Misionarët vazhdojnë veprën nën ndalim

Ndalimi i veprës ishte fillimi i një periudhe tejet të vështirë për vëllezërit. Misionarja Alma Parsoni shpjegonte: «Sallat tona të Mbretërisë u mbyllën dhe vepra u ndalua. Vëllezërit tanë të shtrenjtë atje u sprovuan e vuajtën jashtë mase.» Gjithashtu, shumë humbën punën dhe u burgosën. Megjithatë, ajo kujtonte me  ëndje: «Drejtimi dhe mbrojtja e Jehovait u bënë të qarta në sa e sa raste.» Me besim te ‘drejtimi i Jehovait’ vëllezërit e vazhduan veprën nën ndalim.

Mbledhjet ishin të ndaluara. Lenart Xhonsoni kujtonte: «Vëllezërit filluan të takoheshin pa rënë në sy në grupe të vogla në shtëpi private. Atje studionim artikuj të Kullës së Rojës të kopjuar me shaptilograf. Të gjithë besnikët e çmonin pa masë forcën frymore që na siguronte vazhdimisht Jehovai në këto grupe studimi të vogla.»

Roi dhe Uanita Branti ishin ndër ata që qëndruan në caktim gjatë ndalimit

Ndërkohë, qeveria i kontrollonte e i bezdiste gjithnjë e më tepër. Por, vëllezërit e motrat nuk u trembën. Më 15 shtator 1950, kur sekretari Ungria komunikoi me presidentin e Republikës, shkroi: «Zoti Li Roi Branti dhe drejtues të tjerë të Dëshmitarëve të Jehovait janë thirrur vazhdimisht në këtë zyrë dhe janë njoftuar se e gjithë propaganda e kësaj shoqërie që u shpërbë ligjërisht këtu është e ndaluar; urdhër që siç duket nuk po e zbatojnë. Ditë për ditë marrim raporte nga zona të ndryshme të vendit se ata e vazhdojnë fshehurazi propagandën e tyre, duke u tallur me rregullat qeveritare.» Në fund letra sugjeronte të dëboheshin «drejtuesit kryesorë të huaj» të Dëshmitarëve të Jehovait.

«Një burim force»

Nga fundi i vitit 1950 vendin e vizituan vëllezërit Nor e Henshel. Pastaj, disa misionarë u caktuan në Argjentinë, Guatemalë dhe Porto-Riko. Të tjerë filluan  punë që të rrinin atje. Për shembull, vëlla Branti punoi për kompaninë elektrike, kurse të tjerë si mësues anglishteje. Një raport në Librin vjetor 1951 thotë për këta misionarë: «Vetë prania e tyre në vend, fakti që s’u larguan, është burim force për besnikët e Zotërisë që e mësuan të vërtetën prej tyre. Të gjithë janë mirënjohës për guximin që treguan ata vëllezër, duke mos e lënë veprën.»

‘Prania e tyre në vend ishte burim force për besnikët’

Doroti Lorensi ishte një nga misionaret që jepte mësime anglishteje. Përveçse kësaj, drejtonte edhe studime biblike me të interesuarit. Kështu ndihmoi disa veta të merrnin të vërtetën.

Adhuruesit besnikë të Jehovait bënë hapa të tjerë për të dalë në shërbim, ndonëse i kontrollonin vazhdimisht. Ndonjëherë ua hiqnin faqet librave dhe mbanin disa faqe të përthyera në një xhep këmishe ose në një çantë ushqimesh që të predikonin pa rënë në sy. Raportet e shërbimit bëheshin në atë mënyrë që të dukeshin si lista ushqimesh. Në vend të librave, broshurave, revistave, rivizitave dhe orëve, raporti i shërbimit radhiste papaja, fasule, vezë, lakër e spinaq. Kopjet e shaptilografuara të Kullës së Rojës quheshin  juka, sipas jukës, ose kasavës, bimë e zakonshme e vendit.

Vazhdojnë të bëjnë dishepuj

Më 16 qershor 1954 Rafael Truhijo nënshkroi një marrëveshje me Vatikanin, e cila i jepte privilegje të veçanta klerit katolik romak në Republikën Domenikane. Në atë kohë Dëshmitarët kishin gati katër vjet nën ndalim. Prapëseprapë, në vitin 1955 në Republikën Domenikane ishin 478 lajmëtarë. Si ka mundësi të ndodhte kjo rritje me gjithë rrethanat e vështira? Një raport në Librin vjetor 1956 thoshte: «I gjithë sekreti i forcës sonë gjendet te fryma e Jehovait. Vëllezërit janë të bashkuar e të fortë në besim dhe ecin para me guxim.»

Në korrik të vitit 1955 selia botërore i dërgoi Truhijos një letër formale dhe të noterizuar. Atje shpjegohej me hollësi qëndrimi asnjanës i Dëshmitarëve të Jehovait dhe kërkohej që Truhijo «të hiqte ndalimin ndaj Dëshmitarëve të Jehovait dhe ndaj Watch Tower Bible and Tract Society». Ç’ndodhi pas kësaj?