• VENDE 58

  • POPULLSIA 994.839.242

  • LAJMËTARË 1.421.375

  • STUDIME BIBLIKE 3.516.524

Ndoqën mësuesin e tyre

Zhuzeja është një pionier në moshë të re që jeton në periferi të Luandës, Angolë. Ai punon si mësues në një shkollë pranë Sallës së Mbretërisë. Ngaqë shfaq cilësi të krishtere dhe është mësues i aftë, të 86 nxënësit e duan dhe e respektojnë. Mbledhja e kongregacionit e mesjavës fillon në orën 16.00, kështu që ai ka marrë leje të largohet  më herët nga puna atë ditë. Pas pune shkon drejt e në Sallën e Mbretërisë.

Disa nxënës pyetnin veten pse mësuesi ikte nga shkolla herët dhe ku shkonte. Për të shuar kureshtjen, një ditë dy nga nxënësit e ndoqën dhe morën pjesë në mbledhje. Pak më vonë shkuan edhe tre nxënës të tjerë ditën që Zhuzeja kishte një caktim në Mbledhjen e Shërbimit. Lajmi për këtë u përhap shpejt në klasë. Javët vijuese, numri i nxënësve që ndiqnin mbledhjet u rrit nga 5 në 21. Lajmëtarët në Sallën e Mbretërisë u ofruan të gjithëve studim biblik, të cilin shumica e pranuan. Kur nxënësit sollën ca botime në shkollë, edhe të tjerë treguan interes e filluan të shkonin në mbledhje. Nga fundi i vitit shkollor, 54 nga 86 nxënësit e tij kishin marrë pjesë në një mbledhje. Zhuzeja tha se 23 nxënës po bëjnë përparim të mirë frymor dhe vazhdojnë të shkojnë në mbledhje.

Nuk ka mjaft territor?!

Nigeri: Jozefi dhe Evezi predikojnë me një lexues të vogël DVD-je

Kur pionierët specialë Jozef dhe Evezi arritën në caktimin e ri në Nigeri, disa lajmëtarë të shkurajuar u thanë: «Nuk kemi më territor. Është punuar e stërpunuar.» Mirëpo pas një viti, Jozefi i shkroi degës: «E punojmë territorin përditë dhe hasim paragjykim e indiferentizëm. Megjithatë, predikojmë me një lexues të vogël DVD-je që t’u tregojmë video fëmijëve, adoleshentëve e të rriturve. Rezultati është ky: çdo muaj unë dhe gruaja drejtojmë 18 studime biblike dhe hera herës nuk arrijmë t’i vizitojmë të gjithë  studentët biblikë. Gjithashtu, fëmijët na kërkojnë vazhdimisht t’u tregojmë ‘videot me Danielin’.»

Thirrje për ndihmë nga një ishull

Kongo (Kinshasë): I predikojnë një peshkatari

Në prill 2014 zyra e degës në Kongo (Kinshasë) mori një letër prekëse nga një grup peshkatarësh që jetonin në ishullin Ibinjë, në liqenin Kivu. Këta peshkatarë shpesh udhëtojnë për punë nga ishulli në qytetet përreth. Në një nga udhëtimet për në qytetin  Bukavu takuan Dëshmitarët e Jehovait. Këta u folën për lajmin e mirë dhe u dhanë një Bibël e ca literaturë.

Peshkatarët e vlerësuan atë që lexuan dhe ua treguan të tjerëve në ishull. Mjaft shfaqën interes, ndaj peshkatarët i kërkuan njërit nga grupi i tyre të kthehej në Bukavu e të gjente Dëshmitarët, që t’i ftonte në Ibinjë. Kur ai nuk arriti t’i gjente, i shkroi zyrës së degës: «Ju lutemi, na dërgoni Dëshmitarë që të na ndihmojnë ta njohim Biblën si ata e të mësojmë si të jetojmë përgjithmonë. Strehimi është i sigurt. Jam gati të jap pronën time për të ndërtuar një kishë. Kemi mësuar nga vargjet biblike në librat tuaj se priftërinjtë e pastorët na mësojnë gënjeshtra. Na është mbushur mendja se kemi gjetur fenë e vërtetë. Ka shumë veta këtu në Ibinjë që duan të studiojnë Biblën e të bëhen Dëshmitarë të Jehovait.»

