheli nuk është një institucion me shërbëtorë fetarë specialë në kohë të plotë, por një biznes fitimprurës që «punëson» bethelitë. Sipas llogarive të shtetit, Betheli dhe bethelitët duhet të paguajnë dhjetëra mijë euro taksa si punëdhënës dhe punonjës. Për këtë, Dëshmitarët në Suedi u janë drejtuar gjykatave të vendit dhe i kanë dërguar GJEDNJ-së gjashtë ankesa.

Asnjanësia dhe refuzimi i shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes

Populli i Jehovait e merr seriozisht urdhrin biblik që «t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore» dhe ‘të mos mësojnë më të luftojnë’. (Isa. 2:4) Ata mbeten asnjanës edhe pse disa qeveri nuk ofrojnë shërbimin civil alternativ.

  • Legjislacioni i sotëm në Korenë e Jugut nuk e njeh të drejtën e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes. Gjatë 60 viteve të kaluara janë burgosur mbi 18.000 Dëshmitarë ngaqë nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak. Pothuajse çdo Dëshmitar atje ka pasur një familjar a një shok në burg. Më 2004 dhe 2011 Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut pretendoi se ky lloj burgimi ishte kushtetues. Megjithatë, në korrik të 2015-s Gjykata mbajti një seancë me dyer të hapura për ta parë sërish çështjen. Dëshmitarët e Jehovait në botë luten për një zgjidhje të kësaj çështjeje të zgjatur, në mënyrë që  vëllezërit e rinj në Korenë e Jugut të mos burgosen më për shkak të besimit.

  • Tre Dëshmitarë të Jehovait në Eritre kanë hyrë në vitin e 22-të të burgimit ngaqë nuk pranonin të bënin ushtrinë. Paulos Ijasu, Negede Teklemarijami dhe Isak Mogosi nuk janë akuzuar ende zyrtarisht dhe nuk kanë pasur mundësi të mbrohen para një gjykate. Ashtu si mbi 50 motra e vëllezër të tjerë, ata vazhdojnë të ruajnë integritetin me gjithë trajtimin e ashpër dhe kushtet skandaloze të burgut. Kemi besim se ‘psherëtimat e këtyre të burgosurve’ për shkak të besimit arrijnë te Jehovai dhe se ai do të veprojë në dobi të tyre.Psal. 79:11.

  • Ukrainë, në gusht 2014 Vitalij Shalaikon e thirrën ushtar gjatë mobilizimit. Ndërgjegjja nuk e lejoi të kryente shërbimin ushtarak, por shprehu gatishmërinë për të bërë shërbimin civil alternativ. Prokurori e akuzoi vëlla Shalaikon për shmangie nga shërbimi ushtarak gjatë mobilizimit, por gjykata e shkallës së parë dhe e apelit e shpallën të pafajshëm. Gjykata e apelit arsyetoi se shqetësimi për sigurinë kombëtare nuk është justifikim për të kufizuar të drejtat e garantuara, dhe se kjo «e drejtë e refuzimit të shërbimit ushtarak për  shkak të ndërgjegjes nuk mund të kufizohet në interes të sigurisë kombëtare». Prokurori apeloi përsëri. Më 23 qershor 2015 Gjykata e Lartë e Specializuar për Çështjet Civile dhe Penale të Ukrainës përkrahu vendimet e gjykatave më të ulëta. Kjo vërteton të drejtën e refuzimit të shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes dhe të shërbimit alternativ edhe gjatë urgjencave kombëtare.

Ukrainë: Vitalij Shalaiko duke predikuar me gëzim

Vëlla Shalaiko shkruan për fundin pozitiv të çështjes: «Fjalët e Jeremisë 1:19 më dhanë forcë. Isha i përgatitur sido që të shkonin gjërat; më e rëndësishmja ishte t’i qëndroja besnik Jehovait. Jam i sigurt se nuk do të më braktisë kurrë, por do të më japë forcë të qëndroj besnik. Megjithatë, përfundimi i tejkaloi parashikimet e mia. Në të tria çështjet gjyqësore akuzat ndaj meje ranë. Dhe gjatë gjithë seancave, e ndjeva mbështetjen e vëllezërve. Nuk u ndjeva kurrë i braktisur.»

