• VENDE 29

  • POPULLSIA 40.208.390

  • LAJMËTARË 97.583

  • STUDIME BIBLIKE 64.675

Lanë pako literature

Në shumë ishuj të Mikronezisë predikohet rrallë, kështu që një grup lajmëtarësh në Ishujt Marshall planifikuan të bënin një udhëtim dyjavor me anije. U nisën nga ishulli i Majuros, arritën në ishujt e Vatjes dhe të Ormedit në atolin Vatje.

Para se të nisej, grupi kishte përgatitur pako literature që t’u jepte dëshmi sa më shumë  vetave. Secila prej tyre kishte katër revista dhe dy broshura. Meqë lajmëtarët s’e dinin kur do të riktheheshin, u lanë nga një pako të interesuarve dhe i nxitën ta ndanin literaturën me familjarë e miq. Gjatë udhëtimit dyjavor, lajmëtarët lanë gjithsej 531 broshura, 756 revista dhe 7 libra.

«Faleminderit që nuk na harruat!»

Në shkurt 2014 gjashtë Dëshmitarë nga Papua Guineja e Re bënë një udhëtim predikimi dhjetëditor për në fshatrat e ishullit vullkanik të Kerkerit. Gjetën mjaft të interesuar dhe lanë 1.064 botime. Një motër me emrin Relvi tha: «Ditën e parë të shërbimit ishim ende në predikim kur ora kishte vajtur 15.00. Na ishin boshatisur shishet e ujit, na ishin lodhur nofullat dhe na ishin tharë buzët nga të folurit pa pushim. Po flisja me një vajzë të re. Doja t’i lexoja një shkrim, por s’arrija sepse isha tejet e etur. Pikërisht atëherë më ofroi ujë.»

Natën para se të largoheshin morën pjesë në një mbledhje të madhe me vendësit, ku ishin të pranishëm edhe udhëheqës të kishës. Relvi kujton: «U ndjeva si Stefani kur duhej të mbronte të vërtetën para Sinedrit, megjithëse auditori ynë ishte miqësor.» Pasi gjashtë lajmëtarët mbaruan së foluri, koordinatorja e shkollës luterane të së dielës u ngrit dhe falënderoi tezen e saj, e cila ishte pjesë e atij grupi lajmëtarësh që çuan të vërtetën atje. Ajo tha: «Shembulli juaj i shkëlqyer është si ai i gruas samaritane që  vajti e i tregoi familjes për gjërat e mira që kishte dëgjuar nga Jezui. Faleminderit që nuk na harruat!»

Shumë i vogël për të predikuar?!

Kiribati: Teariki dhe Tuesi

Një mëngjes, Teariki, një djalosh shtatëvjeçar në ishullin Teravë, pjesë e Kiribatit, po predikonte me të atin, Tuesin, kur hynë në një shtëpi e takuan një grup me rreth dhjetë veta në të 20-at. Pasi i ati u foli për mesazhin e Mbretërisë, njëri prej tyre i tha Tuesit: «Shohim se të gjithë ju predikoni me kalamajtë. Pse i detyroni të vijnë me ju? Janë kaq të vegjël për të folur për Zotin.»

Tuesi u përgjigj: «Ke qejf të shohësh nëse çuni im është i aftë? Unë po dal përjashta e ju dëgjojeni vetë.» Grupi ia ktheu njëzëri: «Po, do të na pëlqente.»

Pasi Tuesi doli, Teariki pyeti grupin: «A e dini emrin e Zotit?»

Njëri prej tyre tha se Zoti quhej «Jezu», një tjetër «Zot» dhe një i tretë «Zotëri».

Teariki u tha: «Le të shohim ç’tregon Bibla. Lexojmë së bashku Isainë 42:5.» Pasi lexoi shkrimin, i pyeti: «Për kë flet ky shkrim?»

Një e re u përgjigj: «Për Zotin.» Teariki vazhdoi: «Po, për Zotin e vërtetë. Të lexojmë vargun 8. Ja çfarë na tregon Zoti i vërtetë: ‘Unë jam Jehovai. Ky është emri im. Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër.’ E patë si quhet Zoti?»

Grupi u përgjigj: «Jehova.»

Tani që të gjithë ishin gjithë sy e veshë, Teariki i pyeti: «Pse duhet ta përdorim emrin e Zotit, Jehova? Hapim Veprat 2:21 për ta zbuluar. ‘Kushdo që thërret  emrin e Jehovait, do të shpëtojë.’ Atëherë, pse duhet ta përdorim emrin e Zotit?»

Një e re nga grupi tha: «Që të shpëtojmë.»

Në këtë moment hyri prapë babai i Tearikit. Pastaj pyeti grupin: «Si mendoni tani? Ju duken të aftë për të predikuar kalamajtë tanë? A ju duket e drejtë t’i marrim me vete?» Grupi ra dakord njëzëri se fëmijët ishin tepër të aftë dhe se ishte e drejtë të predikonin. Më pas Tuesi i nxiti: «Edhe ju mund të flitni për të vërtetat e Biblës ashtu si Teariki, nëse mësoni çfarë përmban ajo.»

 Lajmi i mirë arrin në një fshat malor

Në nëntor 2013 Zhan-Pieri që punon në një zyrë përkthimi në zonën e largët të Port-Vilës në Vanuatu, udhëtoi me avion për në ishullin ku ka lindur, për të ndjekur një asamble qarkore. Kur u ul në pistën e aviacionit të ishullit, iu afrua një grup të interesuarish nga jugu i ishullit dhe i kërkuan literaturë biblike. Ai shpërndau thuajse të gjitha revistat që kishte marrë me vete. Pastaj i kërkoi literaturë edhe një udhëheqës fetar. Ky e nxiti të shkonte në fshatin e tij: «Kemi shumë nevojë të mësojmë për Zotin. Duhet të vish në fshat e t’u përgjigjesh të gjitha pyetjeve tona.» Ditën pas asamblesë, në mëngjes herët Zhan-Pieri mori rrugën e gjatë drejt një mali të thepisur. Në fund arriti majën e malit ku ndodhej fshati i thellë. Kur banorët e fshatit e mirëpritën, Zhan-Pieri trajtoi temën nga Lajmërim i Mbretërisë nr. 38: «A mund të ringjallen të vdekurit?» I nxiti gjithë të pranishmit, rreth 30 veta, që ta ndiqnin me Biblën e tyre. Diskutimi zgjati thuajse shtatë orë. Ata kishin vërtet nevojë të mësonin për Zotin! Një 70-vjeçar tha: «Në gjithë jetën time kurrë s’kam dëgjuar një shpjegim kaq të qartë për të vdekurit.»

Zhan-Pieri e kaloi natën në fshat dhe ndenji në një dhomë me pastorin. Kur u zgjua, pa që pastori po lexonte revistat tona. Zhan-Pieri e pyeti ç’argument po lexonte dhe i kënaqur ai i tha se po lexonte për Mbretërinë e Perëndisë. Kuptoi se Mbretëria e Perëndisë nuk ishte në zemrat e farisenjve, kështu ajo nuk ka si të jetë në zemrën e dikujt, siç mësonte kisha e tij. (Luka 17:21) Tani që Zhan-Pieri është kthyer në  Port-Vilë, vazhdon të ndjekë interesin në fshat nëpërmjet telefonit. Tre vëllezër nga një kongregacion aty afër dolën vullnetarë që të mbanin në atë fshat Përkujtimin, ku morën pjesë 109 veta.

Vanuatu