Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 INDONEZIA

Lajmi i mirë shkon në lindje

Lajmi i mirë shkon në lindje

Në 1953-shin Piter Vanderhakeni u caktua në veprën qarkore në Indonezi. Qarku i tij përfshinte të gjithë vendin dhe shtrihej rreth 5.100 km nga lindja në perëndim dhe 1.800 km nga veriu në jug. Ndërsa përshkonte këtë territor të paanë, shpesh kishte përvoja që të rrëqethnin mishin.

Piter Vanderhakeni

Në vitin 1954 vëlla Vanderhakeni udhëtoi në pjesën lindore të Indonezisë, ku kishte fe të ndryshme. Për shembull, pjesa dërrmuese në ishujt Bali ishin hinduistë, në Lombok dhe Sumbavë myslimanë, në Flores katolikë dhe në Sumbë, Alor e Timor protestantë. Rrugës për në Kupang, kryeqyteti i Timorit, me një varkë rrangallë, ndalonte nëpër ishuj për të predikuar  shkurtimisht. Ai kujtonte: «Predikova në Timor për dy javë. Edhe pse binte shumë shi, i shpërndava të gjitha botimet që kisha, mora 34 abonime për revista dhe fillova disa studime biblike.» Më pas pionierët specialë vazhduan të kujdeseshin për të interesuarit dhe formuan një kongregacion në Kupang. Nga aty, lajmi i mirë u përhap në ishujt e afërt Roté, Alor, Sumbë dhe Flores.

Kur kleri protestant në Kupang pa se kopetë e veta po ua vinin veshin Dëshmitarëve të Jehovait, u tërbua nga xhelozia. Një nga krerët e klerit i dha urdhër Tomas Tubulaut, një teneqepunues i moshuar me një dorë, që ta ndërpriste studimin me Dëshmitarët dhe e kërcënoi se, po t’u fliste akoma të tjerëve për atë që kishte mësuar, do të derdhej gjak. Tomasi iu përgjigj pa frikë: «Asnjë të krishteri nuk do t’ia nxinte goja ato që sapo the. S’kam për të shkelur më në kishën tënde.» Tomasi u bë lajmëtar i zellshëm i Mbretërisë dhe e bija u bë pioniere speciale.

Por, kleri në Timor ishte i vendosur t’i hiqte qafe Dëshmitarët e Jehovait. Në vitin 1961, duke i bërë presion Departamentit të Çështjeve Fetare dhe autoriteteve ushtarake të zonës, arriti ta ndalonte predikimin shtëpi më shtëpi. Kështu vëllezërit thjesht përshtatën metodat e predikimit. Flitnin me njerëzit nëpër tregje e puse, me peshkatarët që nxirrnin në breg rrjetat me peshq dhe me ata që pastronin varret e familjarëve. Një muaj më pas, autoritetet ushtarake lëshuan pe dhe njoftuan në radio lirinë fetare për të gjitha fetë në Timor. Kur Departamenti i Çështjeve Fetare këmbënguli se predikimi shtëpi më shtëpi ishte ende i ndaluar, vëllezërit u kërkuan ta dokumentonin me shkrim pohimin e tyre. Por,  zyrtarët nuk pranuan. Pas kësaj vëllezërit rifilluan të predikonin shtëpi më shtëpi pa pengesa.

Edhe misionarët Pit e Nel de Jager dhe Hans e Suzi van Vurè që mbërritën në Papua në 1962-shin, hasën kundërshtime nga kleri i krishterimit. Tre prej krerëve të tyre u ballafaquan me misionarët dhe i urdhëruan të predikonin tjetërkund. Nga katedra e kishës, në botime dhe në radio kleri i akuzonte pa të drejtë Dëshmitarët e Jehovait për agjitacion kundër qeverisë. Madje, anëtarëve të kishave që fillonin të studionin me misionarët u prishnin mendjen, i kërcënonin ose i paguanin. U bënin presion kryepleqve të komuniteteve të dilnin kundër veprës së predikimit.

Por kjo doli në dëm të tyre kur një kryeplak ftoi një nga misionarët të fliste para fshatit të tij. Hansi kujtonte: «Pasi kryeplaku mblodhi fshatin, unë dhe Piti mbajtëm dy fjalime të shkurtra ku shpjeguam veprën tonë. Pastaj, gratë tona demonstruan se si do të trokitnim në derën e tyre, se do të pranonim ftesën për të hyrë brenda dhe do t’u jepnim një mesazh të shkurtër nga Bibla. Kryeplaku dhe njerëzit e tij e pritën mirë prezantimin tonë dhe na lejuan të vazhdonim predikimin lirisht.»

Ky dhe raste të tjera patën rezultate të ngjashme. Rrallë ndodhte që myslimanët të kundërshtonin veprën e predikimit. Kundërshtimi vinte gjithmonë nga kleri i krishterimit, siç ndodh edhe sot e kësaj dite.

‘Përpara guvernatorëve . . . që të jepnin dëshmi’

Jezui u tha dishepujve: «Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve.» (Mat. 10:18) Këto fjalë kanë dalë vazhdimisht të vërteta në Indonezi.

 Më 1960 një teolog i njohur holandez në Xhakartë botoi një libër që i paraqiste Dëshmitarët e Jehovait si të krishterë të rremë. Ky libër nxiti shumë klerikë të bashkoheshin në luftën kundër Dëshmitarëve. Për shembull, në një qytet kleri i shkroi Ministrisë së Çështjeve Fetare se Dëshmitarët «po çoroditnin anëtarët e kishës». Kur zyrtarët i ftuan vëllezërit t’u përgjigjeshin akuzave, ata paraqitën fakte dhe dhanë dëshmi të mirë. Një përfaqësues i shtetit për fenë e këshilloi kolegun e vet: «Lëri rehat Dëshmitarët e Jehovait. Ata po zgjojnë protestantët e përgjumur.»

Duke shkarkuar librat Parajsa, 1963

Në vitin 1964 një grup klerikësh protestantë në Papua i bëri thirrje Komitetit Parlamentar për Çështjet Fetare  dhe Sociale që të ndalonte veprën e Dëshmitarëve të Jehovait. Nga ana tjetër, zyra e degës bëri kërkesë të dilte para këtij komiteti që të mbrohej. Tagor Hutasoiti tha: «Folëm para komitetit për afro një orë dhe u shpjeguam mirë veprën tonë të arsimimit biblik. Një politikan kundërshtar, protestant, na akuzoi pa të drejtë se kishim trazuar qetësinë fetare në Papua. Por, shumica e anëtarëve myslimanë të komitetit u treguan të kuptueshëm. Ata na thanë: ‘Kushtetuta garanton lirinë fetare, kështu që keni të drejtën të predikoni.’» Pas këtij takimi, një nga zyrtarët e lartë në Papua deklaroi: «Qeveria e re . . . përkrah lirinë e fesë dhe kjo vlen edhe për të sapoardhurit në këtë fushë.»