Letra thoshte se në ishull kishte rreth 40 të interesuar. Në Ibinjë ka më se 18.000 banorë, por asnjë Dëshmitar. Menjëherë zyra e degës caktoi atje dy pionierë specialë, që flasin gjuhën vendëse.

Tani pastori dëgjon

«Nuk do të mungoj kurrë më në Përkujtim.» Kështu komentoi pastori i një kishe protestante në Afrikën e Jugut. Ç’e shtyu këtë udhëheqës fetar të shkonte në Përkujtim në prill 2014? E gjithë kjo nisi kur dy vëllezër të racave të ndryshme ishin në shërbim dhe trokitën në derën e tij. Me sa dinin nga përvojat e kaluara pastori nuk donte të fliste me Dëshmitarët. Adani, njëri nga vëllezërit, shpjegon ç’ndodhi: «Për çudinë tonë, na e hapi derën e na ftoi brenda. Biseduam gjerë  e gjatë. U habit që pa një të bardhë të predikonte në një komunitet zezakësh dhe që i foli në gjuhën e tij. Pastori filloi një studim të rregullt biblik.

Ky burrë ka qenë misionar dhe pastor për më se 40 vjet, por vetëm në moshën 80-vjeçare gjeti të gjitha përgjigjet e pyetjeve të tij. I pëlqen shumë libri Imitoni besimin e tyre. Kur studiojmë, mëson përmendsh disa pika dhe i përdor në fjalimet në kishë. U tregoi pjesëtarëve të kishës së tij librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe u tha: ‘Kur Dëshmitarët e Jehovait t’ju vijnë në shtëpi me këtë libër, mirëpritini dhe dëgjojini, sepse ky libër është plot thesare të shenjta.’»

Pastori i tha Adanit se udhëheqësit e kishës e kishin thënë prerazi dhe e kishin paralajmëruar të mos fliste për Dëshmitarët e Jehovait në fjalimet në kishë. Ai nuk dinte ç’të bënte. Adani i kujtoi historinë e një prifti në Mjanmar, që përmendet në Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 2013. Kur Adani ia lexoi historinë pastorit, ky i tha: «Kjo qenka për mua. Duhet të marr një vendim tejet të rëndësishëm dhe nuk pret puna.»

Pastori mori pjesë në Përkujtimin e parë më 14 prill 2014 dhe pohoi se nuk do të mungonte kurrë më. Është i vendosur t’i presë të gjitha lidhjet me fenë e rreme.

Kërkojnë në plantacionet e kakaos

Ganë: Bafuri dhe Aroni japin dëshmi në një plantacion kakaoje

Bafuri dhe Aroni shërbejnë si pionierë specialë në Bokabo, rajon në perëndim të Ganës ku rritet kakao.  Territori i tyre plot shtëpi të vogla të shpërndara aty-këtu, mund të përshkohet vetëm përmes shtigjeve të ngushta e të shumta që gjarpërojnë nëpër plantacione. Sa lehtë humbet nëse merr shtegun e gabuar! Një ditë, në vend që të merrnin drejtimin e zakonshëm, Bafuri dhe Aroni zgjodhën një shteg tjetër që i çoi në shtëpiza të papredikuara më parë. Atje takuan Majkëllin dhe Patjenën që treguan interes për mesazhin dhe me shumë etje pranuan një studim biblik. Më vonë Majkëlli u tha: «Gjatë dy viteve të kaluara nuk kemi shkuar më në kishë, sepse kuptuam që ca gjëra nuk ishin në përputhje me mësimet e Biblës. Që atëherë, çdo mbrëmje unë dhe Patjena e kemi studiuar vetë Biblën duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve tona. Jemi lutur për ndihmë që të gjejmë të vërtetën.» Edhe pse u duhej të ecnin shumë gjatë nëpër plantacione, nisën t’i ndiqnin mbledhjet menjëherë. Çifti u pagëzua brenda vitit të kaluar dhe filluan të shërbenin si pionierë të rregullt. Tani ecin në shtigje të parrahura nëpër plantacione kakaoje në kërkim të të tjerëve, të cilët ‘luten për ndihmë që të gjejnë të vërtetën’.

Majkëlli dhe Patjena ecin përmes një plantacioni