• LINDUR: 1935

  • PAGËZUAR: 1956

  • TË DHËNA: E re katolike e flaktë që mësoi të vërtetën biblike dhe me guxim përballoi kundërshtimin nga familja, kisha dhe shteti.

ISHA shumë fetare dhe mjaft e përfshirë në aktivitetet e Kishës Katolike. Këndoja në korin e kishës dhe shoqëroja priftërinjtë kur shkonin në fushë të hapur që të meditonin, e më pas mbanin meshën. Më pas, më 1955 motra ime më foli për Parajsën që do të vinte. Më dha një Bibël, broshurën Ky lajm i mirë për Mbretërinë dhe librin Le të dalë Perëndia i vërtetë. Mbeta pa fjalë, ndaj pyeta priftin nëse mund të lexoja Biblën. Ai më tha se «do të lajthisja fare» po ta lexoja, por gjithsesi e kisha ndarë mendjen.

Pasi vajta të jetoja me gjyshërit në Boka-Çikë, një prift më pyeti përse nuk shkoja në kishë. I shpjegova se kisha zbuluar se shumë doktrina kishtare nuk gjenden në Bibël. Prifti pëlciti nga inati.

 Dëgjo këtu, zonjushë! Ti je dele e larguar nga kopeja ime,—ulëriti ai.

Jo,—ia ktheva,—je larguar ti nga kopeja e Jehovait, sepse delet i përkasin Jehovait, jo njerëzve.

Nuk u ktheva më kurrë në kishë. Shkova të jetoja te motra dhe u pagëzova vetëm gjashtë muaj pasi kisha dëgjuar për të vërtetën. U bëra pioniere e rregullt pa vonesë. Vitin pasues u martova me Enriko Gasin, që po shërbente si mbikëqyrës qarkor. Një herë kur po predikonim në një park në La Romanë, policia arrestoi Enrikon. Teksa e merrnin, i ndoqa nga pas dhe u thashë: «Edhe unë jam Dëshmitare e Jehovait dhe po ashtu po predikoja. Pse nuk më merrni edhe mua?» Por s’kishin ndër mend të më arrestonin.

Tashmë Enriko kishte bërë shtatë vjet e gjysmë burg. Këtë herë e dënuan me 20 muaj. E vizitoja çdo të diel. Gjatë një vizite, kapiteni i burgut më pyeti: «Po ti, ç’do këtu?»

Im shoq është në burg ngaqë është Dëshmitar i Jehovait,—i shpjegova.

Ai ma ktheu: je e re dhe të pret një ardhme e shkëlqyer. Pse e harxhon kohën kot me Dëshmitarët e Jehovait?

Edhe unë jam Dëshmitare e Jehovait,—iu përgjigja.—Edhe nëse më vritni shtatë herë e më ringjallni shtatë herë, unë prapë do të jem Dëshmitare e Jehovait.—Me kaq më urdhëroi të ikja.

Pasi u hoq ndalimi, bashkë me Enrikon shërbyem për disa vjet në veprën qarkore e krahinore. Ai ra në gjumin e vdekjes më 8 mars 2008. Ndërsa unë vazhdoj të shërbej si pioniere e rregullt.