• VENDE 47

  • POPULLSIA 741,892,871

  • LAJMËTARË 1,601,915

  • STUDIME BIBLIKE 862,555

«Mos ke ngatërruar vend?»

Një grua somaleze në Suedi e ftuan të ndiqte një mbledhje në Sallën e Mbretërisë dhe ajo vendosi të shkonte. Gjërat nuk shkuan mirë. Askush nuk e mirëpriti, vetëm ia ngulën sytë të habitur. U ndie shumë në siklet. Dikush që me sa duket e vuri re se nuk ishte rehat, e pyeti: «Mos ke ngatërruar vend?»

 «Po, mendoj që po»,—iu përgjigj ajo dhe pastaj iku. Më vonë, kur takoi Dëshmitarët që e kishin ftuar, ishte shumë e mërzitur dhe i tha se nuk do të shkonte më kurrë në atë vend. Ata pyetnin veten ç’mund të kishte ndodhur sepse nuk mbanin mend ta kishin parë në Sallën e Mbretërisë. Pastaj gjatë bisedës kuptuan se gabimisht kishte shkuar në një kishë.

Dëshmitarët e nxitën të vinte sërish në Sallën e Mbretërisë. Ajo pranoi, por tha se nuk do të rrinte më shumë se dhjetë minuta nëse nuk ndihej rehat. Gjithsesi, kur hyri në Sallë, të gjithë në kongregacion  e mirëpritën me përzemërsi. U kënaq aq shumë në mbledhje, sa iku e fundit nga Salla e Mbretërisë. Që nga ajo kohë, i ka ndjekur rregullisht mbledhjet dhe tani është lajmëtare e pagëzuar.

Ai gjeti një ftesë në rrugë

Greqi: Tani Sterjosi u flet të tjerëve për thesarin që ka gjetur

Sterjosi është një i ri që jeton në Greqi. Një mëngjes kur po kthehej nga puna vendosi t’i binte nga një rrugë tjetër, jo nga rruga që kalonte zakonisht. Sterjosit i ra në sy diçka në tokë. Ishte ftesa e Përkujtimit të vdekjes së Krishtit. Aty bëhej pyetja: «Si e imagjinoni Jezuin?» Meqë kishte njerëz aty rrotull, Sterjosi ngurroi ta merrte ftesën nga toka. Kur mbërriti në shtëpi, nisi të mendonte për pyetjen që shkruhej në ftesë dhe deshi të dinte më shumë.

Atë pasdite, Sterjosi e kishte lënë të dilte për kafe me disa miq. Rrugës për tek ata, vendosi të kalonte andej nga kishte parë ftesën me shpresë se do ta gjente sërish aty. Ftesa ishte, por kishte ende njerëz vërdallë dhe përsëri ngurroi ta merrte. Kur po kthehej në shtëpi, Sterjosi mori për nga e njëjta rrugë—ftesa gjendej akoma aty. Kësaj radhe e mori dhe e lexoi. Pastaj vendosi të ndiqte Përkujtimin.

Në fund të Përkujtimit, Sterjosi pranoi ftesën për një studim biblik falas. Nisi të ndiqte mbledhjet dhe përparoi frymësisht. U pagëzua në një asamble speciale në mars të 2013-s.

Një talk-show radiofonik rrëzon paragjykimet

Në janar të vitit 2010, Fini, një vëlla në Kopenhagë, Danimarkë, doli për një shëtitje dhe mori disa  revista me vete. Teksa ecte në një rrugicë pa një zotëri të moshuar që po vinte drejt tij. Fini i ofroi revistat e dhjetorit 2009, që përmbanin disa artikuj për Krishtlindjet. Kur zotëria i moshuar foli, Fini njohu zërin e tij. Ishte një prezantues shumë i arsimuar i një talk-show radiofonik. Të nesërmen Fini dëgjoi emisionin dhe u habit kur dëgjoi prezantuesin tek shpjegonte se kishte pranuar revistat një ditë më parë. Pastaj, gjatë transmetimit lexoi disa fragmente nga artikujt. Ndër të tjera, lexoi për «yllin» misterioz që u shfaq në kohën kur lindi Jezui dhe pranoi se duhet të ishte dërguar vërtet nga Satanai.

Fini mori zemër nga ajo që kishte ndodhur falë revistave dhe i telefonoi prezantuesit të talk-show. Gjatë bisedës që vijoi, Fini me mirësjellje e pyeti nëse mund të transmetohej në radio një program me tema biblike. Dy javë më vonë, mori përgjigje pozitive. U transmetuan më shumë se 30 programe me nga dy orë secili që flitnin vetëm për Dëshmitarët e Jehovait dhe Biblën. Prezantuesi dhe Fini biseduan për tema të zgjedhura dhe iu përgjigjën qindra telefonatave nga dëgjuesit.

Një dëgjues i telefonoi operatorit të stacionit radiofonik dhe i la numrin e telefonit. Donte që vëllezërit ta kontaktonin. Menjëherë u morën masa që ta takonin. Për vite me radhë, burri kishte dëgjuar shpifje për Dëshmitarët e Jehovait nga familjarët dhe miqtë, por falë emisionit radiofonik paragjykimet e tij për Dëshmitarët e Jehovait u fashitën. U nis një studim biblik dhe, në 2013-n, burri ndoqi Përkujtimin dhe  fjalimin special. I ndjek të gjitha mbledhjet të dielave dhe bën komente domethënëse gjatë Studimit të Kullës së Rojës. Edhe të tjerë në atë zonë kanë reaguar pozitivisht ndaj të vërtetës, falë asaj që dëgjuan në këto programe radiofonike.

Ajo la një ftesë te dera e tyre

Ishte dita e fundit e një kongresi krahinor në Itali. Kur Luçoja po përshëndetej me disa miq, grupit iu afrua një çift. Luçoja i pyeti nga cili kongregacion ishin. «Ne nuk i përkasim ndonjë kongregacioni»—u përgjigjën ata.

Luçoja i pyeti: «Ju ka ftuar dikush?»

Ata thanë: «Jo, erdhëm vetë.»

Luçoja u bë kurioz, ndaj vazhdoi: «A mund t’ju pyes çfarë ju shtyu të vinit?»

Ata iu përgjigjën: «Gjetëm një ftesë në derën tonë dhe vendosëm të vinim.»

Kur i treguan Luços se ku banonin, Estera, e shoqja, tha me entuziazëm: «E kam lënë unë atë ftesë! Ishte dita e fundit e fushatës dhe mendova që ftesat e mbetura t’i lija në dyert e atyre që nuk kisha gjetur në shtëpi, në vend që t’i hidhja.» Kur e panë ftesën, ata ndanë mendjen të udhëtonin për në vendin e kongresit që të ndiqnin programin të dielën pasuese. Pasi folën shkurtimisht, Luçoja dhe Estera e ftuan çiftin për një vakt në shtëpinë e tyre dhe vazhduan bisedën. Çifti i interesuar pranoi një studim biblik. Përgatiten gjithnjë mirë për studimin dhe tani ndjekin mbledhjet e komentojnë gjatë tyre.