• LINDUR: 1966

  • PAGËZUAR: 1990

  • TË DHËNA: Shërbeu si korrier gjatë luftës civile.

NË VITIN 1997, ndërsa forcat qeveritare luftonin në Fritaun, dola vullnetar për të mbajtur korrespondencën mes Fritaunit dhe zyrës së përkohshme të degës në Konakri, Guine.

Bashkë me burra të tjerë i hipa autobusit në një stacion në qytet. Krismat dëgjoheshin që nga larg, ndaj na hyri frika deri në palcë. Teksa udhëtonim nëpër rrugët e qytetit, na rrethoi një breshëri të shtënash. Shoferi u kthye mbrapa dhe mori një rrugë tjetër. Pak pas kësaj, na ndaluan një grup rebelësh të armatosur dhe na urdhëruan të dilnim nga autobusi. Pasi na pyetën, na lanë të kalonim. Më vonë na ndaloi një grup tjetër ushtarësh. Meqë një nga pasagjerët e njihte komandantin e tyre, edhe këta na lanë të kalonim. Në të dalë të qytetit, ndeshëm për herë të tretë një grup rebelësh që na morën në pyetje, por pastaj  na urdhëruan të lëviznim. Ndërsa shkonim për në veri, kaluam edhe shumë postblloqe te tjera deri në muzg kur autobusi ynë i mbuluar nga pluhuri arriti në Konakri.

Në udhëtime të tjera kam transportuar kuti me literaturë, pajisje zyrash, dokumente të degës dhe ndihma. Në përgjithësi kam udhëtuar me makinë dhe mikrobus. Por kam paguar edhe hamej dhe kam përdorur kanoe për të kaluar literaturë përmes pyjeve të shiut e përtej lumenjve.

Një herë, teksa çoja disa gjëra nga Fritauni në Konakri, ushtarët rebelë ndaluan në kufi mikrobusin ku kisha hipur. Njëri zbuloi valixhen time dhe nisi të më pyeste tërë dyshim. Tamam në këtë moment pashë një nga ish-shokët e shkollës në grupin e rebelëve. Ata e thërritnin Horri dhe ishte një nga ushtarët më të frikshëm. I thashë atij që po më pyeste se kisha ardhur për të takuar Horrin dhe pastaj i thirra. Horri më njohu menjëherë dhe erdhi shpejt për të më takuar. U përqafuam me gëzim. Pastaj u bë serioz.

Më pyeti: «Ke ndonjë hall?»

«Dua të shkoj në Guine»—i thashë.

Menjëherë urdhëroi ushtarët ta linin mikrobusin tonë të kalonte postbllokun pa kontrolle.

Që nga ajo ditë, sa herë ndaloja në atë postbllok, Horri urdhëronte ushtarët që të më linin të kaloja. U shpërndaja revista ushtarëve dhe ata i vlerësonin shumë. Shpejt nisën të më thërritnin Njeriu i Kullës së Rojës.