Hapet fusha e gjuhës kreole të Haitit

Predikimi në gjuhën spanjolle ka qenë shumë i frytshëm. Por me kalimin e kohës, në vend janë transferuar edhe mjaft veta që flasin gjuhë të tjera dhe që kanë reaguar mirë ndaj mesazhit tonë të shpresës. Në Haitin fqinj, gjuha kryesore është kreole e Haitit. Ndonëse marrëdhënia mes Republikës Domenikane dhe Haitit me raste ka qenë e vështirë, mijëra haitianë përbëjnë një pjesë goxha të madhe të forcës punëtore në Republikën Domenikane dhe, kohët e fundit, numri i tyre është rritur tej mase.

Për vite me radhë të interesuarit për të vërtetën që flitnin gjuhën kreole të Haitit, i ftonim në kongregacionet spanjolle që t’i ndihmonim frymësisht. Sidoqoftë, për t’u dhënë më tepër ndihmë frymore, më 1993 Trupi Udhëheqës udhëzoi degën në Guadelupë të ftonte pionierë specialë nga territori i tyre që të shërbenin në fushën e gjuhës kreole të Haitit, në Republikën Domenikane. Një nga tri çiftet që dolën vullnetarë të transferoheshin, ishin Barnaba dhe Zhermen Biabjani. Barnaba thotë: «Në fillim kishim vetëm dy broshura në gjuhën kreole të Haitit. E gjithë literatura tjetër ishte në frëngjisht, kështu që na duhej të përkthenim çdo gjë nga frëngjishtja në gjuhën kreole të Haitit.»

Në janar të vitit 1996 kishte nëntë lajmëtarë në Iguej dhe dhjetë lajmëtarë në Santo-Domingo që ishin gati të  mbështetnin grupin në gjuhën kreole të Haitit. Prandaj u formua nga një grup në secilin qytet, që me kalimin e kohës u bënë kongregacione. Megjithatë, këto kongregacione u shkrinë, sepse dukej që shumë haitianë donin të mësonin spanjisht e preferonin të shkonin në një kongregacion spanjishtfolës. Barnaba shpjegon: «U takuam me vëllezërit e Repartit të Shërbimit dhe na sugjeruan që për momentin të ndërpritej vepra në fushën e gjuhës kreole të Haitit.»

Rigjallërohet fusha e gjuhës kreole të Haitit

Më 2003 Trupi Udhëheqës caktoi çiftin misionar Dong dhe Gledis Barku të punonin në fushën e gjuhës kreole të Haitit në Republikën Domenikane. Për dy vjet punuan territorin në Higuai dhe filluan të kishin rezultate të mira. Më 1 qershor 2005 u formua një kongregacion në gjuhën kreole të Haitit. Dong Barku, Barnaba Biabjani e një misionar tjetër që quhej Stiven Roxhersi udhëtuan lart e poshtë pa u lodhur, duke predikuar në fushën e gjuhës kreole të Haitit.

Vepra ecte mirë dhe u formuan kongregacione të tjera. Më 1 shtator 2006 u formua qarku i parë i gjuhës kreole të Haitit në Republikën Domenikane. Kishte shtatë kongregacione e dy grupe, dhe Barnaba Biabjani shërbente si mbikëqyrës qarkor.

Vitet pasuese në Republikën Domenikane u caktuan edhe misionarë të tjerë që të punonin në fushën e gjuhës kreole të Haitit. Gjithashtu, për të ndihmuar erdhën shumë vullnetarë të tjerë nga Evropa, Kanadaja, SHBA-ja e vende të tjera. Një grup me vëllezër të kualifikuar u caktua të përgatiste një kurs në gjuhën kreole të Haitit për vëllezërit e huaj dhe për ata vendës.

Mjaft haitianë mendojnë se shtetasit që s’janë haitianë, por që flasin gjuhën kreole të Haitit, janë Dëshmitarë të Jehovait

 Mjaft domenikanë po përpiqen të mësojnë gjuhën kreole të Haitit dhe kjo po ndikon goxha mirë te haitianët. Sot, kur një lajmëtar domenikan shpjegon të vërtetat biblike në gjuhën kreole të Haitit, sikleti fashitet dhe krijohet një atmosferë e ngrohtë për të folur rreth mesazhit për Mbretërinë. Kaq shumë vëllezër kanë mësuar gjuhën kreole, saqë mjaft veta mendojnë se shtetasit që s’janë haitianë, por që flasin gjuhën kreole të Haitit, janë Dëshmitarë të Jehovait.

Për të kuptuar sa thellë ka ndikuar interesimi për njerëzit e një kulture tjetër, shiko përvojën e një pioniereje domenikane që ndoqi një kurs për gjuhën kreole të Haitit. Gjatë shërbimit kjo motër gjeti një çift të interesuar nga Haiti dhe u bëri rivizitë që të niste një studim biblik. Ajo tregon: «Kur mbërrita, e putha në faqe gruan, zakon mes grave në Republikën Domenikane. Gruaja ia plasi të qarit. E pyeta: ‘Ç’ka ndodhur?’ M’u përgjigj: ‘Gjatë gjithë viteve që kam jetuar këtu, është hera e parë që dikush më përshëndet me një puthje.’»

Falë bekimit të Jehovait në punën e vështirë në këtë fushë, ka pasur rritje fenomenale. Më 1 shtator 2009 kishte 23 kongregacione dhe 20 grupe në gjuhën kreole të Haitit, kështu që u formua një qark tjetër. Pjesëmarrja në Përkujtim në vitin 2011 tregoi potencialin e madh për të ardhmen. Për shembull, të 11 lajmëtarët në qytetin e vogël të Rio-Limpios u kënaqën që në Përkujtim ishin 594 të pranishëm. Dhe, kur u morën masa që  Përkujtimi të mbahej në qytetin Las-Jajas-de-Vjakam ku s’kishte lajmëtarë, erdhën 170 veta. Në shtator të vitit 2011, në gjuhën kreole të Haitit kishte 33 kongregacione dhe 21 grupe. Kjo solli formimin e një qarku tjetër në vitin 2012.

Dega e Republikës Domenikane dhe dega e Haitit kanë bashkëpunuar që të stërvitnin vëllezër nga vendet përkatëse. Në gjuhën kreole të Haitit u mbajtën pesë klasa të Shkollës Biblike për Vëllezërit Beqarë dhe katër klasa të Shkollës Biblike për Çiftet e Krishtere.

Mësojnë gjuhën kreole të Haitit