Të premten më 5 korrik 2013, familja Bethel në Shtetet e Bashkuara u drithërua kur dëgjoi njoftimin që bëri Entoni Morisi, anëtar i Trupit Udhëheqës: «Të enjten më 4 korrik 2013, u arrit marrëveshja për shitjen e gjashtë godinave, përfshirë këtu edhe komplekset në Adams Street nr. 117 dhe në Sands Street nr. 90, në Bruklin. Shitja e Godinave 1 deri 5 kërkon që të lirojmë këto ndërtesa para mesit të gushtit të këtij viti.»

Vëlla Morisi shpjegoi se Reparti i Lavanderisë dhe i Pastrimit Kimik, që ndodhen në katin e gjashtë e të shtatë të Godinës 3, do të jenë atje deri nga mesi i vitit 2014. Ai shtoi: «Ka të ngjarë që ndërtesa në Sands Street nr. 90 të boshatiset gjatë vitit kalendarik 2017.»

 Shitja e gjashtë ndërtesave të mëdha është pjesë e përpjekjeve për të transferuar selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait nga qyteti i Nju-Jorkut në pronën 102-hektarëshe në Uoruik. Megjithatë, përgatitjet dhe gërmimet në kantierin e ndërtimit nuk mund të fillonin pa u marrë lejet e nevojshme.

Prandaj, familja Bethel e Shteteve të Bashkuara dëgjoi me vëmendje të madhe njoftimin që lexoi Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, të enjten më 18 korrik: «Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se të mërkurën në mbrëmje, më 17 korrik, bordi i urbanistikës së qytetit të Uoruikut miratoi unanimisht planin për sheshin e ndërtimit të selisë së re botërore të Dëshmitarëve të Jehovait. Ky është miratimi i fundit që hap rrugën për të marrë lejet për fillimin e ndërtimit. Është interesante se miratimi që morëm mbrëmë erdhi fiks katër vjet nga përfundimi i marrëveshjes për blerjen e pronës në Uoruik. Për më tepër, ngjarjet e kohëve të fundit që çuan në këtë miratim janë prova mjaft të dukshme të bekimit të Jehovait.» Vëlla Sandersoni i falënderoi të gjithë për punën e palodhur dhe lutjet e zjarrta për këtë projekt të rëndësishëm. «Mbi të gjitha,—tha ai—lëvdojmë dhe falënderojmë Jehovain që kemi arritur në këtë pikë kyçe drejt transferimit të selisë botërore në Uoruik, Nju-Jork.»

Të premten më 26 korrik, vëlla Morisi u takua me rreth 1.000 vullnetarë nga Betheli dhe nga Komiteti Rajonal i Ndërtimit (KRN) në dhomën e re të ngrënies  në kompleksin në Tuksedo, Nju-Jork. Ky kompleks shërben si bazë për ndërtimin e selisë botërore në Uoruik. Pasi diskutuan për një temë frymore inkurajuese, ai tha se do të bënte një njoftim. Vëlla Morisi vazhdoi: «Në dorë kam diçka që sapo kam marrë dhe dua t’jua tregoj. Në krye të këtij dokumenti thuhet ‘Leje Ndërtimi’.» Para se të lexonte më tej, vullnetarët shpërthyen në duartrokitje të fuqishme. Për kënaqësinë e gjithë të pranishmëve, vëlla Morisi vazhdoi të lexonte një pjesë nga leja e parë kryesore e ndërtimit, të cilën qyteti i Uoruikut e kishte lëshuar vetëm tri orë më parë.

Ç’po ndodh në Uollkill, Uoruik dhe Tuksedo?

Që kur filloi projekti i zgjerimit në Uollkill, në gusht të 2009-s, rreth 2.800 vëllezër e motra kanë shërbyer si vullnetarë të përkohshëm. Projekti përfshin një rezidencë të re, një vend parkimi dhe një ndërtesë zyrash. Një prej rezidencave ekzistuese po rinovohet dhe në shtypshkronjë, lavanderi, sallë, punëtori dhe në recepsion po bëhen rregullime. Pritet që punimet për zgjerimin në Uollkill të përfundojnë në fund të 2015-s.

Ndërkohë, kanë filluar ndërtimet në vendndodhjen e ardhshme të selisë botërore, në Uoruik. Në muajt e parë, janë bërë nivelime, gërmime dhe instalime nëntokësore. Në fund të 2013-s filluan punimet për tri ndërtesat e para: ofiçinën e ndreqjes së automjeteve, garazhin për vizitorët dhe ndërtesën e mirëmbajtjes. Këto godina nevojiten për magazinimin e pajisjeve dhe për nevojat e punëtorëve, si gjatë ndërtimit, ashtu edhe pas përfundimit të tij. Pas tyre, në fillim të 2014-s është planifikuar të nisë ndërtimi i rezidencave, i godinave të zyrave dhe të shërbimeve të tjera.

 Kompleksi në Tuksedo, pronë 20-hektarëshe afro 10 kilometra në veri të Uoruikut, «shërben si bazë për ndërtimin e selisë së ardhshme botërore në Uoruik,—shpjegon Keneth Çernishi, anëtar i Komitetit të Ndërtimit.—Përveç dhomave të gjumit dhe dhomës së ngrënies për disa nga vullnetarët, atje do të mbahen edhe materiale e pajisje që u duhen për punën.» Që të përshpejtojnë projektin e ndërtimit në kompleksin në Tuksedo, anëtarë të zgjedhur të KRN-së nga pjesa lindore e Shteteve të Bashkuara kanë ndihmuar në disa aspekte të punës.

Shumë vullnetarë nga i gjithë vendi, që bashkëpunojnë me KRN-në, mezi presin të ndihmojnë në ndërtimin e selisë së ardhshme botërore. Vëllezër e motra të aftë janë vënë në dispozicion të shërbejnë si vullnetarë të përkohshëm në këto kantiere. Lesli Blondo, e cila punon në Repartin Hidraulik bashkë me burrin e saj, Piterin, thotë: «Puna që bëjmë së bashku na afron më shumë me njëri-tjetrin dhe na fal kujtime që do t’i mbajmë në zemër për shumë kohë.»

Mellëri Rashmori tregon: «Po punoj me elektricistë këtu në Tuksedo. Çdo ditë, është vërtet emocionuese të punosh së bashku me kaq shumë vullnetarë.»

«Është një privilegj i jashtëzakonshëm,—shprehet Kuinsi Dotsoni.—Mendoja që do të jepja shumë nga vetja, por faktikisht jam unë që po marr shumë më tepër.»

Vëlla Çernishi thotë: «Është mbresëlënëse të jesh pjesë e këtij projekti. Vëllezërit e motrat punojnë shpejt dhe mirë, e njëkohësisht po kënaqen jashtë mase.»