Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 REPUBLIKA DOMENIKANE

«Do t’i gjejmë një ditë»

«Do t’i gjejmë një ditë»

«Do t’i gjejmë një ditë»

Rreth vitit 1935 në një zonë që quhej lugina e Sibaut, Pablo Gonsalesi filloi të lexonte Biblën. U shoqërua për njëfarë kohe me një grup protestantësh, por u shkëput kur pa se nuk vepronin sipas Shkrimeve. Sidoqoftë, vazhdoi ta studionte i vetëm Fjalën e Zotit dhe nisi t’u tregonte të tjerëve ato që mësonte, së pari familjes dhe fqinjve, më pas të tjerëve në zonat aty rrotull. Shiti fermën dhe gjënë e gjallë, e paratë i përdori për udhëtimet e shërbimit.

Që nga 1942-shi Pablo po vizitonte të paktën 200 familje nga zonat përreth dhe mbante rregullisht mbledhje, ndonëse nuk i kishte takuar asnjëherë Dëshmitarët e Jehovait. I nxiste njerëzit të studionin Biblën dhe të jetonin sipas saj. Mjaft veta e morën për zemër atë që u tha. Kështu lanë duhanin dhe nuk e praktikonin më poligaminë.

Mes atyre që dëgjuan mesazhin biblik të Pablos ishte dhe Seleste Rozario. Ajo kujton: «Kur isha 17 vjeçe, kushëriri i mamasë, Negro Jimenezi, i përkiste një  grupi që e drejtonte Pablo Gonsalesi. Erdhi te ne dhe na lexoi shkrime nga Bibla, të cilat më mjaftuan që ta lija Kishën Katolike. Në kishë lexohej në latinisht, të cilën nuk e kuptonim. Pa kaluar shumë, Pablo erdhi të na jepte zemër. Ai tha: ‘Nuk i përkasim asnjërës prej feve të shumta që njohim, ama kemi vëllezër kudo në botë. Akoma nuk e dimë cilët janë a si quhen, por do t’i gjejmë një ditë.’»

Pablo kishte formuar grupe me studentë të Biblës në Los-Kakaus-Salsedo, Monte-Adentro, Salsedo dhe Vija-Tenares. Më 1948, kur ndaloi në Santiago që të merrte autobus tjetër, pa disa Dëshmitarë që predikonin në rrugë, të cilët i dhanë një revistë Kulla e Rojës. Në një udhëtim tjetër, një motër i dha dy libra dhe e ftoi në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit në Santiago. Atje u mahnit nga ajo që dëgjoi dhe arriti në përfundimin se, më në fund, kishte gjetur të vërtetën dhe se të pranishmit në atë mbledhje ishin ata që kishte shpresuar të gjente. Pikërisht këta kishte shpresuar të gjente bashkë me grupin.

 Misionarët vizituan të gjithë ata që kishin studiuar me Pablon. Në një nga vendet ku mbante mbledhjet gjetën 27 të rritur që pritnin tërë gëzim. Disa prej tyre kishin ecur më këmbë 25 kilometra, të tjerë kishin bërë 50 kilometra me kuaj. Në një vend tjetër ku mbante mbledhjet ishin 78 veta, kurse në një tjetër 69.

Pablo u dha misionarëve një listë me rreth 150 të interesuar. Ata njerëz të përulur e që e donin Perëndinë tashmë po e studionin Biblën dhe po i zbatonin parimet e saj. Thjesht kishin nevojë për organizim e drejtim. Seleste kujtonte: «Na vizituan misionarët dhe mbajtëm një mbledhje. U morën masa për pagëzim. Isha e para nga familja që u pagëzova. Më vonë u pagëzuan mamaja, Fidelia Jimenezi, dhe motra, Karmeni.»

Asambleja e parë qarkore në Republikën Domenikane, që u mbajt në Santiago më 23-25 shtator 1949, i dha vrull të mëtejshëm veprës së predikimit. Erdhën shumë njerëz kureshtarë, dhe fjalimin publik të dielën e ndoqën 260 veta. U pagëzuan 28 veta. Asambleja treditore bindi mjaft të rinj në të vërtetën se kjo ishte organizata që po përdorte Zoti për të përmbushur vullnetin e tij.