Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 SIERRA-LEONE DHE GUINEJA

1945-1990 «Çojnë shumë veta në drejtësi»—Dan. 12:3. (Pjesa 3)

1945-1990 «Çojnë shumë veta në drejtësi»—Dan. 12:3. (Pjesa 3)

Përballja me poron

Sulmi i parë ndodhi në një fshat pranë Koindusë, ku një grup burrash studionin Biblën e ndiqnin rregullisht mbledhjet. Si shumica e burrave kisi, ata i përkitnin poros, një shoqëri sekrete e zhytur në spiritizëm. Xhejms Mensa, misionar i stërvitur në Galaad që ka shërbyer në Sierra-Leone, shpjegon: «Kur studentët e Biblës nuk pranuan të merrnin pjesë në rite demonike, kryetari i poros u xhindos. Ai dhe mbështetësit e tij i rrahën studentët, u vodhën pronat, u dogjën shtëpitë, i lidhën me zinxhirë e i lanë në një zonë të shkretë që të vdisnin urie. Prijësi i madh i nxiti anëtarët e poros të vazhdonin kështu. Pavarësisht nga kjo, studentët shfaqën qëndrueshmëri.»

 Kur vëllezërit në Koindu ia raportuan çështjen policisë, kryetarin e poros, shokët e tij dhe prijësin e madh i arrestuan. I çuan në gjyq, i qortuan ashpër dhe prijësin e madh e pezulluan nga puna për afro një vit. Kjo fitore ligjore u mor vesh gjithandej dhe u dha guxim shumë të interesuarve të tjerë të ndiqnin mbledhjet. Më vonë, prijësi i madh ndryshoi qëndrim dhe nisi të tregonte interes për të vërtetën. Kur në zonën e tij u mbajt një asamble qarkore, strehoi delegatët dhe madje dhuroi një lopë të majme.

Udhëheqësit e tjerë të poros provuan të sulmonin në një formë tjetër—me dinakëri ‘kurdisën telashe me anë të dekretit’. (Psal. 94:20) Politikanët poro propozuan në parlament që të ndalohej vepra e Dëshmitarëve të Jehovait. «Por prijësi i madh na doli në mbrojtje dhe u tha se kishte studiuar me ne për dy vjet,—thotë Çarls Çapëlli.—U tregoi se organizata jonë është plotësisht asnjanëse politikisht, i arsimon dhe i ndihmon njerëzit të kenë norma të larta morale. Pastaj tha se shpresonte të bëhej Dëshmitar një ditë. Kur e mbështeti një tjetër anëtar i parlamentit, që gjithashtu kishte studiuar me ne, propozimi u hodh poshtë.»

«Të të ushqejë Perëndia!»—i thoshin me sarkazëm

Ata që dilnin nga shoqëritë sekrete hasnin kundërshtim të fortë nga familja. Një prej tyre ishte Xhonatan Selui, adoleshent nga Koinduja. Prej katër brezash paraardhësit e tij ishin priftërinj të kultit juju. Edhe atë po e stërvitnin për të njëjtën detyrë. Kur nisi të studionte Biblën, hoqi dorë nga ritet dhe flijimet spiritiste. Familjarët e kundërshtuan ashpër, e hoqën nga shkolla dhe nuk i jepnin për të ngrënë kur shkonte në mbledhjet e krishtere. «Të të ushqejë Perëndia!»—i thoshin me sarkazëm. Por Xhonatani nuk u dorëzua. Nuk vuajti urie. Madje  mësoi shkrim e lexim dhe më vonë, u bë pionier i rregullt. Xhonatani u kënaq shumë kur mamaja e tij pranoi të vërtetën.

Rritje në zona të tjera të vendit

Më 1960, kishte kongregacione dhe grupe të izoluara në Bou, Fritaun, Kisi, Koindu, Lansar, Megbrakë, Makeni, Moiambë, Port-Loko, Vaterlo dhe deri në veri, në Kabalë. Numri i lajmëtarëve atë vit shkoi nga 182 në 282 veta. Nga Gana dhe Nigeria erdhën shumë pionierë specialë për të forcuar kongregacionet që sa vinin e rriteshin.

Pjesa më e madhe e lajmëtarëve të rinj ishin nga dy grupe: kriot, që jetonin brenda dhe përreth Fritaunit, dhe kisit, që jetonin në provincën lindore. Por, teksa lajmi i mirë përhapej, edhe fise të tjera nisën të reagonin mirë ndaj së vërtetës. Ndër ta ishin kurankot, limbët, timnët në veri, mendët në jug dhe grupe të tjera etnike.

Më 1961, kongregacioni «Fritaun Lindja» kushtoi Sallën e Mbretërisë. Pastaj Kongregacioni i Koindusë kushtoi Sallën e Mbretërisë, ndërtuar me tulla, me 300 vende, që përdorej edhe si Sallë Asamblesh. Pak pas kësaj, 40 pleq ndoqën klasën e parë të Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë në Sierra-Leone. Për më tepër, në atë vit të jashtëzakonshëm vëllezërit morën pjesë në një fushatë të suksesshme për shpërndarjen e Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re.

Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë në Sierra-Leone, 1961. Uilliam Nushi (rreshti mbrapa, në mes), Çarls Çapëlli (rreshti i mesit, i dyti nga e djathta), dhe Riva Çapëlli (rreshti i parë, e treta nga e djathta)

Ishte e qartë se Jehovai po e bekonte popullin e tij. Më 28 korrik 1962, qeveria në Sierra-Leone regjistroi zyrtarisht Shoqatën Ndërkombëtare të Studentëve të Biblës,  një korporatë ligjore e përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait në shumë shtete.

