«ZEMRA po më gufon nga gëzimi»,—tha një motër gjatë programit të kushtimit të degës së Madagaskarit, që u mbajt të shtunën më 24 janar 2015. Ajo dhe 583 të ftuarit e tjerë u emocionuan shumë kur panë godinën e re të banimit me 19 dhoma, si edhe sallën e ngrënies të zgjeruar dhe kuzhinën e rinovuar. U zgjerua edhe pjesa e zyrave për Repartin e Shërbimit, Repartin e Financës dhe Repartin Vendës të Projektim-Ndërtimit. U ndërtuan studio të reja për audio-videon dhe filloi përkthimi në gjuhën e shenjave dhe transkriptimi në braile. Pasi dëgjuan një përmbledhje të historisë së veprës së predikimit në Madagaskar, të ftuarit u kënaqën me fjalimin e kushtimit nga Mark Sandersoni i Trupit Udhëheqës.

Godina e re e banimit me 19 dhoma, dega e Madagaskarit

 Populli i Jehovait në Xhakartë, Indonezi, u lehtësua kur ujërat e përmbytjes ranë në kohë për kushtimin e godinave të reja të zyrës së degës më 14 shkurt 2015. Zyra e degës tani zë një kat në një ndërtesë zyrash 42-katëshe dhe 12 kate me apartamente në një pallat të lartë aty afër. Disa reparte të Bethelit ndodhen në ndërtesa më të vogla po afër. Fjalimin e kushtimit e mbajti Entoni Moris nga Trupi Udhëheqës dhe të nesërmen 15.257 veta u mblodhën në një stadium për të dëgjuar fjalimin «Vazhdoni të qëndroni në veprën që është e mirë!» Programin e ndoqën drejtpërdrejt me video edhe 11.189 veta në 41 vende të tjera, prandaj mund të quhet mbledhja më e madhe e popullit të Jehovait në Indonezi. Ronald Xhaka, një nga misionarët e parë në Indonezi, tha: «Kur arrita në 1951-shin, kishte vetëm 26 lajmëtarë në mbarë vendin. Kurse sot, në këtë program special kanë ardhur mbi 26.000 veta. Jehovai e ka bekuar vërtet popullin e tij në Indonezi!»