GERMAN GOMERA ishte i parafundit nga 11 fëmijët. Pas vdekjes së të atit dhe dy motrave, e ëma, Luiza, e transferoi familjen në qytet. Atje u bashkuan me kishën menonite, pjesëtarë të së cilës ishin edhe vëllezërit e Luizës dhe familjet e tyre.

Germani tregon: «Më 1962 mbërritën në qytet një çift pionierësh specialë. Thuhej se ata po i mbytnin banorët me ‘mësime djallëzore’. Prapëseprapë, kur çifti shkoi në shtëpinë e familjes Pina, një familje e madhe, i ftuan brenda. Aq shumë u mahnitën nga sjellja miqësore dhe e ngrohtë e pionierëve, saqë i ndoqën gjithë sy e veshë kur flitnin. Falë kësaj vizite, familja Pina dhe tri motrat e mia më të mëdha nisën të studionin.»

Germani vazhdon: «Një ditë kur pionierët vizituan familjen Pina, ishte e ftuar edhe mamaja. Lexuan një pjesë nga Bibla që theksonte shpresën e jetës së përhershme në tokë. Mamaja i pyeti: ‘Po pse në kishën time thonë se do të shkojmë në qiell?’ Pasi vëllai iu përgjigj nga Bibla dhe i shpjegoi atë çka thonë Shkrimet për ringjalljen në  tokë, mamaja reagoi mirë dhe filloi t’u fliste të tjerëve për atë që kishte mësuar.

Kur pastorët e kishës menonite zbuluan se besimtarët e tyre po studionin me Dëshmitarët e Jehovait, bënë çmos t’u mbushnin mendjen ta ndërpritnin studimin. U treguan agresivë e kërcënues. Maksimina Pina, e zonja e shtëpisë, u tha: ‘Më dëgjoni mirë! Jam e rritur dhe vendos vetë.’

Në fund 22 veta e lanë kishën menonite e filluan të ndiqnin mbledhjet e kongregacionit në një shtëpi me qira. Mamaja u pagëzua më 1965, ndërsa unë katër vjet më vonë, më 1969 kur isha 13 vjeç.»

Germani me motrat sot. Të gjithë i shërbejnë besnikërisht Jehovait