«NE BESOJMË se viti 1914 paraqet mundësinë më të madhe të shërbimit në favor të së vërtetës, sesa çdo vit i mëparshëm i kohës së korrjes»—thuhej në Kullën e Rojës të 1 janarit 1914. Më në fund kishte ardhur viti që Studentët e Biblës po prisnin prej dekadash dhe ata ishin të angazhuar me mish e me shpirt në veprën e predikimit. Miliona veta dëgjuan premtimet biblike falë përpjekjeve të Studentëve të Biblës në atë vit. Megjithatë, bota që i rrethonte po investonte energjitë e saj në një drejtim krejt tjetër.

 Bota bëhet më e dhunshme

Në fillim të 1914-s, një nga grevat më të dhunshme në historinë e Shteteve të Bashkuara u mori jetën burrave, grave e fëmijëve. Minatorët e grevës dhe familjet e tyre i kishin dëbuar nga shtëpitë që ishin pronë e kompanive dhe i detyruan të jetonin nëpër kampe me çadra. Më 20 prill, në kampin pranë Ladlout, Kolorado, u dëgjuan krisma. Kampit të minatorëve i vunë zjarrin. Në mbarë rajonin, minatorët e zemëruar u hakmorën duke vrarë shumë roja të kompanisë. U desh ndërhyrja e ushtrisë për të vendosur rendin.

Në Evropë gjendja ishte edhe më e mjerë. Më 28 qershor, Gavrilo Principi, një 19-vjeçar serbo-boshnjak, shkrepi plumbin që vrau arkidukën Franc Ferdinand të Austrisë. Kjo ishte shkëndija që ndezi Luftën I Botërore. Në fund të atij viti, Lufta I Botërore, që atëherë u quajt Lufta e Madhe, kishte përfshirë Evropën.

Kongreset përqendrohen te vepra e predikimit

Mes trazirave që sa vinin e shtoheshin, Studentët e Biblës inkurajonin njëri-tjetrin të merrnin pjesë me zell në shërbim. Kongresi i parë i popullit të Perëndisë që u mbajt në Afrikën e Jugut nisi më 10 prill. Maksimumi i të pranishmëve në kongres ishte 34 veta. Uilliam U. Xhonstoni shkroi: «Ishim vërtet një kope shumë ‘e vogël’. Pagëzuam gati gjysmën e [të pranishmëve] në . . . kongres. Tetë motra dhe tetë vëllezër simbolizuan kushtimin e tyre sipas mënyrës së përcaktuar nga Zotëria.» Ditën e fundit të kongresit, ata që ishin mbledhur shqyrtuan si ta zhvillonin sa më mirë veprën e predikimit në Afrikën e Jugut. Sot, mbi 90.000 lajmëtarë besnikë në Afrikën e Jugut dëshmojnë për suksesin e asaj kopeje ‘të vogël’.

Më 28 qershor 1914, në të njëjtën ditë që u vra arkiduka Ferdinand, Studentët e Biblës u mblodhën në Klinton, Ajoua, SHBA. Në atë kongres, më 30 qershor, A. H. Mekmilëni  tha: «Nëse dëshirojmë të marrim çmimin, kemi nevojë të vazhdojmë të marrim pjesë aktivisht në bërjen e vullnetit të Perëndisë dhe të dalim në shërbim sa të mundemi.»

«Foto-Drama» tërheq miliona veta

«Foto-Drama e Krijimit», një prodhim me fjalime biblike e muzikë të incizuar të sinkronizuara me diapozitiva me xhama të ngjyrosur dhe filmime, u shfaq për herë të parë në qytetin e Nju-Jorkut më 11 janar 1914. Pesë mijë veta ndoqën shfaqjen e saj të parë dhe shumë të tjerë nuk arritën ta shihnin sepse nuk kishte më vende.

Ishin dashur dy vjet për të prodhuar «Foto-Dramën e Krijimit», e prapëseprapë, siç thoshte Kulla e Rojës «mezi u arrit të shfaqej për herë të parë në janar». Gjatë gjysmës së parë të vitit 1914, vëllezërit përmirësuan disa aspekte të «Foto-Dramës». Për shembull, i shtuan një filmim prezantues të sinkronizuar me fjalët e tregimtarit, Çarls Tejz Rasëllit, duke treguar qartë kush e kishte sponsorizuar.

Në kulmin e suksesit të saj, «Foto-Drama» u shfaq njëkohësisht deri në 80 qytete. Në korrik të 1914-s, kishte mbërritur në Britaninë e Madhe ku ishte shfaqur në teatrot e mbushur plot të Glasgout dhe të Londrës. Në shtator ky prodhim u shfaq në Danimarkë, Finlandë, Gjermani, Suedi dhe Zvicër. Në tetor tashmë kishte mbërritur në Australi dhe në Zelandën e Re. Gjatë vitit të parë, «Foto-Dramën» e panë gjithsej më shumë se nëntë milionë njerëz.

