Të dashur vëllezër dhe motra!

«E falënderojmë gjithmonë Perëndinë, kur ju përmendim të gjithë ju në lutjet tona, sepse mbajmë në mend vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundin tuaj falë dashurisë dhe qëndrueshmërinë tuaj falë shpresës që keni në Zotërinë tonë Jezu Krisht, para Perëndisë dhe Atit tonë.» (1 Sel. 1:2, 3) Sa bukur i shprehin këto fjalë ndjenjat tona për ju! Falënderojmë Jehovain për ju dhe punën tuaj të shkëlqyer! A e dini pse?

Gjatë vitit të kaluar ishit të zënë në «veprën tuaj të besimit» ‘duke u munduar falë dashurisë’ për aktivitetet e Mbretërisë. Shumë nga ju kanë gjetur mënyra për të zgjeruar shërbimin. Disa janë nxitur të shërbejnë në zona të ndryshme brenda një shteti, madje edhe në shtete të tjera, ku ka më tepër nevojë për ungjillëzues të Mbretërisë. Të tjerë kanë zgjeruar shërbimin duke u përfshirë në dëshminë publike. Mjaft prej jush u motivuan të shërbenin si pionierë ndihmës gjatë periudhës së Përkujtimit, gjatë muajit të vizitës së mbikëqyrësit qarkor ose gjatë fushatës speciale në gusht 2014. Edhe pse keni rrethana të ndryshme, e kuptojmë se po punoni me gjithë shpirt për Jehovain dhe ju lavdërojmë. (Kolos. 3:23, 24) ‘Vepra juaj e besimit’ është vërtet një arsye që ta falënderojmë Jehovain.

 Po ashtu e vlerësojmë jashtë mase «mundin tuaj falë dashurisë» për ndërtimin e godinave të ndryshme teokratike përreth botës. Kemi nevojë urgjente për këto godina, pasi populli i Jehovait vazhdon të rritet. (Isa. 60:22) Mendoni pak, vitin e kaluar u arrit një maksimum prej 8.201.545 lajmëtarësh, ndërsa mesatarja e studimeve biblike ishte 9.499.933 në muaj. Për shkak të kësaj rritjeje, shumë zyra dege duhen zgjeruar ose restauruar. Patjetër që kjo do të thotë se na duhen edhe më tepër Salla Mbretërie. Njëkohësisht nevojiten zyra përkthimi në zona të largëta në shumë vende, që përkthyesit të punojnë atje ku flitet gjuha e përkthyer.

Prandaj, le të pyesim veten: «Si mund ta mbështes ndërtimin e këtyre godinave?» Disa nga ne punojnë si vullnetarë në ndërtim. Qofshim të aftë në ndërtim apo jo, të gjithë kemi privilegjin të kontribuojmë me gjërat tona me vlerë për këto projekte të rëndësishme. (Prov. 3:9, 10) Kur po ndërtohej tabernakulli, izraelitët u nxitën aq shumë të jepnin kontribute, saqë u desh të njoftohej të mos jepnin më. (Dal. 36:5-7) S’diskutohet që shembuj të tillë nga Shkrimet na prekin zemrën e na nxitin. ‘Mundi juaj falë dashurisë’ në këto fusha të rëndësishme të shërbimit të shenjtë është një arsye tjetër për të falënderuar Jehovain.

Kemi arsye unike të gëzojmë teksa shohim qëndrueshmërinë e palëkundur të vëllezërve tanë. Për shembull, të flasim pak për vëllezërit tanë të shtrenjtë në Korenë e Jugut. Që nga 1950-a, vëllezër të rinj janë burgosur me afate të ndryshme, sepse nuk donin të shkelnin asnjanësinë e krishterë. Vëllezër prej katër  brezash e kanë duruar këtë lloj trajtimi pa u lëkundur. Shembulli i tyre i qëndrueshmërisë na e forcon besimin.

Në Eritre, tre nga vëllezërit tanë janë burgosur me më shumë se 20 vjet. Të tjerë, përfshirë motra e fëmijët e tyre, i kanë burgosur me periudha më të shkurtra. Janë bërë mjaft përpjekje për t’i liruar, por deri tani nuk është liruar asnjë. Vëllezërit tanë nuk kanë bërë kompromis. Kanë mbajtur integritetin në rrethana tejet munduese. Këta besnikë i përmendim vazhdimisht në lutjet tona.—Rom. 1:8, 9.

Edhe pse pjesa më e madhe nga ju nuk janë të burgosur për shkak të besimit, shumë nga ju po përballeni me moshën e shkuar, keni probleme kronike me shëndetin, kundërshtim nga bashkëshortët a të afërm jobesimtarë si edhe sfida personale që i dini vetëm ju. Prapëseprapë po vazhdoni t’i shërbeni besnikërisht Jehovait. (Jak. 1:12) Ju lavdërojmë! Qëndrueshmëria juaj besnike është një arsye tjetër për të falënderuar Jehovain.

Po, vepra juaj e besimit, mundi juaj falë dashurisë dhe qëndrueshmëria juaj janë arsye të mrekullueshme që ‘ta falënderojmë Jehovain, se ai është i mirë’. (Psal. 106:1) Ju duam vërtet të gjithëve dhe lutemi që Jehovai t’ju forcojë, t’ju mbështetë e t’ju bekojë që t’i shërbeni përgjithmonë.

Vëllezërit tuaj,

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait