Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 REPUBLIKA DOMENIKANE

Nevojiten më shumë predikues

Nevojiten më shumë predikues

Lajmi i mirë arrin në zona të thella

Me kalimin e kohës erdhën më shumë misionarë, përfshirë Pit Paskalin, Amos e Barbara Parkerin, Riçard e Belva Stadërdin, të cilët kishin shërbyer në Bolivi, dhe Xhesi e Lina Kantuellin nga Kolumbia. Misionarët i dhanë shtysë të mëtejshme veprës së vrullshme të predikimit. Në vitin 1973 vepra e arsimimit ziente nga aktivitetet në qyteza e qytete të Republikës Domenikane, por lajmi i mirë nuk kishte arritur ende në zonat e thella. Prandaj u morën masa që të plotësoheshin nevojat frymore të banorëve nëpër fshatra. Kur ftuan vullnetarë që të predikonin dy muaj në fshatra, u treguan të gatshëm 19 pionierë të rregullt. Mes dhjetorit 1973 dhe janarit 1977 u caktuan disa grupe pionierësh në vende ku ishte predikuar pak ose aspak.

«Botimet i këmbenim me pula, vezë e fruta»

Një pionier që mori pjesë në këtë vepër të veçantë tregon: «Pasi kalonim një ditë duke folur për mesazhin biblik e linim literaturë, rrinim edhe një ditë tjetër që të rivizitonim të interesuarit. Banorët e fshatrave s’kishin edhe aq të ardhura, prandaj botimet i këmbenim me pula, vezë e fruta. Falë Jehovait, asnjëherë s’na mungoi buka e gojës.» Për mjaft veta ishte hera e parë që dikush u lexonte nga Bibla. Në disa raste udhëheqësit fetarë u kishin thënë njerëzve se Jehovai është Djalli. Sa habiteshin kur lexonin në  Bibël vargje si Psalmi 83:18: «Që ta dinë se vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.» Në disa vende numri i të interesuarve ishte aq i madh, sa u organizuan mbledhje publike.

Më shumë misionarë dhe një degë e re

Më shtator 1979 erdhën si misionarë Abigail Peresi dhe e shoqja, Xhorxhina. Ata u caktuan në veprën qarkore. Më vonë, në vitin 1987, erdhën të diplomuarit e Galaadit, Tom e Shirli Dini, që të mbështetnin veprën. Territori nxori dobi edhe nga një fluks shërbëtorësh në shërbimin special të plotkohor që erdhën nga Porto-Riko. Në gusht të vitit 1988 në Republikën Domenikane erdhën Reiner dhe Xhina Tompsoni, caktimi i tyre i pestë misionar.

Më 1989 mesatarja e lajmëtarëve ishte rritur në 11.081, kurse numri i studimeve biblike, që kishte arritur në 20.494, tregonte potencialin për të ardhmen. Me rritjen do të vinin edhe vështirësi. Për shembull, godina ekzistuese e degës e kishte arritur synimin e vet, por nga fundi i viteve 80 nuk mjaftonte më. Reiner Tompsoni thotë: «Ishte kaq e mbipopulluar, sa lindi nevoja të gjenim strehim e të përdornim magazina në zona të ndryshme të qytetit.

Ishte e vështirë të gjeje pronë të përshtatshme për një degë të re. Pas njëfarë kohe na kontaktoi një biznesmen që kishte marrë vesh se po kërkonim tokë. Ai shpjegoi se donte të shiste një pjesë trualli të zgjedhur, por vetëm Dëshmitarëve të Jehovait. Në të  kaluarën kishte pasur një biznes të madh rrobaqepësie ku sekretarja dhe disa nga punëtorët e tjerë ishin Dëshmitarë të Jehovait. Për vite me radhë kishte vënë re ndershmërinë e tyre të jashtëzakonshme dhe sjelljen plot respekt, cilësi që i kishin lënë mbresa të thella. Ngaqë i vlerësonte pa masë Dëshmitarët e Jehovait, ua ofroi tokën me kosto goxha të ulët.» Prona u ble në dhjetor të vitit 1988 e më vonë u morën edhe tri parcela ngjitur. Dega dhe Salla e Asambleve aty pranë zinin gjithsej thuajse 9 hektarë tokë.

Qindra vullnetarë vendës dhe ndërkombëtarë ndihmuan në ndërtimin e degës së re dhe të Sallës së Asambleve. Ndërtesat u kushtuan një të shtunë në nëntor 1996 ku morën pjesë edhe anëtarët e Trupit Udhëheqës: Keri Barberi, Teodor Xharazi dhe Gerrit Lëshi. Ditën tjetër u mbajtën programe të veçanta në dy stadiumet më të mëdha të vendit dhe mbi 10.000 veta vizituan ndërtesat e reja të degës.

‘Kalojnë në Maqedoni’

Historia e popullit të Jehovait në Republikën Domenikane do të mbetej e paplotë nëse nuk do të përmendnim Dëshmitarët e shumtë që shkuan të shërbenin ku nevoja ishte më e madhe. Të nxitur prej raporteve nga një fushë që lulëzonte frymësisht ku mund të drejtoje dhjetëra studime biblike, në fund të viteve 80 mjaft veta emigruan që, si të thuash, ‘të kalonin në Maqedoni’. (Vep. 16:9) Këta vullnetarë u folën të tjerëve për gëzimin që provonin në veprën e të korrave në Republikën Domenikane. Si rezultat emigracioni mori hov në vitet 90.

 Për shembull, Stivën e Miriam Norei nga Danimarka kanë shërbyer në Republikën Domenikane që nga viti 2001. Më parë Miriami kishte shërbyer në këtë vend për një vit e gjysmë me motrën. Çfarë e nxiti këtë çift të transferohej në një vend të largët, me kulturë e gjuhë tjetër? Miriami thotë: «Të dy vinim nga familje të forta frymësisht me prindër që kishin shërbyer si pionierë specialë në rini dhe si pionierë të rregullt pasi u bënë me fëmijë. Gjithmonë na nxitnin t’i jepnim gjithçka Jehovait në shërbimin e plotkohor.»

Stivëni dhe Miriami kanë qenë pionierë specialë që nga viti 2006 dhe kanë ndihmuar mjaft veta të mësojnë të vërtetën. Stivëni thotë: «Bekimet s’kanë të sosur. Vështirësitë ose problemet shëndetësore që kemi hasur as që krahasohen me përvojat e mrekullueshme  dhe me gëzimin që kemi ndier duke ndihmuar njerëzit e sinqertë ta njohin e ta duan Jehovain. Kemi fituar edhe një familje të madhe me miq të dashur. Shërbimi në Republikën Domenikane na ka mësuar përulësinë e durimin, dhe jeta e thjeshtë na e ka forcuar vërtet besimin te Jehovai.»

Xhenifer Xhoi ka shërbyer këtu për më shumë se 20 vjet, duke ndihmuar në fushën e gjuhës së shenjave

Xhenifer Xhoi është një nga motrat e shumta nga vende të tjera që predikojnë në Republikën Domenikane. Në vitin 1992, ajo erdhi të vizitonte tezen, Edit Uajtin, misionare prej kohësh. Ndërsa predikonte, pati rezultate të mira. Ajo takoi edhe motra të tjera që po shërbenin ku kishte nevojë. Xheniferi thotë:  «Isha e ndrojtur dhe s’kisha besim te vetja. Por mendoja: ‘Nëse këto ia dalin, bën vaki ia dal edhe unë.’»

Si fillim Xheniferi planifikoi të rrinte vetëm një vit, por koha fluturoi dhe tani ka mbi 20 vjet që shërben në Republikën Domenikane. Ajo ka ndihmuar shumë studentë biblikë të bëhen adhurues të Jehovait. Me kënaqësi ka dhënë një dorë që fusha e gjuhës së shenjave atje të ecë para dhe të përgatitet material për klasat e gjuhëve të tjera.

‘Jehovai s’më ka lënë në baltë deri tani, prandaj pse të dyshoj se do të më braktisë vitin tjetër?’

Si e mbështet veten ekonomikisht Xheniferi? Ajo shpjegon: «Çdo vit kthehem për disa muaj në Kanada që të punoj. Gjatë viteve jam marrë me punë të ndryshme. Kam larë fotografi, kam lyer shtëpi, kam pastruar zyra e kam punuar qilima. Kam punuar edhe si cicerone, agjente udhëtimi, mësuese anglishteje dhe përkthyese.» Xheniferi e krahason situatën e saj me atë të izraelitëve të lashtë në shkretëtirë: «Ata jetonin me çdo fjalë që dilte nga goja e Jehovait. Ai premtoi se do të kujdesej për ta dhe pikërisht ashtu bëri. Kishin ushqim çdo ditë e rrobat dhe sandalet nuk iu vjetruan. (Ligj. 8:3-4) Jehovai premton se do të kujdeset edhe për ne. (Mat. 6:33) Ai s’më ka lënë në baltë deri tani, prandaj pse të dyshoj se do të më braktisë vitin tjetër?»

Deri në 1.000 ungjillëzues vetëmohues kanë ardhur nga vende, si Austria, Japonia, Polonia, Porto-Riko, Rusia, Spanja, Suedia, Shtetet e Bashkuara dhe  Tajvani. Vëllezër nga 30 kombësi ndihmojnë kongregacionet në gjuhën amerikane të shenjave (ASL), kineze, angleze, kreole të Haitit, italiane, ruse dhe spanjolle. Ata janë shprehur si apostulli Pjetër: «Ja, ne lamë gjithçka dhe po të ndjekim.»Mar. 10:28.