Asnjanësia dhe ceremonitë patriotike

Edhe ceremonitë patriotike përbëjnë sfidë për asnjanësinë e krishterë. Të rinjve në veçanti u bëhet presion të mos i qëndrojnë besnikë Jehovait, si në rastet kur autoritetet e shkollave i detyrojnë të këndojnë himnin kombëtar ose të nderojnë flamurin.

  • Në krahinën Karongi të Ruandës, autoritetet e shkollës paditën disa nxënës Dëshmitarë për mungesë respekti ndaj himnit kombëtar ngaqë nuk kishin pranuar ta këndonin. I përjashtuan nga shkolla e madje i burgosën. Më 28 nëntor 2014 Gjykata e Ndërmjetme në Karongi i shfajësoi nxënësit dhe në vendimin e saj pohoi se moskëndimi i himnit nuk ishte mungesë respekti. Në vende të tjera afrikane, si në Kamerun, Republikën Demokratike të Kongos, Guinenë Ekuatoriale dhe në Malavi, të rinjtë Dëshmitarë kanë pasur të njëjtin problem dhe në disa raste janë përjashtuar nga shkolla. Vëllezërit në këto vende po përpiqen që të informojnë autoritetet shtetërore dhe të shkollës për qëndrimin asnjanës të Dëshmitarëve të Jehovait.

  • Honduras: Mirna Pazi dhe Besi Serrano në fund e morën diplomën

      Në dhjetor 2013 një shkollë publike në Lepaera, Honduras, nuk ua dha diplomat dy nxënëseve Dëshmitare ngaqë nuk pranuan të këndonin himnin dhe të bënin betimin e besnikërisë ndaj flamurit. Për të zgjidhur problemin, dy avokatë Dëshmitarë të Jehovait takuan një përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe i treguan precedentë ligjorë nga vende të tjera që përkrahin qëndrimin e nxënësve Dëshmitarë. Ai u tregua i mirë dhe i lejoi nxënëset e prindërit të paraqitnin faktet me shkrim pranë drejtorit juridik të Ministrisë së Arsimit në Honduras. Pasi shqyrtoi ankesën e tyre, më 29 korrik 2014 ai nxori një direktivë ku pohonte se arsimimi «duhet të jetë në dispozicion të [të gjithë] shoqërisë pa asnjë lloj diskriminimi» dhe urdhëroi që nxënëseve Dëshmitare t’u jepej diploma.

Diskriminimi nga shteti

Në çdo vend, ne Dëshmitarët e Jehovait i bindemi urdhrit të Jezuit që t’u japim njerëzve lajmin e mirë për Mbretërinë, mblidhemi me bashkëbesimtarët për të adhuruar Perëndinë dhe studiojmë Fjalën e Tij rregullisht. Marrim seriozisht edhe urdhrin biblik për t’u ngulitur në zemër fëmijëve tanë ligjet e Jehovait dhe ‘për të ndenjur larg nga gjaku’. (Vep. 15:20; Ligj. 6:5-7) Por ndonjëherë ngaqë u bindemi këtyre urdhërimeve,  lindin konflikte me autoritetet shtetërore që mund ta keqkuptojnë qëndrimin tonë.

  • Në shtetin e Floridës, SHBA, një gjykatë e shkallës së parë i dha një nëne që s’ishte Dëshmitare të drejtën ekskluzive që të vendoste për edukimin fetar të të tre fëmijëve. Kurse babait Dëshmitar i dha urdhër të mos u jepte asnjë mësim fetar që binte ndesh me fenë katolike. Ai e apeloi këtë vendim dhe më 18 gusht 2014 gjykata e apelit e anuloi vendimin e gjykatës së mëparshme. Duke u bazuar në precedentë të fortë, gjykata shkroi: «Kufizimet ndaj së drejtës së prindit jokujdestar për ta njohur me fenë e tij, janë hequr vazhdimisht në mungesë provash të qarta që dëshmojnë se veprimtaritë fetare në fjalë do të jenë të dëmshme për fëmijën.»

    Ky vendim u dha fëmijëve të drejtën që të marrin pa kufizime drejtimin dhe mësimet dobiprurëse të Perëndisë Jehova. Të tre po rriten mjaft në besim ndërsa shoqërohen me kongregacionin vendës. Babai i tyre tha: «Patundshmëria në këtë situatë po më bën pa dyshim njeri më të mirë. Kohët e fundit kam pasur disa sprova besimi, por Jehovai më ka ndihmuar të mos lëkundem. E di se, që kur vendosim t’i shërbejmë Jehovait, përndjekja është e pashmangshme.»

