TEKSA agonte viti 1916, Lufta e Madhe, që më vonë u bë e njohur si Lufta I Botërore, po bënte kërdinë nga më se një vit. Ishte e llahtarshme të shihje nga të dyja palët njerëz që humbnin jetën.

Kulla e Rojës e 1 janarit 1916 thoshte: «Lufta e madhe evropiane i ka bërë disa të mendojnë për Perëndinë dhe për të ardhmen.» I njëjti artikull vazhdonte: «Të mos i nënvlerësojmë privilegjet e mundësitë tona që të mos na mpaket zemra, por të kemi zell për Perëndinë dhe për Mesazhin e Tij.»

Shkrimi i vitit 1916 i nxiste vëllezërit të qëndronin «të fortë në besim», sipas Romakëve 4:20 në Biblën King James. Mjaft nga Studentët e Biblës ia vunë veshin dhe korrën bekime të shumta nga Jehovai.

Inkurajim nga pelegrinët

Përfaqësuesit udhëtues të Shoqatës Watch Tower, të njohur si pelegrinë, udhëtonin qytet më qytet për të inkurajuar  e për të mësuar Studentët e Biblës. Në vitin 1916 të paktën 69 pelegrinë bënë afro një milion kilometra në këtë caktim.

Në një fjalim gjatë një kongresi në Norfolk të Virxhinias, pelegrini Uollter Thorn e krahasoi luftën e të krishterit me Luftën e Madhe: «Sipas llogarive, tani janë në luftë 20-30 milionë ushtarë. . . . Por, bota nuk e di se ka edhe një grup tjetër [ushtarësh]. Janë ushtarët e Zotit, dhe, ashtu si burrat e Gideonit, edhe ata po luftojnë, ndonëse jo me armë të mirëfillta. Po luftojnë për të vërtetën dhe për drejtësinë, po bëjnë luftën e drejtë të besimit.»

Shërbejnë me gjithë sfidat e luftës

Në Francë, në betejën e parë të Somës që u zhvillua në gjysmën e dytë të vitit 1916, u vranë ose u plagosën mbi një milion burra. Në vende të tjera të Francës, vëllezër të palodhur mbështetnin klasat, ose kongregacionet, edhe pse ishte e vështirë për shkak të luftës. Në Kullën e Rojës  të 15 janarit 1916 u botua një letër nga Zhozef Lëfevrë, një student i Biblës që e detyruan të ikte nga qyteti i tij, Dëné i Francës, kur e pushtuan trupat gjermane në vitin 1914. Ai mori udhën për në jug drejt Parisit dhe nisi të shoqërohej me të vetmen klasë të Studentëve të Biblës në atë qytet. Pavarësisht nga shëndeti i dobët, shumë shpejt filloi t’i drejtonte të gjitha mbledhjet.

Më vonë Zhozefi u bashkua me Tiofil Lekimin që po ashtu kishte ikur nga qyteti i Dënesë. Në fillim vëlla Lekimi kishte shkuar në Oshel të Francës ku kishte nisur të përkthente artikuj të Kullës së Rojës e t’ua dërgonte me postë vëllezërve në pjesë të tjera të papushtuara të vendit. Mirëpo, autoritetet ushtarake filluan të dyshonin për veprimtaritë e tij dhe e detyruan të largohej nga Osheli. Për vëlla Lëfevrë, ardhja e Tiofilit ishte përgjigjja e lutjeve të tij.

Puna e tyre në Paris u shpërblye. Vëlla Lëfevrë raportonte: «Tani kemi një klasë me rreth 45 veta. . . . Shumë kanë provuar sa bukur e çfarë privilegji është t’i kushtohesh Perëndisë dhe po ecin me hapa gjigantë në të vërtetën. Thuajse të gjithë pjesëtarët marrin pjesë në mbledhjen javore të dëshmisë (ku tregoheshin përvoja).»

Qëndruan asnjanës

Gjatë luftës që s’mbaronte, shumë vëllezër u përballën me çështjen e asnjanësisë. Në Britaninë e Madhe doli neni për shërbimin ushtarak sipas të cilit çdo burrë i moshës 18-40 vjeç ishte i detyruar të rekrutohej. Megjithatë, mjaft Studentë të Biblës e mbajtën asnjanësinë pa u lëkundur.

Për shembull, Kulla e Rojës e 15 prillit 1916 botoi një letër të U. O. Uordenit nga Skocia. Ai thoshte: «Njëri nga djemtë e mi sapo ka mbushur 19 vjeç. Deri tani ka dhënë një dëshmi të shkëlqyer për Zotin duke mos pranuar të shkojë ushtar, dhe nëse vjen puna deri aty sa ta pushkatojnë për  këtë, kam besim se Jehovai do ta ndihmojë të qëndrojë i patundur ndaj normave të së vërtetës dhe të drejtësisë.»

Xhejms Frederik Skotin, një përhapës të ri në moshë nga Edinburgu i Skocisë, e hodhën në gjyq ngaqë nuk pranoi të futej në radhët e ushtrisë. Por, pasi gjykata dëgjoi të gjitha dëshmitë, nxori përfundimin se vëlla Skoti «bënte përjashtim nga ligji për ushtrinë» dhe e shpalli të pafajshëm.

Megjithatë, shumë të tjerë nuk i klasifikuan në këtë kategori. Në shtator, nga 264 vëllezërit që bënë kërkesë për përjashtim nga ligji për ushtrinë, 23 u caktuan të kryenin shërbime ku nuk u duhej të luftonin. Kurse pjesës tjetër, disa prej të cilëve «u ndëshkuan në forma të ndryshme», iu kërkua të kryenin «punë me rëndësi kombëtare, si në ndërtim rrugësh, në gurore etj», siç citonte Kulla e Rojës e 15 tetorit 1916. Vetëm pesë vëllezër u përjashtuan nga shërbimi ushtarak.

Vdes Çarls Tejz Rasëlli

Më 16 tetor 1916 Çarls Tejz Rasëlli, që në atë kohë merrte drejtimin mes Studentëve të Biblës, u nis për një sërë fjalimesh në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, por s’arriti të kthehej në shtëpi. Pasdreken e së martës, më 31 tetor, vëlla Rasëlli vdiq në moshën 64-vjeçare ndërsa udhëtonte me tren në Pampë të Teksasit.

Shumë nga vëllezërit nuk e imagjinonin dot që dikush tjetër të zinte vendin e vëlla Rasëllit. Testamenti i tij, që u botua në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 1916, bënte të qartë dëshirat e tij për veprën që kishte drejtuar për aq kohë. Megjithatë, mbetej ende pyetja: «Kush do ta zinte vendin e tij?»

Kjo pyetje do të merrte përgjigje në mbledhjen vjetore të organizatës Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, që do të mbahej në fillim të vitit 1917. Të pranishmit votuan dhe rezultati ishte unanim. Por, gjatë muajve vijues ky unanimitet nuk do të zgjaste shumë dhe vëllezërit do të hasnin sprova të mëdha.