«NËSE mund të bëj diçka, ma thuaj.» Shumë prej nesh mund t’u flasin kështu miqve apo familjes së personit që ka vdekur para pak kohe. Dhe me të vërtetë, jemi të sinqertë. Do të bënim gjithçka për ta ndihmuar. Por a do të na telefonojë personi i pikëlluar për të thënë: «Kam menduar diçka që mund të bësh për të më ndihmuar»? Zakonisht jo. Është e qartë, se ndoshta duhet të marrim iniciativën nëse dëshirojmë të ndihmojmë ose të ngushëllojmë një njeri të pikëlluar.

Një proverb biblik thotë: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.» (Proverbat 15:23; 25:11) Tregojmë mençuri kur e dimë se çfarë duhet të themi dhe se çfarë nuk duhet të themi, se çfarë duhet të bëjmë dhe se çfarë nuk duhet të bëjmë. Ja disa sugjerime biblike që kanë qenë të dobishme për disa persona të pikëlluar.

Çfarë duhet të bësh . . .

Dëgjo: Duhet të jesh «i shpejtë në të dëgjuar»,​—thotë Jakovi 1:19. Një prej gjërave të dobishme që mund të bësh është të marrësh pjesë në dhimbjen e personit të pikëlluar duke e dëgjuar. Disa njerëz të pikëlluar mund të kenë nevojë që të flasin për personin e dashur që ka vdekur, mbi aksidentin apo sëmundjen që shkaktoi vdekjen ose për ndjenjat e tyre qysh prej vdekjes. Pra, mund të pyesësh: «A do të dëshiroje të flisje?» Le të vendosin ata. Duke kujtuar kohën kur i vdiq i ati, një i ri tha: «Me të vërtetë më ndihmoi fakti që njerëzit më pyetën se çfarë kishte ndodhur dhe kur me të vërtetë më dëgjuan.» Dëgjo me durim dhe simpati, pa menduar se është e domosdoshme të japësh një përgjigje apo zgjidhje. Lëre të të shprehë çdo gjë që dëshiron.

Jepi siguri: Siguroje që ai ka bërë gjithçka të mundur (ose diçka tjetër që ti e di që është e vërtetë dhe pozitive). Siguroje se ndjenjat e tij: trishtimi, zemërimi, faji ose ndonjë ndjenjë tjetër, nuk janë të pazakonshme. Tregoji për të tjerë që ti i njeh dhe që kanë marrë veten mbas një humbjeje të ngjashme. «Fjalët e ëmbla» janë si «ilaç për kockat»,​—thonë Proverbat 16:24.​—1. Selanikasve 5:11, 14.

Tregohu i gatshëm: Duhet të jesh i gatshëm, jo vetëm për ditët e para, kur shumë shokë dhe familje janë të pranishme, por edhe muaj më pas, kur të tjerët janë kthyer në rutinën e tyre normale. Në këtë mënyrë do të jesh «një shok i vërtetë» që qëndron afër mikut në kohë «të vështirë». (Proverbat 17:17) «Shokët tanë morën masa  që mbrëmjet tona të mbusheshin me aktivitete e kështu të mos rrinim shumë kohë vetëm në shtëpi»,​—shpjegon Tereza, fëmija e së cilës kishte vdekur në një aksident automobilistik. «Kjo na ndihmoi të përballonim ndjenjën e boshllëkut që kishim.» Për shumë vjet më pas, datat e përvjetorëve, siç janë përvjetorët e dasmave apo të vdekjeve mund të jenë kohë të vështira për të afërmit. Përse të mos i shënosh data të tilla në kalendarin tënd? Kështu, kur të vijnë, ti mund të tregohesh i gatshëm, nëse ka nevojë, për t’i përkrahur me simpati.

Nëse dallon një nevojë reale, mos prit sa të të kërkojnë​—merr iniciativën e duhur

Merr iniciativën e duhur: A ka ndonjë punë që duhet bërë? A duhet që dikush të kujdeset për fëmijët? A ka nevojë për strehim për shokët ose familjet që mund të kenë ardhur? Ata që sapo kanë humbur dikë, shpesh janë aq të hutuar sa nuk dinë se çfarë duhet të bëjnë ata vetë dhe jo më t’u thonë të tjerëve se si mund t’i ndihmojnë. Pra, nëse dallon një nevojë të vërtetë, mos prit sa të të kërkojnë; merr iniciativën. (1. Korintasve 10:24; krahaso 1. Gjonit 3:17, 18.) Një grua, së cilës i kishte vdekur i shoqi kujton: «Shumë veta thanë: ‘Nëse mund të bëj diçka, ma thuaj.’ Por një shoqe nuk pyeti. Ajo vajti drejt e në dhomën e gjumit, hoqi çarçafët e njollosur që nga vdekja e tij dhe i lau. Një tjetër mori një kovë, ujë dhe ilaç dhe e pastroi me furçë qilimin ku kishte vjellë im shoq. Disa javë më pas, një prej pleqve të kongregacionit erdhi i veshur për punë, me veglat e tij dhe tha: ‘E di që mund të ketë diçka që duhet riparuar. Ku është?’ Sa i dashur ka mbetur ai në zemrën time, pasi më rregulloi derën që varej në një menteshë dhe një prizë elektrike!»​—Krahaso Jakovit 1:27.

