• LINDUR: 1879

  • PAGËZUAR: 1908

  • TË DHËNA: Mori drejtimin në fillimet e veprës së predikimit në Afrikën Perëndimore.

NDËRSA punonte për ndërtimin e Kanalit të Panamasë në vitin 1907, Uilliami kaloi në një cep rruge ku dëgjoi fjalimin që mbante Isaia Riçardsi, një Student i Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Riçardsi e bazoi fjalimin e tij mbi «Diagramin e epokave», tabelë që përdorej për të shpjeguar qëllimet e Perëndisë. Shpejt Uilliami e pranoi të vërtetën dhe u kthye në Xhamajkë që t’ia mësonte edhe mamasë e motrës. Me kohë edhe ato u bënë Studente të Biblës.

Për ca kohë, vëlla Brauni shërbeu në Panama-Siti, Panama. Atje takoi Ivander Xh. Kouardin, përfaqësues udhëtues i Studentëve të Biblës që po vizitonte Panamanë gjatë një udhëtimi për fjalime. Kouardi ishte orator energjik që të linte gojëhapur. Turmat dyndeshin për ta dëgjuar. Kur pa se Uilliami kishte zell për të vërtetën, e ftoi ta shoqëronte në një udhëtim predikimi në Trinidad.

 Për gati dhjetë vjetët që pasuan, Uilliami udhëtoi anekënd Indive Perëndimore, duke shërbyer si pionier e duke forcuar grupet e vogla. Më 1920, u martua me Antonian, një motër besnike. Dy ditë pas dasmës, Uilliami dhe Antonia lundruan për në ishullin e vogël të Montserratit, në Ishujt Liuard, dhe morën me vete «Foto-Dramën e Krijimit», prezantim me filmime dhe diapozitiva prej katër pjesësh i bazuar në Bibël. Gjithashtu predikuan nëpër ishujt e Barbadosit, Dominikës dhe Grenadës. Kaluan një muaj mjalti të këndshëm në shërbim të Jehovait.

Dy vjet më vonë, Uilliami i shkroi Xhozef F. Radhërfordit, që në atë kohë mbikëqyrte veprën e popullit të Jehovait, këto fjalë: «Me ndihmën e Jehovait kam dhënë dëshmi anembanë pjesës më të madhe të ishujve të Karaibeve dhe kam bërë shumë dishepuj. A duhet të kthehem sërish tek ata?» Brenda pak ditësh vëlla Radhërfordi iu përgjigj: «Vazhdo në Sierra-Leone, në Afrikën Perëndimore me gruan dhe vajzën.»

Gjatë 27 vjetëve që vëlla Brauni shërbeu me familjen në Afrikën Perëndimore, nuk ndihej rehat ulur në zyrë. Parapëlqente të dilte e të predikonte. Ngaqë theksonte rëndësinë e Biblës, njerëzit nisën ta thërritnin Brauni «i Biblës».

Më 1950, kur ishte 71 vjeç, Uilliam Brauni u kthye në Xhamajkë bashkë me gruan që të shërbenin si pionierë. Uilliami shërbeu si pionier derisa përfundoi jetën e tij në tokë në vitin 1967. Sa e donte shërbimin si pionier! Mendonte se ky ishte një nga privilegjet më të mëdha që mund të kishte njeriu.