ISHA 16 vjeç kur ushtarët rebelë më detyruan të futesha në ushtrinë e tyre. Më siguruan drogë e alkool dhe shpesh luftoja nën efektin e saj. Kam marrë pjesë në shumë luftëra dhe kam kryer masakra të tmerrshme. Jam thellësisht i penduar për këtë.

Një ditë, një Dëshmitar i moshuar predikoi në kazermën tonë. Shumë njerëz i kishin frikë e i përbuznin rebelët, kurse ai po përpiqej të na ndihmonte frymësisht. Kur më ftoi në mbledhje, pranova të shkoja. Nuk mbaj mend çfarë u tha në mbledhje, por e kujtoj mirë mikpritjen e ngrohtë që më treguan.

Kur lufta mori dhenë, i humba lidhjet me Dëshmitarët. Pastaj u plagosa rëndë dhe më dërguan në një zonë të kontrolluar nga rebelët, për të marrë veten. Para se lufta të mbaronte, u arratisa dhe shkova në një zonë të kontrolluar nga qeveria. Mora pjesë në një program për të çarmatosur, çmobilizuar dhe për të integruar sërish në shoqëri luftëtarët.

Kisha shumë nevojë për ndihmë frymore. Ndoqa disa mbledhje pentekostale, por kur pjesëtarët e kishës flitnin me njëri-tjetrin më quanin Satana. Ndaj fillova të kërkoja Dëshmitarët e Jehovait. Me t’ gjetur, nisa të studioja e të ndiqja mbledhjet. Kur ua rrëfeva veprimet e mia të liga, vëllezërit më lexuan fjalët ngushëlluese të Jezu Krishtit: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po. . . . Nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët.»Mat. 9:12, 13.

Sa m’u prek zemra nga ato fjalë! Ia dorëzova thikën vëllait që studionte Biblën me mua dhe i thashë: «E mbaja  këtë armë për t’u mbrojtur nga hakmarrjet. Por tani që e di se Jehovai dhe Jezui më duan, nuk dua ta mbaj më.»

Vëllezërit më mësuan të lexoja e të shkruaja. Me kalimin e kohës u pagëzova dhe u bëra pionier i rregullt. Sot, kur u predikoj ish-rebelëve, më thonë se kanë respekt për mua ngaqë kam pastruar jetën. Madje kam studiuar edhe me ndihmës komandantin e skuadrës ku bëja pjesë.

Kur isha ushtar, më lindën tre djem. Pasi mësova të vërtetën, dëshiroja t’i ndihmoja frymësisht. Jam shumë i kënaqur që dy prej tyre kanë reaguar mirë. Një nga djemtë është lajmëtar i papagëzuar, kurse djali i madh tani është pionier ndihmës.