Çdo kopje e «Foto-Dramës» kishte qindra diapozitiva xhami, shumë bobina filmi dhe disqe gramafoni. Prodhimi i kopjeve kushtonte shtrenjtë dhe çdo shfaqje e saj kërkonte një staf me motra e vëllezër me përvojë. Ja përse, «Foto-Drama» e plotë u shfaq kryesisht në qytetet e mëdha. Që ta shfaqnin edhe në zonat rurale, Studentët e Biblës prodhuan edhe tri versione të shkurtuara të «Foto-Dramës». Një version, i cili quhej «Drama Eureka Y», përmbante diapozitiva me xhama  të ngjyrosur që shoqëroheshin me muzikë dhe fjalime biblike të incizuara. Dy versionet e tjera, «Drama Eureka X» dhe ai më i shkurtri, «Drama Familja Eureka», ishin vetëm në audio, pa diapozitiva dhe filmime. Në Shtetet e Bashkuara, në fund të 1914-s, më pak se katër muaj pasi kishte dalë, mbi 70.000 njerëz kishin parë një version të «Dramës Eureka».

Përhapësit dhe vullnetarët marrin pjesë në veprën e predikimit

Edhe pse shfaqja e «Foto-Dramës» ishte diçka e re dhe emocionuese, Studentët e Biblës kuptuan se format e tjera të shërbimit kishin përparësi për ta. Në një letër që Çarls Tejz Rasëlli u drejtoi përhapësve, që tani quhen pionierë, thuhej: «E dimë se nuk ka mënyrë tjetër shërbimi që sjell më shumë fryt në këtë kohë korrjeje. Ja përse nuk po i inkurajojmë përhapësit të përfshihen në punën me Foto-Dramën . . . Të tjerë vëllezër e motra, po ashtu besnikë ndaj Zotërisë . . . mund të shërbejnë në projektin e Dramës.»

 Në janar të vitit 1914, kishte 850 përhapës. Gjatë atij viti, ata ungjillëzues të zellshëm shpërndanë më shumë se 700.000 kopje të Studime mbi Shkrimet. Kulla e Rojës shprehte «interes të përzemërt» për përhapësit dhe nxiste lexuesit e saj «t’u thoshin fjalë inkurajimi; pasi jeta e tyre nuk ishte gjithnjë fushë me lule».

Studentët e Biblës dhanë fletushka në dhjetëra gjuhë. Gjatë 1914-s, lanë mbi 47 milionë kopje të fletushkës Mujori i Studentëve të Biblës dhe të fletushkave të tjera.

Vepra e Studentëve të Biblës nuk kaloi pa u vënë re. Ata predikonin në publik dhe në mbledhjet e tyre hyrja ishte e lirë. Një klerik i krishterimit u ankua: «Shpejt, njerëzit do të mendojnë se është krim të kërkosh pará. E pastaj, ku do të përfundojmë ne? Pastori Rasëll po na diskrediton të gjithëve.»

Fundi i kohës së johebrenjve

Studentët e Biblës besonin se «kohët e johebrenjve» që përmenden te Luka 21:24 (King James Version), do të përfundonin më 1 tetor 1914. Ndërsa afrohej tetori, të gjithë pritnin me padurim çfarë do të ndodhte. Madje, disa Studentë të Biblës mbanin një kalendar që quhej «tabela e ditëve që mungojnë» ku shënonin çdo ditë që kalonte. Shumë besonin se në atë datë do të thirreshin përtej perdes, pra në qiell.

Mëngjesin e 2 tetorit 1914, vëlla Rasëlli hyri në dhomën e ngrënies dhe njoftoi familjen Bethel: «Kohët e johebrenjve mbaruan. Mbretërit e tyre i kanë mbushur ditët!» Disa prej të pranishmëve mund t’i njihnin ato fjalë, që bazoheshin te kënga 171 e librit të këngëve Himne për agimin e Mijëvjeçarit. Që nga 1879-a, Studentët e Biblës kishin kënduar: «Kohët e johebrenjve po shkojnë drejt fundit.» Por ato fjalë nuk ishin më të vërteta, pasi «kohët e johebrenjve», ose «kohët e caktuara të kombeve» kishin përfunduar  vërtet. (Luka 21:24) Me kalimin e kohës, librat tanë të këngëve pasqyruan këtë ndryshim të rëndësishëm.

Disa e përdornin tabelën e ditëve që mungojnë, bazuar te shprehja «tregohu besnik deri në vdekje», për të treguar se do të qëndronin besnikë deri në vdekje

Në fund të vitit, Mbretëria Mesianike tashmë ishte vendosur patundshmërisht në qiej dhe disa Studentë të Biblës mendonin se vepra e tyre kishte përfunduar. Nuk ua merrte mendja që pas pak do të hynin në një periudhë sprove dhe shoshitjeje. Shkrimi i vitit për 1915-n ishte «A mund të pini ju prej kupës sime?» dhe bazohej në Mateun 20:22 sipas Biblës King James. Kupa për të cilën po fliste Jezui, përfshinte sprovat që do të përballonte ai deri në vdekje. Pas pak, Studentët e Biblës do të hasnin sprova, si nga brenda radhëve të tyre, ashtu edhe nga jashtë. Reagimi ndaj sprovave do të provonte besnikërinë e tyre ndaj Jehovait.