• VENDE 57

  • POPULLSIA 980.780.095

  • LAJMËTARË 4.034.693

  • STUDIME BIBLIKE 4.339.285

Jetimët ndjekin mbledhjet

Anxhela, e cila jeton në Surinam, vizitoi një jetimore pranë shtëpisë së saj. Drejtoresha e jetimores ishte një motër joaktive, kështu që nuk ngurroi t’i jepte leje Anxhelës t’u fliste fëmijëve për të vërtetën. Anxhela foli me 85 fëmijë dhe u tregoi video nga siti jw.org. Si rezultat nisi të studionte me shumë prej tyre. Me të u bashkuan  edhe dy pioniere dhe secila kishte nga një grup studimi. Motra joaktive tha se u kishte mësuar fëmijëve këngë nga njëri prej librave tanë të këngëve dhe u lexonte tregime biblike mbrëmjeve. Ajo shprehu dëshirën të ndiqte mbledhjet, por s’i linte dot vetëm 85 fëmijët në jetimore. Si rrjedhojë, u morën masa që të vinin të gjithë së bashku në Sallën e Mbretërisë. Meqë jetimorja ishte aq afër Sallës së Mbretërisë sa mund të ecje më këmbë, vëllezërit i shoqëruan vetë për në sallë. Tani motra dhe 85 fëmijët shkojnë rregullisht në mbledhje.

Gabrieli ndihmoi gjyshin

Paraguai: Gabrieli duke folur me gjyshin

Rrugës kur po kthehej nga një kongres në Paraguai, Gabrieli gjashtëvjeçar po mendonte thellë sa rëndësi ka predikimi për Mbretërinë. Teksa mendonte, u kujtua sa shumë i pëlqente të ishte në Parajsë me një njeri të shtrenjtë, me gjyshin. Por, gjyshi nuk kishte treguar kurrë interes për të vërtetën, madje i kishte kundërshtuar gruan e fëmijët, të cilët janë Dëshmitarë.

Po atë ditë, Gabrieli u kërkoi prindërve t’u telefononin me anë të Internetit gjyshërve që jetonin në Argjentinë. Ai i shpjegoi gjyshit pse ishte aq e rëndësishme të studionte Biblën dhe e pyeti troç: «Gjysh, a ke qejf të studiosh me mua?» Ai pranoi. Gabrieli sugjeroi të studionin broshurën Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë. Për pak muaj studiuan së bashku broshurën. Meqenëse të dy e kishin të vështirë të  lexonin rrjedhshëm, e praktikonin mësimin që më përpara. Sa herë që kishin studimin, Gabrieli përgatiste mësimin përkatës dhe vishej me këmishë e kollare.

Më vonë gjyshërit vendosën të vizitonin familjen e Gabrielit për ca javë. Gjatë kësaj kohe gjyshi ndoqi mbledhjet me ta. Kur u kthye në Argjentinë, vazhdoi studimin e Biblës me një vëlla atje, përparoi dhe u bë lajmëtar i papagëzuar. Tani gjyshërit e Gabrielit luten së bashku çdo ditë. Edhe Gabrieli i vogël ka përparuar shkëlqyeshëm. Edhe ai është lajmëtar i papagëzuar. Gjyshi do që ta simbolizojë kushtimin ndaj Jehovait duke u pagëzuar në ujë.

«Vizita jote s’ishte rastësi»

Xheniferi që jeton në Brazil, po shpërndante fletushkën A mund të ringjallen të vdekurit? dhe trokiti në  derën e një gruaje që po nxitonte për në funeralin e një mikeshe të dashur. Xheniferi i tha se rastësisht donte t’i jepte një fletushkë që fliste për shpresën se të dashurit tanë të vdekur do t’i shohim sërish një ditë. Për momentin gruaja u habit nga titulli, por e pranoi fletushkën. Kur motra e pyeti nëse donte edhe fletushka të tjera që t’ia jepte familjes të së ndjerës, gruas iu duk ide e mirë dhe kërkoi edhe nëntë copë.

Më vonë Xheniferi u kthye që ta rivizitonte gruan, e cila i tha: «Po atë ditë kur u takuam, kuptova se vizita jote s’ishte rastësi. Zoti të dërgoi me një mesazh ngushëllues për të cilin kisha aq shumë nevojë.» I kishte shpërndarë të gjitha fletushkat. Një anëtar i asaj familjeje e kishte lexuar me zë të lartë fletushkën gjatë fjalimit të funeralit. Të gjithë e kishin vlerësuar dhe e kishin falënderuar gruan për mesazhin ngushëllues. Gruaja pranoi një studim biblik.

Dëshmi në tap-tap

Tre bethelitë në Haiti po udhëtonin me mikrobusë linje që quhen tap-tap. Gjatë udhëtimit prej dy orësh e gjysmë, u folën pasagjerëve për shpresën për Mbretërinë dhe lanë gjithsej 50 revista e 30 fletushka. Një nga bethelitët, Gurviçi, i lexoi një pasagjeri diçka nga një revistë Zgjohuni! Një i ri me emrin Pepe dëgjoi pa dashje bisedën dhe u përfshi menjëherë. Kërkoi një studim biblik dhe, siç u kuptua, jetonte në territorin ku shërbente Gurviçi. Që kur e takuan për herë të parë në janar 2014, Pepeja i ka ndjekur thuajse të gjitha mbledhjet e asambletë. Ai u flet të tjerëve për besimin e sapogjetur dhe shpreson që së shpejti të bëhet lajmëtar i papagëzuar.