Ji Mikpritës: Bibla na kujton: «Mos harroni mikpritjen.» (Hebrenjve 13:2) Veçanërisht, nuk duhet të harrojmë të jemi mikpritës me të pikëlluarit. Në vend të një ftese «hajde kur të duash», vendos datën dhe orën. Nëse ata nuk e pranojnë mos u dorëzo shpejt. Ndoshta duhet t’i  inkurajosh në mënyrë të butë. Ndoshta nuk e kanë pranuar ftesën sepse frikësohen se do të humbin kontrollin e emocioneve para të tjerëve. Ose ndoshta ndihen fajtorë që të gëzojnë një darkë dhe në shoqëri gjatë një periudhe të tillë. Mos e harro gruan mikpritëse, Lidian, të përmendur në Bibël. Pasi ajo e ftoi Lukën në shtëpinë e saj, ai tha: «Dhe na detyroi të pranojmë.»​—Veprat 16:15.

Ki durim dhe ji i arsyeshëm: Mos u çudit shumë me atë që thonë personat e pikëlluar fillimisht. Mos harro, ndoshta ndihen të zemëruar ose fajtorë. Nëse shpërthimet e emocioneve drejtohen mbi ty, nga ana jote do të nevojitet mendjehollësi dhe durim që të mos përgjigjesh me inat. «Vishuni, pra, . . . me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin.»​—sugjeron Bibla.​—Kolosianëve 3:12, 13.

 Shkruaj një letër: Shpesh nuk e imagjinojmë se sa e vlefshme mund të jetë një letër ngushëllimi. Cila është dobia e saj? Sindi, nëna e së cilës vdiq nga kanceri, u përgjigj: «Një shoqe më shkroi një letër të bukur. Kjo më ndihmoi me të vërtetë, sepse mund ta lexoja herë pas here.» Një letër inkurajuese mund të shprehet «me pak fjalë», por këto duhet të vijnë nga zemra. (Hebrenjve 13:22) Mund të thuash që interesohesh dhe se ke një kujtim të veçantë për të ndjerin, ose mund të tregosh se si ka ndikuar ai mbi jetën tënde.

Lutu me ta: Mos e nënvlerëso dobinë e lutjes, me ose për të pikëlluarin. Bibla thotë: «Shumë fuqi ka lutja e të drejtit.» (Jakovit 5:16) Për shembull, kur dëgjojnë që ti lutesh për ta, ndjenjat e tyre të fajit mund të lehtësohen.​—Krahaso Jakovit 5:13-15.

Çfarë nuk duhet të bësh . . .

Prania jote në spital mund të inkurajojë personin e pikëlluar

Mos rri larg, ngaqë nuk di se çfarë duhet të thuash ose të bësh: «Jam i sigurt se tani për tani ata kanë nevojë që të jenë vetëm»,​—mund të themi me vete. Por ndoshta e vërteta është që po rrimë larg, sepse kemi frikë se do të themi ose do të bëjmë diçka të gabuar. Megjithatë, nëse shokët, familja dhe bashkëbesimtarët i shmangen personit të pikëlluar, ka mundësi që ai të ndihet edhe më i vetmuar dhe dhimbja e tij mund të shtohet. Mos harro: shpesh, fjalët dhe veprat më të këndshme janë të thjeshta. (Efesianëve 4:32) Vetë prania jote mund të jetë një inkurajim. (Krahaso Veprat 28:15.) Duke kujtuar ditën e vdekjes së vajzës, Tereza thotë: «Brenda një ore, hyrja e spitalit u mbush me shokët tanë; erdhën të gjithë pleqtë e kongregacionit bashkë me gratë e tyre. Disa prej grave erdhën me biguditë akoma në flokë, disa erdhën të veshur për punë. Ata ndërprenë gjithçka dhe erdhën menjëherë. Shumë prej tyre na thanë se nuk dinin se çfarë duhej të thoshin, por s’kishte rëndësi, gjëja kryesore ishte që ata ishin të pranishëm.»

Mos këmbëngul që ta ndalojnë hidhërimin: Ndoshta do të dëshironim të thoshim: «Hajde, tani mos qaj më». Por është më mirë ta lejojmë të derdhë lot. «Mendoj se është e rëndësishme që t’i lejojmë personat e pikëlluar të tregojnë emocionet e tyre dhe të shprehin ndjenjat e tyre»,​—thotë Katerina duke reflektuar mbi vdekjen e të shoqit. Kundërshto prirjen për t’u thënë të tjerëve se si duhet të ndihen. Dhe mos mendo se duhet të fshehësh ndjenjat e tua për të mbrojtur të tyret. Bibla rekomandon se është më mirë të «qani me ata që qajnë».​—Romakëve 12:15.

