• LINDUR: 1968

  • PAGËZUAR: 1989

  • TË DHËNA: Kur ishte djalosh e kërkonte një jetë më të mirë, Hoseja u transferua nga fshati në qytet. Atje mësoi të vërtetën dhe që atëherë plot zell ka vënë në vend të parë Mbretërinë e Zotit.

KUR ishte 11 vjeç, Hoseja u transferua në Santo-Domingo ku lustronte këpucë, shiste portokalle e copëza akulli që të fitonte bukën e gojës. Që i ri bëri një emër të mirë si punëtor i palodhur. Ca vjet më vonë, vëllai i tij, që ishte Dëshmitar i Jehovait, i kërkoi të kujdesej për shtëpinë e vet. Në tavolinën e dhomës së ndenjjes Hoseja pa librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi Tokë, dhe ndenji gjithë natën duke e lexuar.

Fundjavën tjetër Hoseja shkoi në Sallën e Mbretërisë më të afërt dhe u prezantua si Dëshmitar i Jehovait. Ai u tha vëllezërve se, nga ajo që kishte mësuar, duhej të ndiqte mbledhjet e të predikonte lajmin e mirë. Gjithashtu, u tha se nga libri Ti mund të jetosh kishte mësuar cilat gjëra nuk duhet të bëjnë të krishterët e i siguroi se  ai nuk po bënte asgjë nga ato. Pesëmbëdhjetë ditë më vonë Hoseja u miratua si lajmëtar. U pagëzua pas gjashtë muajsh, në moshën 21-vjeçare.

Meqë punonte gjatë orarit të mbledhjeve, e la punën për një tjetër ku paguhej sa çereku i punës së mëparshme, por tani mund t’i ndiqte mbledhjet e të shërbente si pionier i rregullt. Gjithsesi, më vonë u martua e u bë me dy çuna, kështu që iu desh ta ndërpriste shërbimin si pionier.

Hoseja ishte i vendosur t’u mësonte djemve të vërtetën që në foshnjëri. Kështu, kur e shoqja, Josefina, ishte tre muajshe shtatzënë me djalin e parë, Noenë, Hoseja i lexonte me zë të lartë nga Libri im i tregimeve biblike, me shpresën se foshnja në bark e dëgjonte. Kur Noeja lindi, tashmë Hoseja ia kishte lexuar të gjithë librin. Të njëjtën gjë bëri edhe me djalin e dytë, Neftalin.

Me kalimin e kohës Hoseja u bë menaxher i përgjithshëm i një biznesi me rrogë dhjetë herë më të madhe se rroga e punës së mëparshme. Gjithsesi, më 2008, kur djemtë ishin 10 e 13 vjeç, e la punën si menaxher dhe filloi sërish si pionier i rregullt. Këtë herë bashkë me gruan e fëmijët. Meqë të ardhurat u ranë ndjeshëm, e gjithë familja duhej të bashkëpunonte që të shpenzonin sa më pak. Që të katër drejtojnë rreth 30 studime biblike në muaj. Jezui na siguron se, nëse vëmë Mbretërinë të parën, Jehovai do të na bekojë. (Mat. 6:33) Hoseja dhe familja e tij kanë besuar te ky premtim dhe e kanë provuar vetë se Jehovai e mban fjalën.