Në fillim të vitit 1942 Indonezinë e mbërtheu fort dara shkatërrimtare e ushtrisë japoneze. Shumë vëllezër u detyruan të bënin punë krahu skllavëruese, si ndërtim rrugësh e hapje kanalesh. Të tjerë i internuan në kampe burgimi të fëlliqura dhe i torturuan, ngaqë nuk pranonin të përkrahnin luftën. Të paktën tre vëllezër vdiqën në burg.

Xhoana Harpi me dy vajzat dhe Beti Godenci, një mikeshë e familjes (në mes)

Xhoana Harpi, një motër me origjinë holandeze që jetonte në një fshat të thellë malor në Javën Lindore, arriti t’u shpëtonte kampeve dy vitet e para të luftës. Bashkë me tre fëmijët adoleshentë e shfrytëzoi lirinë  për të përkthyer nga anglishtja në holandisht librin Shpëtimi dhe disa revista Kulla e Rojës. * Pastaj, botimet e përkthyera kopjoheshin e u shpërndaheshin fshehurazi Dëshmitarëve anekënd Javës.

Ata pak Dëshmitarë që ishin ende të lirë, mblidheshin në grupe të vogla dhe predikonin me kujdes. Jozefinë Eliasi (më parë Tani) thoshte: «Isha gjithnjë në kërkim të rasteve për të folur për të vërtetën. Kur shkoja në shtëpitë e të interesuarve, merrja me vete një kuti shahu, që të tjerët të mendonin se po luanim.» Feliks Tani me të shoqen predikonin shtëpi më shtëpi duke u hequr sikur shisnin sapunë. Feliksi thoshte: «Shpesh na ndiqnin spiunët Kempeitai, policia ushtarake japoneze që ngjallte shumë frikë. Për të shmangur dyshimet, shkonim te studentët e Biblës në orare të ndryshme. Gjashtë prej tyre ecën mirë dhe u pagëzuan gjatë luftës.»

Përçarje në Xhakartë

Ndërsa vëllezërit përshtateshin me vështirësitë e luftës, pa kaluar shumë, hasën një tjetër sprovë të rëndë. Autoritetet japoneze dhanë urdhër që gjithë të huajt (përfshirë kinezo-indonezianët) të regjistroheshin e të mbanin kartë identiteti me një betim besnikërie ndaj Perandorisë Japoneze. Mjaft vëllezër pyetnin veten: «Duhet të regjistrohemi e të firmosim kartën e identitetit apo duhet të refuzojmë?»

Jozefinë Eliasi me të vëllanë, Feliksin

Feliks Tani shpjegonte: «Vëllezërit në Xhakartë na nxitën ne në Sukabumi të mos e firmosnim kartën e identitetit. Por ne u kërkuam autoriteteve nëse mund ta ndryshonim fjalinë në kartë nga ‘i nënshkruari betohet për besnikëri ndaj’ në ‘i nënshkruari nuk do t’i  bëhet pengesë’ ushtrisë japoneze. Për habinë tonë pranuan, kështu që të gjithë morëm karta. Kur vëllezërit në Xhakartë e morën vesh vendimin tonë, na quajtën apostatë dhe i ndërprenë marrëdhëniet me ne.»

Mjerisht, shumica e këtyre vëllezërve tepër striktë në Xhakartë u arrestuan dhe hoqën dorë nga e vërteta. Një vëlla që nuk bëri kompromis me zyrtarët për të ndryshuar formulimin në kartë, përfundoi në burg me Andrea Eliasin. Andrea tha: «Arsyetova me të për çështjen e regjistrimit dhe e ndihmova të kishte një pikëpamje më të ekuilibruar. Me përulësi kërkoi falje që i kishte ndërprerë marrëdhëniet me ne. Pastaj u kënaqëm jashtë mase duke i dhënë zemër njëri-tjetrit, por mjerisht ai vdiq nga kushtet e këqija të burgut.»

Merdeka!

Kur lufta mbaroi në vitin 1945, vëllezërit e motrat mezi pritnin të vazhdonin me veprën e predikimit. Një vëlla që e kishin burgosur e torturuar, i shkroi zyrës së  degës në Australi: «Ja ku jam sërish pas katër vitesh rraskapitëse, i pathyer e akoma me të njëjtën mendje. Gjatë gjithë peripecive që kalova, nuk i harrova kurrë vëllezërit. A mund të më dërgoni disa libra, ju lutem?»

Pa kaluar shumë, në vend arritën botimet aq të dëshiruara; në fillim nga pak e pastaj me dërgesa më të mëdha. Një grup prej dhjetë lajmëtarësh në Xhakartë rifilluan përkthimin e botimeve në indonezisht.

Më 17 gusht 1945 udhëheqësit e lëvizjes së pavarur të Indonezisë e shpallën Indonezinë republikë të pavarur, duke shkaktuar kështu një revolucion katërvjeçar kundër sundimit kolonial holandez. Nga kaosi që erdhi si pasojë, dhjetëra mijë veta vdiqën dhe mbi shtatë milionë u dëbuan.

Gjatë gjithë revolucionit, vëllezërit e vazhduan predikimin shtëpi më shtëpi. Jozefinë Eliasi tha: «Patriotët u përpoqën të na detyronin të thërritnim sloganin e tyre të luftës ‘Merdeka’, që do të thotë ‘Liri’. Por u thamë se nuk përziheshim në çështje politike.» Holandezët që e mbanin prej kohësh sovranitetin e kolonisë, më 1949 ia dorëzuan Republikës së Shteteve të Bashkuara të Indonezisë (tani Republika e Indonezisë). *

Në vitin 1950 vëllezërit në Indonezi kishin përballuar afro dhjetë vjet plot konflikte. Por tani i priste një punë kolosale. Si do t’ua jepnin lajmin e mirë miliona e miliona njerëzve në Indonezi? Nga pikëpamja njerëzore, dukej e pamundur. Megjithatë, me besim të plotë, vëllezërit ngulmuan, të sigurt se Jehovai ‘do të dërgonte punëtorë në të korrat e tij’. (Mat. 9:38) Dhe pikërisht këtë bëri Jehovai.

^ par. 2 Vajza e vogël e motër Harpit, Hermina (Mimi), ndoqi shkollën e Galaadit pas luftës dhe u kthye në Indonezi si misionare.

^ par. 3 Holandezët vazhduan të qeverisnin Papuan Perëndimore (në atë kohë Guineja e Re Perëndimore) deri në vitin 1962.