• LINDUR: 1960

  • PAGËZUAR: 1982

  • TË DHËNA: Kur ishte djalosh, Hosenë e tërhoqi në të vërtetën dashuria e vëllezërve, edhe pse asnjë në kongregacion s’e dinte gjuhën e shenjave.

KUR isha fëmijë, humba dëgjimin dhe mësova gjuhën e shenjave në një shkollë për ata që nuk dëgjojnë. Fillimisht dëgjova për të vërtetën në moshën 11-vjeçare kur një familje Dëshmitarësh në lagjen time më ftuan të ndiqja një mbledhje të krishterë. Ndonëse nuk i kuptova fjalimet, më mirëpritën ngrohtësisht, ndaj vendosa të shkoja rregullisht. Shumë veta në kongregacion më ftuan për të ngrënë dhe në aktivitete të tjera.

Dola lajmëtar më 1982 dhe po atë vit u pagëzova. Në 1984-n u martova me Evën, që po ashtu nuk dëgjon. Edhe pse s’kishim kuptueshmëri të thellë për disa të vërteta biblike, e dalluam organizatën e Jehovait nga shenja identifikuese e dashurisë dhe na pëlqente shoqëria me kongregacionin.Gjoni 13:35

 Më 1992 u morën masa që disa vëllezër e motra të mësonin gjuhën amerikane të shenjave (ASL). Shpejt këta lajmëtarë filluan të gjenin adresat e njerëzve që nuk dëgjojnë dhe t’u predikonin lajmin e mirë. Pas kësaj, më 1994 vepra në fushën e gjuhës së shenjave mori hov kur dega ftoi një çift nga Porto-Riko t’ua mësonte gjuhën e shenjave 25 vëllezërve e motrave.

Më vonë po atë vit bashkë me Evën nisëm të ndiqnim mbledhjet me grupin e sapoformuar të gjuhës së shenjave. Vetëm pak pasi ndoqëm mbledhjet në gjuhën e shenjave, nisëm t’i kuptonim më mirë hollësitë e mësimeve biblike, si sfida që i bëri Satanai sovranitetit universal të Jehovait dhe roli i Mbretërisë Mesianike në qëllimin e Perëndisë.

Më 1 dhjetor 1995, në Santo-Domingo dhe Santiago u formuan kongregacione ASL. Në gusht 2014 atje kishte 26 kongregacione dhe 18 grupe të gjuhës së shenjave.

Bashkë me Evën u kemi mësuar tri fëmijëve gjuhën e shenjave si gjuhë të parë. Djali ynë i madh, Eberi, mbështet përkthimin e gjuhës së shenjave në degën e Shteteve të Bashkuara. Tani jam shërbëtor ndihmës në kongregacion, ndërsa Eva është pioniere e rregullt.