  • Namibi: Efixhinia Semente me tre fëmijët

    Motër Efixhinia Semente, nënë e tre fëmijëve në Namibi, pati një sprovë integriteti të rëndë. Kur ishte në spital duke lindur fëmijën e tretë, pati ndërlikime dhe disa nga personeli mjekësor dhe familjarët që s’ishin Dëshmitarë morën një urdhër gjykate për ta detyruar të merrte gjak. Motër Semente bëri çmos të mos e pranonte transfuzionin dhe ndoqi rrugën ligjore që të mbronte të drejtën për të zgjedhur trajtimin. Më 24 qershor 2015 Gjykata e Lartë e Namibisë përkrahu vendimin e saj duke pohuar se «e drejta për të vendosur për trupin tonë, pavarësisht nëse jemi prindër ose jo, është një e drejtë e pamohueshme». Motër Semente tha: «E ndiem dorën e Jehovait si kurrë më parë. Është e mrekullueshme të jesh pjesë e kësaj vëllazërie. Jehovai na do vërtet.»

  •   Dëshmitarët në Zvicër kanë dhënë dëshmi publike në rrugët e qyteteve kryesore. Por, qyteti i Gjenevës nxori një urdhër që ndalonte përdorimin e «stendave që ofronin drejtpërdrejt ose jo informacione me natyrë fetare në vende publike». Dëshmitarët bënë ankesë pranë gjykatës ku theksonin se kjo masë me shtrirje të gjerë «përbën shkelje serioze të lirisë së fesë dhe të mendimit». Gjykata ra dakord dhe Dëshmitarët kanë pasur një bashkëpunim të frytshëm me autoritetet lokale për të përcaktuar një vend dhe orar të përshtatshëm për dëshminë publike me anë të stendave.

  • Autoritetet në Azerbajxhan kanë shtuar përpjekjet për të penguar veprimtaritë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. Ministria e Sigurisë Kombëtare thërret shpesh Dëshmitarë për t’i marrë në pyetje. Ky institucion kontrollon edhe në shtëpitë e Dëshmitarëve për botime fetare që janë ndaluar të futen në vend. Komuniteti ndërkombëtar u trondit kur në shkurt të 2015-s punonjës të kësaj ministrie arrestuan dy Dëshmitare, Irina Zaharçenkon dhe Valida Jabrajilovën, vetëm sepse po flitnin me fqinjët për mësimet biblike. Edhe pse ky keqtrajtim na  trishton, jemi të kënaqur që lajmëtarët në Azerbajxhan nuk e kanë humbur zellin dhe me guxim po u japin të tjerëve ‘lajmin e mirë për mbretërinë’.Mat. 24:14.

  • Rusia po i pengon pa pushim veprimtaritë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait atje. Deri më tani Federata Ruse ka shpallur «ekstremiste» 80 botime fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo do të thotë se shpërndarja dhe mbajtja e këtyre botimeve «ekstremiste», si Libri im i tregimeve biblike, janë të jashtëligjshme. Për më tepër, në dhjetor 2014 Gjykata e Lartë e Federatës Ruse deklaroi si «ekstremist» edhe sitin tonë jw.org. Kompanitë që ofrojnë shërbim Interneti në mbarë Rusinë kanë bllokuar hyrjen në jw.org, dhe reklamimi i këtij siti konsiderohet i jashtëligjshëm. Që nga marsi i vitit 2015 punonjësit e doganës nuk kanë lejuar që të hyjë në vend literatura e Dëshmitarëve, madje as Bibla dhe as botime të tjera që gjykatat ruse i kanë shqyrtuar dhe i kanë cilësuar joekstremiste.

Vazhdojnë procedurat ligjore në qytetin e Taganrogut, ku autoritetet kanë paditur 16 lajmëtarë për «krimin» e organizimit dhe të frekuentimit të mbledhjeve fetare. Në qytetin e Samarës, autoritetet morën një urdhër gjykate që të mbyllnin entin tonë ligjor me pretekstin se është «ekstremist». Pavarësisht nga gjithë këto pengesa, motrat e vëllezërit tanë në Rusi janë të vendosur të mos dorëzohen, por t’i japin «Perëndisë gjërat e Perëndisë».Mat. 22:21.