«E TASHMJA është kohë sprove», thuhej në Kullën e Rojës të 1 marsit 1915. Artikulli vazhdonte: «Mos vallë në të kaluarën ishim aktivë vetëm ngaqë shpresonim për ndryshimin tonë të lavdishëm më 1914, apo ishim aktivë nga dashuria dhe besnikëria ndaj ZOTËRISË, Mesazhit të Tij dhe vëllazërisë?!» Gjatë vitit 1915 disa Studentë të Biblës luftuan me zhgënjimin, ndërkohë që një pjesë e madhe e botës po luftonte në një kuptim tjetër.

Evropën po e zaptonte Lufta e Madhe, që më vonë u njoh si Lufta I Botërore. Mekanizmat e rinj ushtarakë po e ndryshonin natyrën e luftës, duke prekur civilët si kurrë më parë. Për shembull, më 1915 nëndetëset gjermane nisën të lundronin përreth Britanisë së Madhe. Më 7 maj 1915 një nga këto nëndetëse fundosi anijen britanike të pasagjerëve, Lusitania. Vdiqën më se 1.100 veta.

Çështja e asnjanësisë

Studentët e Biblës nuk donin të ishin pjesë e luftës. Gjithsesi, në atë kohë ende s’e kuptonin plotësisht qëndrimin e prerë asnjanës që duhet të mbajë një i krishterë. Edhe pse nuk hynin në ushtri me dëshirë, disa pranonin t’i rekrutonin dhe përpiqeshin të merrnin pozicione joluftarake. Të tjerë mendonin se, po t’i detyronin të shkonin në llogore, thjesht «mund të qëllonin sipër kokës së armikut».

Kulla e Rojës e 15 korrikut 1915 botoi historinë e një ushtari hungarez, që ishte pagëzuar teksa merrte veten nga plagët dhe që më vonë u kthye prapë në vijën e frontit. Revista tregon ç’ndodhi më tej: «Ata [ushtarët hungarezë] u afruan rreth 240 metra në frontin rus dhe morën urdhrin: ‘Sulm me bajoneta!’ Vëllai hungarez ishte në fund të formacionit të majtë. Ai vetëm sa donte të mbrohej nga armiku, ndaj u përpoq thjesht t’ia hiqte bajonetën nga duart rusit me të cilin po përballej. Pikërisht atëherë vuri se edhe  rusi po mundohej të vepronte njësoj. . . . Rusi lëshoi bajonetën përtokë dhe shpërtheu në lot. Vëllai e pa nga afër ‘armikun’ dhe dalloi se në kapotë kishte një stemë në formë karfice me një kryq e një kurorë. Edhe rusi ishte vëlla në Zotërinë.» *

Artikulli i botuar në Kullën e Rojës të 1 shtatorit 1915, «Detyra e krishterë dhe lufta», shpjegonte çështjen e asnjanësisë së krishterë. Atje thuhej: «Të jesh pjesë e ushtrisë dhe të veshësh uniformën ushtarake nënkupton të marrësh përsipër detyrimet tipike të një ushtari. . . . A nuk do të ishte vërtet e pavend që i krishteri të gjendej në këto rrethana?» Me kalimin e kohës u bë e qartë se të krishterët nuk duhej të merrnin fare pjesë në luftë.

Përshtatje në selinë botërore

Më 1915 shtatëdhjetë pjesëtarë të familjes Bethel në Nju-Jork i njoftuan se, për shkak të mungesës së fondeve, do t’u duhej të linin Bethelin e të shërbenin në fushë. Atyre iu tha: «Nuk duhet të futemi në borxhe e as të rrezikojmë veprën në përgjithësi, prandaj u mor vendimi për uljen e shpenzimeve në çdo aspekt.»

Klejtën Uduorthi dhe dy vëllezër të tjerë firmosën një letër që përfaqësonte «Të shtatëdhjetët që do të largohen». Kjo letër u botua në Kullën e Rojës të 1 majit 1915. Ata thanë se po iknin «me një ndjenjë gëzimi e mirënjohjeje për bekimet e privilegjet e shumta si pjesëtarë të ‘Familjes Bethel’».

Ai ndryshim caktimi, edhe pse i vështirë, u dha vëllezërve mundësinë që të tregonin ku bazohej vërtet besnikëria e tyre. A do të qëndronin besnikë ndaj Perëndisë apo do të  ushqenin mëri? Vëlla Uduorthi vazhdoi shërbimin në fushë e më vonë u kthye prapë në Bethel ku më 1919 u bë botuesi i parë i Epokës së Artë, revistës që sot e njohim si Zgjohuni! Vazhdoi si botues i saj deri në vitin 1946.

Mundësi shërbimi

Gjatë gjithë atij viti të vështirë Kulla e Rojës i nxiste vëllezërit të vazhdonin predikimin. Iu kushtua vëmendje e veçantë atyre që kishin treguar interes në të kaluarën. Revista e 15 dhjetorit 1915 thoshte: «Kemi lista të njerëzve nga i gjithë vendi, të cilët kanë dërguar letra ku kërkojnë literaturë. Sugjerojmë t’i vizitoni këta . . . që të kuptoni nëse e kanë humbur interesin.» Qëllimi ishte t’ua shndërronin interesin «në një zjarr, në zell për Perëndinë e të Vërtetën».

Si tani, edhe atëherë, ishte e rëndësishme që të krishterët të mbeteshin të përqendruar në interesat e Mbretërisë. Kulla e Rojës e 15 shkurtit 1915 thoshte: «Ne, që tani jemi zgjuar, duhet të jemi shumë aktivë dhe energjikë në shërbim të Perëndisë.» Shërbëtorët e Perëndisë duhej të qëndronin vigjilentë. Kulla e Rojës vazhdonte: «Duhet të bëjmë rojë. Çfarë të ruajmë? Kryesisht veten, të mbrohemi nga grackat e kohëve tona.»

Shkrimi i vitit 1916 i nxiste vëllezërit të qëndronin «të fortë në besim», sipas Romakëve 4:20 në përkthimin King James. Ky shkrim do t’u jepte zemër besnikëve vitin e ardhshëm, vit që pati sprovat e veta.

^ par. 4 Për vite me radhë Studentët e Biblës mbanin si shenjë identifikuese një stemë në formë karfice me një kryq e një kurorë. Ky simbol ishte në kopertinën e Kullës së Rojës për shumë vjet. Por, që nga fillimi i viteve 30 Dëshmitarët e Jehovait nuk e përdorën më stemën me kryq e kurorë.