Predikojnë me maturi

Rafael Paredi, i cili shërben në Bethel me të shoqen, Fransian, u bë lajmëtar më 1957 kur ishte 18 vjeç. Ai sjell ndër mend si e ndiqte policia sekrete kur predikonte dhe si bënin çmos ta arrestonin atë dhe bashkëpunëtorët e tij. Rafaeli thotë: «Ndonjëherë na duhej të kalonim fshehurazi nëpër rrugica e rrugë dytësore, duke kapërcyer gardhe që të mos na diktonin.» Andrea Almansari shpjegon çfarë bëri ajo e të tjerë që të mos i arrestonin: «Duhej të ishim të matur. Predikonim në një shtëpi, pastaj dhjetë shtëpi më tutje.»

Më në fund lehtësim!

Më 1959 Truhijo sundonte prej 30 vjetësh, por tani klima politike po ndryshonte. Më 14 qershor 1959 domenikanët e mërguar u turrën në Republikën Domenikane që të rrëzonin Truhijon. Ndonëse sulmi u mposht dhe komplotuesit u vranë e u burgosën, shumë armiqve të Truhijos u dukej e pathyeshme qeveria e tij, kështu që intensifikuan përpjekjet.

Në 25 janar të 1960-s, pas vitesh bashkëpunimi me qeverinë e Truhijos, hierarkia e Kishës Katolike shkroi një letër pastorale si protestë ndaj abuzimit me të drejtat e njeriut. Historiani domenikan Bernardo Vega, shpjegon: «Sulmet e qershorit 1959 dhe shtypja ndaj të mërguarve që u kthyen, e më vonë edhe ndaj lëvizjes sekrete të brendshme e të pathyeshme, e vunë nën presion kishën që, për herë të parë, t’i vihej kundër Truhijos.»

Çuditërisht në maj 1960 qeveria e hoqi ndalimin ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Pas vitesh ndalimi, lehtësimi erdhi nga një burim i papritur, nga vetë Truhijo, kur u shkëput nga Kisha Katolike.