RRETH 500 vjet më parë, buzë grykëderdhjes së lumit Sierra-Leone, zuri rrënjë e mbiu një pemë e vockël kapoku. Teksa ajo pemë rritej, për 300 vjet me radhë ishte dëshmitare e një kortezhi tragjik. Tregtarët e pashpirt të skllevërve degdisën afro 150.000 burra, gra e fëmijë përtej detit, që të shiteshin nëpër tregjet e huaja të skllevërve.

Pema historike e Kapokut në Fritaun

 Më 11 mars 1792, qindra skllevër amerikanë të liruar u mblodhën nën Pemën e Kapokut për të festuar riatdhesimin e tyre në Afrikë. Po atë ditë, themeluan një qendër banimi që personifikonte shpresën e tyre më të madhe—Fritaunin, qytetin e lirë. Skllevërit e liruar vazhdonin të vinin në Fritaun, derisa u bënë mbi 100 grupe afrikane. Këta qytetarë të sapoardhur e adoptuan Pemën e Kapokut si simbol të lirisë dhe shpresës.

Për gati 100 vjet, Dëshmitarët e Jehovait në Sierra-Leone kanë ngushëlluar njerëzit me shpresën për një liri shumë më të madhe, «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë». (Rom. 8:21) Kjo do të thotë çlirim nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes kur Mbretëria mesianike e Perëndisë të sjellë paqe dhe kushte parajsore në tokë.Isa. 9:6, 7; 11:6-9.

Ka 50 vjet që zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Sierra-Leone mbikëqyr edhe veprën e predikimit në Guine. Ky komb fqinj ka përjetuar trazira politike, shoqërore dhe ekonomike, prandaj shumë banorë kanë reaguar mirë ndaj mesazhit inkurajues të Biblës.

Dëshmitarët e Jehovait në Sierra-Leone dhe Guine kanë shpallur lajmin e mirë përballë pengesave të panumërta si: probleme fizike, varfëri të skajshme, analfabetizëm mjaft të përhapur, tradita të rrënjosura, përçarje etnike dhe dhunë të llahtarshme. Tregimi që vijon dëshmon për besimin dhe përkushtimin e paepur të këtyre shërbëtorëve besnikë të Jehovait. Jemi të bindur se kjo histori do t’ju prekë zemrën e do t’ju forcojë besimin te «Perëndia që jep shpresë».Rom. 15:13.