KU I kërkoni këshillat kur hasni ndonjë problem? Mund t’i drejtoheni një miku të besuar ose një këshilluesi me përvojë. Edhe kërkimi i burimeve të informacionit, si për shembull, në ndonjë bibliotekë, mund të jetë i dobishëm. Ose mund t’i drejtoheni «mençurisë së gjyshes», siç shprehen orientalët, për të mësuar nga përvoja e saj shumëvjeçare. Cilëndo metodë të preferoni, është mirë të shqyrtoni fjalë mençurie të përmbledhura, të cilat japin sugjerime të vlefshme për zgjidhjen e problemit. Më poshtë paraqitet një model këshillash të shëndosha që do t’ju duken të dobishme.

«Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë»

2 Jeta familjare: Shumë prindër janë të shqetësuar për faktin që duhet t’i rritin fëmijët në një botë plot me ndikime jo të shëndetshme. Këshilla e mëposhtme mund të jetë e dobishme: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.»⁠ 1 Ndërsa rriten, fëmijët kanë nevojë për një ‘rrugë’, për disa norma që duhet të respektojnë. Gjithnjë e më shumë specialistë e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është që fëmijëve t’u vihen rregulla të dobishme. Normat e mençura prindërore u japin fëmijëve një ndjenjë sigurie. Veç kësaj: «Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilin nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënën e vet.» 2 «Shufra» i referohet autoritetit prindëror që duhet ushtruar me dashuri për të parandaluar që fëmijët të shkojnë në rrugë të gabuar. Ta ushtrosh këtë autoritet nuk do të thotë që të abuzosh në ndonjë mënyrë ndaj fëmijës. Prindërve u jepet kjo këshillë: «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» 3

«Secili prej jush . . . ta dojë gruan e tij si veten»

3 Një marrëdhënie e shkëlqyer ndërmjet burrit dhe gruas është baza për një familje të lumtur. Çfarë nevojitet për të pasur një marrëdhënie të tillë? «Secili prej jush, nga ana e vet, ta dojë gruan e tij si veten; nga ana tjetër, gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» 4 Dashuria dhe respekti luajnë rolin e lubrifikantëve  në mekanizmin e familjes. Që kjo këshillë të ketë efekt, është i domosdoshëm komunikimi, sepse «planet prishen aty ku nuk ka të folur me mirëbesim». 5 Për t’i kontribuar komunikimit të hapur, duhet të përpiqemi të kuptojmë thellë ndjenjat e bashkëshortit ose të bashkëshortes, duke e bërë që të shprehë se si ndihet vërtet. Është e mençur të kemi parasysh se «mendimet [e një personi] mund të shtrihen po aq thellë sa edhe ujërat në një pus, por një burrë [ose grua] i zgjuar do t’i nxjerrë prej tij» 6.

Kini një pikëpamje pozitive dhe merrni iniciativën për të krijuar marrëdhënie të ngrohta

4 Të braktisur nga fëmijët e tyre, shumë të moshuar ndihen tejet të vetmuar në vitet e pleqërisë, madje edhe në ato vende ku respekti i fëmijëve ndaj prindërve dikur ishte diçka e zakonshme. Megjithatë, fëmijët e tyre bëjnë mirë të shqyrtojnë këto thënie të mençura: «Ndero atin dhe nënën tënde.» 7 «Mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.» 8 «Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënën e tij, është një faqenxirë dhe me turp.» 9 Nga ana tjetër, prindërit e moshuar duhet të kenë një pikëpamje pozitive dhe të marrin iniciativën për të krijuar marrëdhënie të ngrohta. «Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.» 10

5 Përdorimi i alkoolit: Është e vërtetë që «vera i jep gaz jetës» 11 dhe pirja e pijeve alkoolike mund ta bëjë dikë që ‘të mos kujtojë më hallet e tij’. 12 Por mos harroni: «Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.» 13 Mendoni për pasojat e teprimit në të pirë: «Në fund [vera] kafshon porsi një gjarpër dhe lëshon helm porsi një nepërkë. Sytë e tu do të shohin gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura. . . . ‘Kur do të zgjohem? Do të kërkoj edhe pak.’» 14 Përdorimi i përkorë i pijeve alkoolike mund të jetë i dobishëm, por abuzimi me to duhet shmangur gjithmonë.

