MË 15 DERI 18 gusht 1963 qindra lajmëtarë nga i gjithë vendi dhe 122 vizitorë nga e gjithë bota u mblodhën në qytetin e Bandungut, në Javën Perëndimore. Kishin ardhur për të ndjekur kongresin «Lajmi i mirë i përhershëm», kongresin e parë ndërkombëtar në Indonezi.

Gjatë përgatitjeve për këtë rast, vëllezërit duhej të kapërcenin një sërë pengesash. Për shkak të festimeve për Ditën e Pavarësisë, iu desh të ndryshonin tri herë vendin e kongresit. Kur autoritetet ngritën 400-fish çmimin e transportit për shkak të rritjes së inflacionit, disa delegatë thjesht gjetën mënyra të tjera për të udhëtuar. Një vëlla eci gjashtë ditë për të shkuar në kongres. Shtatëdhjetë delegatë nga Celebesi udhëtuan për pesë ditë në kuvertën e zbuluar të anijeve të mbushura dëng me njerëz.

Në kongres, delegatët indonezianë u rrëqethën kur takuan motra e vëllezër të krishterë nga vende të tjera, madje edhe dy anëtarë nga Trupi Udhëheqës, Frederik Francin dhe Grent Sutërin. Një delegat u shpreh: «Vëllezërit këtu duken kaq të lumtur; i sheh vetëm të qeshur e buzagaz.»

Në këtë kongres ishin mbi 750 të pranishëm dhe u pagëzuan 34 veta. Ronald Xhaka tha: «Kjo mbledhje historike i nxiti shumë nga të interesuarit të merrnin anën e së vërtetës. Vëllezërve vendës u ndezi entuziazmin për veprën e Perëndisë.»

Ronald Xhaka (djathtas) duke mbajtur fjalim në kongresin e vitit 1963 «Lajmi i mirë i përhershëm», dhe përkthyesi