1. Pse duhet ta adhurojmë Perëndinë?

Perëndia i vërtetë është Krijuesi i gjithçkaje. Nuk ka pasur fillim dhe nuk do të ketë fund kurrë. (Psalmi 90:2) Ai është Burimi i lajmit të mirë që gjejmë në Bibël. (1 Timoteut 1:11) Përderisa Perëndia na ka dhënë jetën, duhet të adhurojmë vetëm atë.Lexo Zbulesën 4:11.

2. Çfarë personi është Perëndia?

Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë, sepse ai është Frymë, domethënë një formë jete më e lartë se krijesat prej mishi e gjaku në tokë. (Gjoni 1:18; 4:24) Sidoqoftë, nga gjërat që ka bërë Perëndia, mund të dallojmë personalitetin e tij. Për shembull, larmia e frutave dhe e luleve flet për dashurinë e për mençurinë e tij. Madhësia e universit flet për fuqinë e tij.Lexo Romakëve 1:20.

Mund të mësojmë akoma më shumë për personalitetin e Perëndisë duke lexuar Biblën. Për shembull, ajo na tregon çfarë i pëlqen e çfarë nuk i pëlqen, si i trajton njerëzit dhe si reagon në situata të ndryshme.Lexo Psalmin 103:7-10.

3. A ka emër Perëndia?

Jezui tha: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Perëndia ka shumë tituj, por ama ka vetëm një emër. Ai shqiptohet ndryshe në gjuhë të ndryshme. Në shqip zakonisht shqiptohet «Jehova», por disa e shqiptojnë «Jahve».Lexo Psalmin 83:18.

Në shumë Bibla, emrin e Perëndisë e kanë hequr dhe e kanë zëvendësuar me titujt Zot ose Perëndi. Por, kur u shkrua Bibla, emri i tij dilte rreth 7.000 herë. Jezui e bëri  të njohur emrin e Perëndisë kur u mësoi njerëzve për Të.Lexo Gjonin 17:26.

4. A interesohet Jehovai për ne?

Ashtu si ky baba i dashur, Perëndia vepron për të mirën tonë të përhershme

A tregojnë vuajtjet që kanë marrë dhenë se Jehovai është një Perëndi që nuk interesohet për ne? Disa thonë se ai i shkakton vuajtjet që të na vërë në provë, por kjo s’është e vërtetë.Lexo Jakovin 1:13.

Perëndia na ka dhënë dinjitet duke na krijuar me vullnet të lirë. A nuk është bukur që kemi liri të zgjedhim t’i shërbejmë Perëndisë? (Josiu 24:15) Megjithatë, shumë njerëz zgjedhin t’u bëjnë keq të tjerëve, prandaj vuajtjet s’kanë të sosur. Jehovai ndien dhembje kur sheh padrejtësi të tilla.Lexo Zanafillën 6:5, 6.

Jehovai është një Perëndi që interesohet për ne. Ai dëshiron ta gëzojmë jetën. Së shpejti, do t’i zhdukë vuajtjet dhe ata që i shkaktojnë. Ndërkohë, ka arsye të fortë pse po i lejon vuajtjet për një periudhë të kufizuar. Në mësimin 8, do të mësojmë cila është kjo arsye.Lexo 2 Pjetrit 2:9; 3:7, 13.

5. Si t’i afrohemi Perëndisë?

Jehovai na fton t’i afrohemi me anë të lutjes. Ai interesohet për secilin nga ne. (Psalmi 65:2; 145:18) Është i gatshëm të na falë. I vëren përpjekjet që bëjmë për t’i pëlqyer, edhe nëse nganjëherë nuk ia dalim. Pra, me gjithë papërsosmëritë tona, mund të gëzojmë vërtet miqësi të ngushtë me Perëndinë.Lexo Psalmin 103:12-14; Jakovin 4:8.

Përderisa Jehovai na ka dhënë jetën, duhet ta duam më shumë se këdo tjetër. (Marku 12:30) Ndërsa ia shpreh dashurinë duke mësuar më tepër për të dhe duke vepruar siç kërkon ai, do t’i afrohesh gjithnjë e më shumë.Lexo 1 Timoteut 2:4; 1 Gjonit 5:3.