Hapet vepra në Guine

Tani le ta kthejmë vëmendjen te Guineja fqinje (më parë quhej Guineja Franceze). Para vitit 1958, ca vëllezër u kishin dëshmuar shkurtimisht disave ndërsa kalonin përmes shtetit, por autoritetet koloniale franceze e kishin kundërshtuar veprën tonë. Gjithsesi, më 1958, u krijuan mundësi të reja kur Guineja hodhi poshtë sundimin francez dhe u bë republikë e pavarur.

Më vonë po atë vit, Manuel Diogo, vëlla frëngjishtfolës nga Dahomei (tani Benin) në fillim të të 30-ave,  filloi punë në një minierë boksiti në Fria, qytet rreth 80 kilometra në veri të kryeqytetit, Konakrit. Plot dëshirë për të dëshmuar në këtë territor të papredikuar, Manueli i shkroi degës së Francës për t’i kërkuar literaturë dhe ndihmën e pionierëve specialë. Letra e tij mbyllej me fjalët: «Lutem që Jehovai të bekojë veprën, sepse ka interes të jashtëzakonshëm këtu.»

Dega e Francës i shkroi Manuelit një letër inkurajuese dhe e nxiti të qëndronte në Guine sa më gjatë. Gjithashtu dega mori masa që një pionier special ta vizitonte për ta stërvitur në shërbim. Manueli mori forcë nga kjo masë dhe predikoi me zell në Fria derisa vdiq në vitin 1968.

Kur mbikëqyrësi i zonës Uilfred Guçi vizitoi Konakrin më 1960, zbuloi se atje predikonin edhe dy vëllezër të tjerë afrikanë. Vëlla Guçi rekomandoi që për Guinenë të kujdesej dega e Sierra-Leones dhe jo zyra e degës në Francë. Ky ndryshim ndodhi më 1 mars 1961. Një muaj më vonë u formua në Konakri kongregacioni i parë i Guinesë.

Drita frymore depërton në pyjet e shiut

Lajmi i mirë po përhapej edhe në jug të Guinesë. Falla Gondo, anëtar i fisit kisi që jetonte në Liberi, u kthye në fshatin e tij në Fodedu, afro trembëdhjetë kilometra në perëndim të Gekedus. Kishte librin Nga parajsa e humbur në parajsën e rifituar. Fallai nuk dinte të lexonte, por arrinte t’ua shpjegonte figurat e librit anëtarëve të fisit të tij. Ai kujton: «Libri hapte shumë biseda. Njerëzit e quanin libri për Adamin dhe Evën.»

Fallai u rikthye në Liberi. U pagëzua dhe me kohë u bë pionier special. Dy herë në muaj, kthehej në Fodedu  për të studiuar me një grup prej 30 vetash. Pa kaluar shumë, i erdhi në ndihmë Borbor Sisi, një tjetër pionier special kisi nga Liberia. Së bashku hapën një grup tjetër në Gekedu. Të dyja grupet u bënë kongregacione.

Ndërsa gjithnjë e më shumë kisi bëheshin Dëshmitarë, krerët vendës vinin re sjelljen e tyre të mirë. Dëshmitarët punonin fort, ishin të ndershëm dhe nxitnin paqen në fshatrat ku jetonin. Ja përse, kur vëllezërit kërkuan leje për të ndërtuar një Sallë të Mbretërisë në Fodedu, krerët me gatishmëri u dhanë 3 hektarë tokë. Salla e parë e Mbretërisë në Guine përfundoi në fillim të 1964-s.

Trazira në Konakri

Ndërkohë, në Konakri dukeshin re të zeza në horizont. Trazirat politike i shtynë zyrtarët qeveritarë t’i shihnin me dyshim të huajt. Katër misionarëve të Galaadit nuk u dhanë leje qëndrimi të përhershme dhe i dëbuan nga vendi. Dy vëllezër nga Gana i arrestuan mbi akuza të rreme dhe i burgosën për afro dy muaj.

Menjëherë pasi i liruan, njërin nga vëllezërit, Imanuel Ousu-Ansën, e arrestuan përsëri dhe e mbajtën në kushte të tmerrshme. Nga qelia e pistë, shkroi: «Jam i shëndetshëm frymësisht por më zënë vazhdimisht ethet. Prapëseprapë, arrij të predikoj. Muajin e kaluar bëra 67 orë shërbim dhe dy studentë të Biblës nisën të predikonin me mua.» Një nga studentët u bë Dëshmitar. Pas pesë muajsh, vëlla Ousu-Ansën e liruan dhe e dëbuan në Sierra-Leone. Në Konakri mbeti vetëm një lajmëtar.

Më 1969, kur tensioni politik kishte rënë, në Konakri shkuan disa pionierë specialë. Me lejen e autoriteteve morën një vend për ta përdorur si Sallë të Mbretërisë  dhe vendosën një tabelë për ta identifikuar. Shpejt, rreth 30 të interesuar ndiqnin mbledhjet rregullisht.

Në fillim vëllezërit predikonin me kujdes nga rreziku i arrestimit. Por, kur fituan më shumë siguri, i shtuan përpjekjet. Gjatë vitit 1973, ai kongregacion i vogël shpërndau 6.000 fletushka. Më vonë, lajmëtarët nisën të ofronin revista nëpër zyra dhe qendra biznesi. Dalëngadalë, zyrtarët qeveritarë dhe njerëzit në territor filluan ta kuptonin e ta çmonin veprën tonë. Më 15 dhjetor 1993, përpjekjet me durim dhe ngulm u kurorëzuan kur Shoqata e Krishterë e Dëshmitarëve të Jehovait në Guine u regjistrua zyrtarisht.