Fillojnë zbulimet

Të dielën më 1 prill 1945 në kryeqytetin e Republikës Domenikane, Sjutat-Truhijo, (tani Santa-Domingo) mbërritën të diplomuarit e Galaadit, Lenart dhe Virxhinia Xhonsoni. Si Dëshmitarët e parë atje, po hynin në një vend me histori plot armiqësi e konflikte. * Libri vjetor 1946 raportonte se «është territor vërtet i paprekur» dhe se «ata galaditë duhet të fillojnë gjithçka nga zero». Vetëm imagjino: nuk kishte zyrë dege, as Salla Mbretërie e as kongregacione; nuk njihnin askënd atje, dinin fare pak spanjisht dhe s’kishin as shtëpi e as mobilie. Çfarë do të bënin?

Lenarti kujton: «U strehuam në hotelin ‘Viktoria’ pesë dollarë dita për të dy, përfshirë vaktet. Pikërisht atë pasdite nisëm studimin e parë biblik në shtëpi. Ja si ndodhi: dy gra domenikane me të cilat kishim studiuar Biblën në Bruklin na kishin dhënë emrat e të afërmve e të të njohurve, një prej të cilëve ishte njëfarë doktor Grini. Kur i shkuam për vizitë, takuam edhe fqinjin e tij, Moisi Rolinsin. Pasi u shpjeguam si ua dinim emrat e adresat, dëgjuan me vëmendje mesazhin për Mbretërinë dhe pranuan të studionin Biblën. Shpejt Moisiu u bë lajmëtari i parë i Mbretërisë atje.»

Në fillim të qershorit 1945 erdhën katër misionarë  të tjerë dhe, pa kaluar shumë, dhanë mjaft literaturë e nisën tërë ato studime biblike. Në tetor u kuptua sa nevojë kishte për një vend për mbledhjet. Prandaj, misionarët modifikuan dhomat e ndenjjes e të ngrënies në shtëpinë misionare që të sajonin një Sallë Mbretërie. Në mbledhje vinin deri në 40 të pranishëm.

Një nga të parët që reagoi mirë ndaj së vërtetës ishte Pablo Bruzaudi, i njohur si Pali. Ai punonte në linjën e autobusëve nga Santiago në Sjutat-Truhijo, kështu që udhëtonte shpesh për në kryeqytet. Një ditë kur ishte në kryeqytet, Pali foli me dy Dëshmitare dhe pranoi librin E vërteta do t’ju bëjë të lirë. Ai nisi të studionte Biblën çdo ditë me to. Pa humbur kohë Pali filloi të predikonte me misionarët dhe u siguronte transportin. Më vonë takoi Lenart Xhonsonin dhe udhëtuan së bashku nga Sjutat-Truhijo drejt Santiagos, përshkuan malet e zbritën në qytetin bregdetar të Puerto-Platës, që të vizitonin një grup të interesuarish të cilët donin të mësonin më shumë dhe i kishin shkruar selisë botërore në Bruklin, Nju-Jork.

Një vizitë nga vëllezërit Nor dhe Franc

Në mars të vitit 1946 Republikën Domenikane e vizituan Nejthën Nori dhe Frederik Franci nga selia botërore. Këtë vizitë mezi e pritnin dhe, përveç vëllezërve, në një fjalim të vëlla Norit morën pjesë 75 të interesuar. Gjatë vizitës vëlla Nori mori masa të hapte një zyrë dege në Republikën Domenikane.

Vëllezërit Nor dhe Franc në Sallën e parë të Mbretërisë në Republikën Domenikane, në Sjutat-Truhijo

Erdhën më shumë misionarë dhe nga fundi i vitit të shërbimit 1946 në vend kishte 28 lajmëtarë. Meqë në këtë vend lajmi i mirë sa kishte filluar të predikohej,  misionarët kaluan net me radhë duke skicuar territorin që të bënin një fushatë predikimi të organizuar e të plotë.

Vepra zgjerohet

Më 1947 në predikim merrnin pjesë mbi 59 lajmëtarë. Po atë vit, në Republikën Domenikane u caktuan disa misionarë që kishin shërbyer në Kubë. Mes tyre ishin Roi dhe Uanita Branti. Vëlla Branti u caktua mbikëqyrës dege dhe vazhdoi në këtë caktim gjatë dhjetë viteve pasuese.

Nga fundi i vitit të shërbimit 1948 kishte rreth 110 lajmëtarë që predikonin lajmin e mirë përkrah misionarëve të palodhur. Megjithatë, ata lajmëtarë të zellshëm s’e dinin fare se i pritnin kohë tejet të vështira.

^ par. 1 Literatura Watch Tower shpërndahej në Republikën Domenikane që nga 1932-shi. Por, puna për t’i mësuar individualisht për të vërtetën filloi në vitin 1945 kur erdhi çifti Xhonson.