Vendi: Indonezia është arkipelagu më i madh në botë dhe shtrihet në të dyja anët e ekuatorit, mes Australisë dhe Azisë kontinentale. Në shumicën e ishujve të saj, që janë mbi 17.500, spikatin male të ashpra dhe pyje të dendura tropikale. Gjithashtu ka mbi 100 vullkane aktive, dhe kjo e bën rajonin vullkanik më aktiv në tokë.

Popullsia: Indonezia renditet e katërta në botë për nga popullsia (pas Kinës, Indisë dhe Shteteve të Bashkuara) dhe ka mbi 300 grupe etnike. Grupet etnike të javanezëve e të sundanezëve përbëjnë më tepër se gjysmën e popullsisë.

 Feja: Rreth 90 për qind e indonezianëve janë myslimanë. Pjesa tjetër janë kryesisht hinduistë, budistë dhe njerëz që pohojnë se janë të krishterë. Gjithashtu, mjaft veta ndjekin traditat fetare indigjene.

Gjuha: Në mbarë arkipelagun fliten më se 700 gjuhë. Gjuha e përbashkët kombëtare është ajo indoneziane, e cila vjen nga gjuha malaje. Në shtëpi shumica e njerëzve flasin dialektin e zonës.

Jetesa: Shumë njerëz janë fermerë ose tregtarë të vegjël. Vendi përmban rezerva të pasura mineralesh, druri, nafte dhe gazi natyror, si edhe është ndër eksportuesit kryesorë të kauçukut e të vajit të palmës.

Ushqimi: Ushqimi bazë është orizi. Vaktet më të pëlqyera përfshijnë nasi goréng (oriz i skuqur me vezë e perime), satay (shishqebap skare) dhe gado-gado (sallatë me salcë kikiriku).

Klima: E nxehtë dhe e lagësht. Erërat e musoneve shkaktojnë dy stinë: të lagësht e të thatë. Shtrëngatat janë të zakonshme.