• LINDUR: 1966

  • PAGËZUAR: 1986

  • TË DHËNA: E sëmurë me poliomielit që u bë pioniere e rregullt.

QYSH e vogël isha e paralizuar nga mesi e poshtë dhe jetoja në një ndërtesë në Fritaun, bashkë me mamanë dhe me disa familje të tjera të varfra. Gjatë 18 viteve të para të jetës sime, kam guxuar të dal vetëm një herë nga ndërtesa, sepse kisha turp dhe frikë si do të më shihnin njerëzit.

Kur isha 18 vjeçe, Polina Lendisi, një misionare, erdhi në banesën time dhe u ofrua të më mësonte për Biblën. Kur i thashë se s’mund të lexoja a të shkruaja, Polina tha se do të më mësonte edhe për këtë. Ndaj pranova.

Ajo që mësova nga Bibla më mbushi me gëzim. Një ditë e pyeta Polinën nëse mund të shkoja në një nga mbledhjet e kongregacionit që mbaheshin te një shtëpi që ishte ca pallate më tutje. «Do të vij e mbështetur mbi blloqet e mia të drurit që më ndihmojnë të eci»,—i thashë.

Kur Polina erdhi të më merrte, mamaja dhe fqinjët më panë të shastisur. Mbërtheva blloqet prej druri, zgjata trupin dhe i vura në tokë. Pastaj peshova mbi blloqe dhe i  dhashë trupit përpara derisa i kapërceva. Teksa kaloja në oborr, fqinjët i bërtitnin Polinës: «Ti po e detyron të vijë. Ajo ka provuar të ecë edhe më parë, por s’ia ka dalë.»

Polina më pyeti me butësi: «Xhei, a dëshiron të vish?»

«Po!—iu përgjigja.—Ky është vendimi im.»

Fqinjët më shihnin në heshtje teksa i afrohesha portës së madhe. Kur dola nga ndërtesa, brohoritën nga gëzimi.

Sa u kënaqa në atë mbledhje! Pas kësaj isha e vendosur të shkoja në Sallën e Mbretërisë. Kjo nënkuptonte «të ecja» deri në fund të rrugës, të merrja taksi për një copë udhë dhe pastaj të prisja që vëllezërit të më ngjitnin në një kodër të pjerrët. Shpesh isha qull dhe tërë baltë kur arrija në Sallë e më duhej t’i ndërroja rrobat atje. Më vonë, një motër në Zvicër me dashamirësi më dërgoi një karrige me rrota që më jepte mundësi të lëvizja me dinjitet.

Falë leximit të përvojave të Dëshmitarëve të tjerë invalidë, mora zemër që t’i shërbeja më plotësisht Jehovait. Më 1988, nisa shërbimin si pioniere e rregullt. Iu luta Jehovait të më ndihmonte të arrija synimin, pra të ndihmoja ndonjë pjesëtar të familjes ose ndonjë në territorin tim të bëhej shërbëtor i tij. Lutjet e mia morën përgjigje kur arrita të ndihmoj dy nga nipërit e mi dhe një grua që takova ndërsa dëshmoja në rrugë.

Tani krahët e mi kanë humbur fuqinë dhe, nëse dua të lëviz, varem nga të tjerët që të më shtyjnë karrocën. Gjithashtu vuaj nga dhembje kronike. Por kam parë se kur u mësoj të tjerëve për Jehovain është si një ilaç për dhembjet e mia. Gëzimi që ndiej ma lehtëson dhembjen dhe më ngushëllon, sepse Jehovai më ka ngritur dhe tani bëj një jetë me qëllim.