Mos shpejto t’i këshillosh që të flakin rroba apo sende personale të personit të vdekur, para se të jenë gati: Ndoshta ne mendojmë se do të ishte më mirë për ta që të flakin çfarëdo sendi që mund të ngjallë kujtime, sepse në njëfarë mënyre ato zgjasin hidhërimin. Por, shprehja «larg syve, larg zemrës» nuk zbatohet këtu. Personi i pikëlluar ndoshta do të ketë nevojë të ndahet gradualisht nga kujtimi i të vdekurit. Kujto përshkrimin e Biblës mbi reagimin e patriarkut Jakob, kur e bënë të besonte se biri i tij i ri, Jozefi, u vra nga një kafshë e egër. Pasi Jakovit ia paraqitën veshjen e gjatë të Jozefit, të njollosur me gjak, Jakobi «mbajti zi për birin e tij shumë ditë. Dhe të gjithë bijtë dhe të gjitha bijat e tij erdhën për ta ngushëlluar, por ai nuk pranoi të ngushëllohet».​—Zanafilla 37:31-35.

Mos thuaj: «Mund të kesh një fëmijë tjetër»: «U fyeva kur njerëzit më thanë se mund të kisha  një fëmijë tjetër»,​—kujton një nënë që humbi fëmijën e saj. Ndoshta, thuhen me qëllim të mirë, por një prind të pikëlluar, fjalët që nënkuptojnë se fëmija mund të zëvendësohet mund ta «shpojnë me shpatë». (Proverbat 12:18) Një fëmijë nuk mund të zëvendësohet me një tjetër. Përse? Sepse secili ka vendin e vet.

S’ke nevojë të shmangësh përmendjen e personit të vdekur: «Shumë veta nuk përmendën as emrin e tim biri Xhimit, dhe as folën për të,​—kujton një nënë.​—Duhet të pranoj se u ndjeva e lënduar kur vepruan kështu.» Pra, mos ndrysho temën kur përmendet emri i të vdekurit. Pyete personin nëse ka nevojë për të folur mbi njeriun e dashur. (Krahaso Jobi 1:18, 19 dhe 10:1.) Disa persona të pikëlluar e çmojnë kur dëgjojnë shokët që tregojnë për cilësitë e veçanta që e bënë të vdekurin kaq të dashur për ta.​—Krahaso Veprat 9:36-39.

Mos shpejto të thuash: «Më mirë kështu»: Nuk «i ngushëllon zemërlëshuarit» që po vuajnë nëse gjithmonë përpiqesh të gjesh diçka pozitive te vdekja. (1. Selanikasve 5:14) Duke menduar për kohën kur i vdiq nëna, një vajzë e re tha: «Disa thoshin: ‘Ajo nuk po vuan’ ose ‘Të paktën ajo është në paqe’. Por s’desha ta dëgjoja këtë.» Komente të tilla mund të japin përshtypjen se të afërmit nuk duhet të jenë të trishtuar ose që humbja nuk ishte aq e madhe. Përkundrazi, ndoshta ata janë shumë të trishtuar, sepse i merr shumë malli për personin e dashur.

Ndoshta do të jetë më mirë të mos thuash: «Unë e di si ndihesh»: A e di me të vërtetë? Për shembull, a mund të dish se si ndihet një prind kur i vdes një fëmijë nëse nuk ke përjetuar një humbje të tillë edhe ti? Madje edhe po të kesh përjetuar diçka të tillë, duhet të mbash parasysh se ndoshta të tjerët nuk ndihen pikërisht si u ndjeve ti. (Krahaso Vajtimet 1:12.) Në krahun tjetër, nëse duket e përshtatshme, mund të jetë e dobishme të tregosh se si e more ti veten pas vdekjes së personit të dashur. Një grua, së cilës i kishin vrarë vajzën, u ngushëllua kur një nënë tjetër tregoi se si ishte kthyer në rutinën e jetës pas vdekjes së vajzës. Ajo tha: «Nëna e vajzës së vdekur nuk filloi me një parathënie: ‘Unë e di si ndihesh.’ Thjesht, më tregoi se çfarë ndodhi me dhe më la që të bëja unë lidhjen me ato gjëra që më përshtateshin.»

Për të ndihmuar një person të pikëlluar, kërkohet dhembshuri, mendjehollësi dhe shumë dashuri nga ana jote. Mos prit derisa personi i pikëlluar të vijë tek ti. Mos thuaj thjesht: «Nëse mund të bëj diçka . . . » Gjeje vetë atë «diçka», pastaj merr iniciativën e duhur.

Mbeten akoma disa pyetje: Çfarë mund të themi për shpresën e Biblës mbi ringjalljen? Çfarë domethënieje ka për ty dhe për njeriun e dashur që të ka vdekur? Si mund të dimë se ajo është një shpresë e sigurt?