Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PJESA 1

Një jetë e kënaqshme—Vetëm një fantazi?

Një jetë e kënaqshme—Vetëm një fantazi?

NË NJË vend të zhvilluar, një shtëpi e pajisur me të gjitha komoditetet e jetës mund të japë idenë e rehatisë dhe të begatisë. Por, ç’do të gjeni po të kaloni pragun e derës? Një atmosferë të tendosur, pa lumturi. Fëmijët adoleshentë u përgjigjen prindërve, si me përtesë, thjesht me një “Po” ose “Jo”. Nëna dëshiron fort që i shoqi t’i kushtojë vëmendje. Ndërsa babai do që thjesht ta lënë rehat. Prindërit e moshuar të këtij çifti, të cilët jetojnë të vetëm diku tjetër, janë të dëshiruar për shoqërinë e familjes që nuk e kanë parë prej muajsh. Nga ana tjetër, disa familje që kanë hasur probleme të ngjashme kanë mundur t’i zgjidhin ato dhe janë vërtet të lumtura. A jeni kureshtarë ta dini përse?

2 Mendoni për një familje në një vend në zhvillim, ndoshta në ndonjë pikë tjetër të globit. Të shtatë pjesëtarët e familjes jetojnë në një kasolle që është gati për t’u shembur. Nuk janë të sigurt se kur do të kenë mundësi ta sigurojnë ushqimin për vaktin tjetër—një gjë e trishtueshme që na kujton se njeriu nuk ka mundur ta shpëtojë botën nga uria dhe varfëria. Megjithatë, në tokë ka shumë familje që e përballojnë varfërinë me një frymë të gëzuar. Pse?

3 Edhe në vendet e pasura mund të lindin probleme financiare. Një familje në Japoni e bleu shtëpinë kur ishte në kulmin e lulëzimit ekonomik. Të sigurt se rroga do t’u rritej edhe më në të ardhmen, ata ranë dakord të paguanin këste të larta për shtëpinë e blerë me kredi. Por kur gjërat morën për keq nga ana ekonomike, nuk mund të paguanin më dhe iu desh ta shitnin shtëpinë me një çmim shumë më të ulët nga ai që kishin paguar për ta blerë. Ndonëse nuk jeton më në atë shtëpi, ajo familje është ende duke shlyer borxhin për të. Sikur të mos mjaftonte kjo, ata po luftojnë për të paguar faturat që vijnë si rezultat i përdorimit jo të mençur të kartave të kreditit. Babai i shtëpisë vë baste për kuajt dhe familja zhytet gjithnjë e më thellë në borxhe. Megjithatë, shumë familje kanë bërë ndryshime, të cilat u kanë sjellë lumturi. A do të dëshironit ta dinit si?

 4 Pavarësisht se ku jetoni, marrëdhëniet me të tjerët mund të jenë burim i një dëshpërimi të vazhdueshëm, i cili nuk e bën jetën aspak të kënaqshme. Në punë mund të bëheni objekt përgojimesh. Arritjet tuaja mund t’i bëjnë të tjerët xhelozë dhe mund t’ju bëjnë viktimë të kritikave të padrejta. Dikush me të cilin keni të bëni çdo ditë mund t’ju acarojë me personalitetin e tij prepotent. Në shkollë fëmijën tuaj mund ta shajnë, mund t’i bien në qafë ose mund të mos e përfillin. Nëse jeni një prind i vetëm, e dini se kjo nuk e përmirëson situatën tuaj në jetë, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me të tjerët. Të gjitha këto probleme sot ua stresojnë jetën shumë burrave dhe grave.

5 Efektet e stresit mund të grumbullohen pa u vënë re brenda një periudhe kohe derisa të shpërthejnë, pa paralajmërim. Për këtë arsye, stresi është quajtur vrasës i heshtur, ndërsa stresi kronik, një helm i ngadaltë. «Sot, stresi dhe sëmundjet e shkaktuara prej tij, prekin punëtorët pothuajse në çdo skaj të botës»,​—thotë profesori Robert L. Veninga, i Universitetit të Minesotës. Thuhet se sëmundjet e lidhura me stresin i kushtojnë ekonomisë së SHBA-së 200 miliardë dollarë në vit. Stresi është quajtur, gjithashtu, eksporti i kohëve të fundit i Amerikës dhe referimet në lidhje me fjalën «stres» mund të dëgjohen në shumë nga gjuhët kryesore të botës. Kur jeni të stresuar dhe nuk arrini t’i mbaroni gjërat që janë në program për t’u bërë, mund t’ju lindin ndjenja faji. Një studim i kohëve të fundit raporton se një person i zakonshëm ndihet fajtor për dy orë në ditë. Megjithatë, disa kanë qenë në gjendje t’i bëjnë ballë stresit dhe ta bëjnë jetën e tyre të suksesshme.

6 Si mund t’u bëni ballë problemeve të tilla të përditshme dhe të keni një jetë të kënaqshme? Disa u drejtohen librave udhëzues për të përmirësuar veten, si dhe manualeve të shkruara nga specialistët. A janë të besueshëm këta libra? Dr. Beniamin Spok, libri i të cilit në lidhje me rritjen e fëmijëve është përkthyer në 42 gjuhë dhe ka një qarkullim prej pothuajse 50 milionë kopjesh, njëherë tha se «paaftësia për të qenë të vendosur është . . . problemi më i zakonshëm i prindërve në Amerikë sot». Më pas ai tha se në një masë të madhe për këtë duheshin fajësuar ekspertët, duke përfshirë edhe veten e vet. «Nuk e kuptuam, deri kur ishte tepër vonë,​—pranoi ai,—​se qëndrimi ynë sikur dinim gjithçka po minonte sigurinë e prindërve te vetja e tyre.» Prandaj, me të drejtë mund të pyesim: ‘Këshillat e kujt mund të ndjekim të sigurt, me qëllim që të bëjmë një jetë të kënaqshme sot dhe në të ardhmen?’