Një shkollë e re plotëson një nevojë të madhe

Jehovai e bekoi punën e palodhur të shërbëtorëve të tij në Republikën Domenikane. Më 1994 u arrit një mesatare prej 16.354 lajmëtarësh në 259 kongregacione. Falë kësaj rritjeje të shkëlqyer lindi një nevojë e ngutshme për pleq e shërbëtorë ndihmës të aftë. Po atë vit Trupi Udhëheqës dha miratimin që në Republikën Domenikane të bëhej Shkolla e Stërvitjes për Shërbim, që tani quhet Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë.

 Në tetor 2011 tashmë ishin diplomuar gati 600 studentë nga 25 klasat e mbajtura atje. Sot, më shumë se gjysma e të diplomuarve janë në ndonjë formë të shërbimit të plotkohor: 71 si pionierë specialë dhe 5 në veprën qarkore. Dega mirëpriti dhjetë klasat e para, më pas klasat e tjera janë mbajtur në godinat për shkollat në Vija Gonsales.

«Dëshmitarët e Jehovait kujdesen për vëllezërit e tyre»

Më 22 shtator 1998 uragani Xhorxh goditi Republikën Domenikane me erëra me shpejtësi 190 km në orë, dhe bëri kërdinë. Mijëra veta mbetën të pastrehë dhe mbi 300 vdiqën. Me ndihmën e Komitetit Rajonal të Ndërtimit, Komiteti i Ndihmës në Rast Katastrofash organizoi një qendër ndihme në pronën e një Salle Mbretërie në La Romanë. Rreth  300 Dëshmitarë dhanë një dorë, përfshirë disa nga 16 vende.

Duheshin restauruar e rindërtuar 23 Salla Mbretërie gjithsej dhe mbi 800 shtëpi të vëllezërve e motrave. Për shembull, Karmeni, një pioniere e rregullt e moshuar, u ndie përtokë kur uragani ia shembi shtëpinë ku kishte jetuar për 38 vjet. Megjithatë s’e mbante dot veten nga gëzimi kur një skuadër me 15 vëllezër erdhi të hidhte themelet për shtëpinë e saj të re. Ajo thotë: «Jehovai na mban gjithnjë në mendje dhe kujdeset për ne. Shihni sa shtëpi të bukur po më ndërtojnë vëllezërit! Komshinjtë e mi u shprehën: ‘Dëshmitarët e Jehovait kujdesen për vëllezërit e tyre; e duan vërtet njëri-tjetrin.’» Fjalë të ngjashme u dëgjuan anekënd vendit ndërsa punëtorët mbështetnin vëllezërit e motrat e traumatizuar.

Edhe pse uragani Xhorxh ishte një katastrofë e jashtëzakonshme, mbështetja e dashur e popullit të Jehovait u solli lehtësim fizik e frymor vëllezërve që ishin viktima të kësaj stuhie. Ç’është më e rëndësishmja, përpjekjet vetëmohuese të vullnetarëve i sollën lavdi Jehovait, atij që na lehtëson vërtet.

Përshpejtohet ndërtimi i Sallave të Mbretërisë

Me vërshimin marramendës të dishepujve të ri, lindi nevoja për më shumë Salla Mbretërie. Ndaj në nëntor 2000 vëllezërit në Republikën Domenikane filluan të ndërtonin Salla Mbretërie me ndihmën e programit për vendet me të ardhura të kufizuara. Si rrjedhojë, një kongregacion mund të ndërtojë për afro tetë javë një Sallë Mbretërie të rehatshme e tërheqëse. Në shtator 2011 dy grupe vullnetarësh  kishin ndërtuar ose restauruar rreth 145 Salla Mbretërie.

Këto ndërtesa, si edhe punëtorët kanë dhënë dëshmi të fuqishme. Për shembull, në një qytet të vogël në veriperëndim të vendit, vëllezërit gjetën një truall të mundshëm për një Sallë Mbretërie të re. Një pionier special foli me pronarin për blerjen e truallit. Ai iu përgjigj: «Mos u lodh kot, nuk do t’jua shes këtë pronë, sidomos për të ndërtuar një kishë.»

Shpejt pas kësaj bisede, pronari vajti në Puerto-Platë të vizitonte të vëllanë e moshuar që është Dëshmitar i Jehovait. Kur mbërriti, pa se një familje Dëshmitarësh e kishin marrë në shtëpi vëllanë e sëmurë që të kujdeseshin për të. Ata e shoqëronin te mjeku, në mbledhje dhe në predikim. Burri pyeti të vëllanë sa kishte paguar për gjithë këtë kujdes. Ai iu përgjigj: «Hiç, asgjë! Janë vëllezërit e mi.»

«Ky është grupi më i bashkuar e më i përzemërt që kam parë në jetën time»

Pronari i truallit u prek kaq shumë nga kjo mirësi e rrallë e Dëshmitarëve, sa i telefonoi pionierit special me të cilin kishte folur më parë që t’i thoshte se kishte ndryshuar mendje dhe se donte t’ua shiste pronën. Vëllezërit e blenë pronën dhe nisën ndërtimin e sallës. Në fillim e shoqja e pronarit nuk i shihte fare me sy të mirë Dëshmitarët e Jehovait. Mirëpo, kur vuri re se vëllezërit në kantier punonin krah për krah, pohoi: «Ky është grupi më i bashkuar e më i përzemërt që kam parë në jetën time.»