6 Administrimi i parave: Në disa raste, problemet financiare mund të parandalohen duke i administruar fondet me mençuri. Dëgjoni këtë këshillë: «Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit; sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.» 15 Duke shmangur abuzimin me alkoolin dhe drogën, si dhe zakone të tilla, si bixhozi, mund t’i përdorim paratë për të plotësuar nevojat e  familjes në një mënyrë të dobishme. Megjithatë, shumë nuk dinë t’i shtrijnë këmbët sa kanë jorganin dhe si përfundim u duhet të punojnë jashtë mase vetëm për të shlyer borxhet. Madje, disa marrin borxh për të paguar interesin e një borxhi tjetër. Do të jetë e dobishme të mbajmë parasysh fjalët e mençura vijuese: «Kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe.» 16 Mund të pyesim veten: ‘A kam vërtet nevojë për gjërat që dua të blej? Sa gjëra përfundojnë në dollap pasi i kam përdorur vetëm disa herë?’ Një gazetar shkroi: «Nevojat e njeriut janë të pakta—dëshirat e tij, të pafundme.» Vini re këto fjalë mençurie: «Asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq. . . . Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» 17

7 Zelli luan një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve financiare. «Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë. . . . Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t’u çlodhur, kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës.» 18 Edhe planifikimi i kujdesshëm dhe një buxhet realist mund të jenë një ndihmë: «Cili nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë e llogarit shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar atë?» 19

«A e ke vërejtur një njeri të aftë në punën e tij?»

8 Por, ç’të themi nëse biem në varfëri jo për fajin tonë? Për shembull, për shkak të një krize ekonomike, mund të mbetemi pa punë ndonëse jemi gati të punojmë pa u lodhur. Ose mund të jetojmë në një vend ku shumica e njerëzve jetojnë nën nivelin e varfërisë. Si t’ia bëjmë? «Mençuria është për një mbrojtje ashtu si edhe paraja është për një mbrojtje, por përparësia e njohurisë është se mençuria vetë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.» 20 Veç kësaj, shqyrtoni këtë këshillë: «A e ke vërejtur një njeri të aftë në punën e tij? Ai do të vendoset para mbretërve.» 21 A mund të mësojmë ndonjë zanat që do të na ndihmojë të gjejmë punë?

«Praktikoni dhënien dhe do t’ju japin»

9 Këshilla vijuese mund të tingëllojë kontradiktore, por është vërtet e efektshme: «Praktikoni dhënien dhe do t’ju japin . . . , sepse me masën që po matni, do t’ju matet juve në këmbim.» 22 Kjo nuk do të thotë që duhet të  japim me shpresën se do të na bëhen ndere në këmbim. Në fakt, këshilla që na jepet është që të kultivojmë një frymë bujare: «Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.» 23 Duke i ndarë gjërat me të tjerët në kohë nevoje, nxitim frymën e dhënies që më së fundi mund të na sjellë dobi edhe neve.

10 Marrëdhëniet me të tjerët: Një mbret i mençur vërejti: «Unë vetë kam parë të gjithë punën e rëndë dhe gjithë mjeshtërinë në punë, që do të thotë rivalitet kundrejt njëri-tjetrit; edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje pas erës.» 24 Rivaliteti i ka shtyrë shumë njerëz të veprojnë pa mençuri. Dikush shikon fqinjin e tij që ka marrë një televizor 32 poliç dhe shkon e blen një televizor 36 poliç, ndonëse televizori 27 poliç që ka punon shumë mirë. Një rivalitet i tillë është në të vërtetë kotësi, njësoj si të përpiqesh pas erës—të vraposh gjithandej për asgjë. A nuk jeni dakord?

Si mund ta përballoni ndjenjën e fortë të zemërimit?

11 Mund të jemi ofenduar nga diçka që na kanë thënë të tjerët. Por, shqyrtoni këtë këshillë: «Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.» 25 Vërtet, ka raste kur zemërimi mund të jetë i justifikuar. «Zemërohuni,—pranon një shkrimtar i lashtë,—por mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë e ju të jeni në gjendje të acaruar.» 26 Por, si ta përballojmë ndjenjën e fortë të zemërimit? «Gjykimi i thellë i një njeriu sigurisht e ngadalëson zemërimin e tij dhe është bukuri nga ana e tij ta kalojë shkeljen.» 27 Ajo që nevojitet është gjykimi i thellë. Mund të pyesim veten: ‘Pse veproi në atë mënyrë? A kishte rrethana që mund ta justifikojnë?’ Veç gjykimit të thellë, ka disa cilësi që mund të kultivohen për të luftuar zemërimin. «Vishuni me përzemërsinë e butë të dhembshurisë, mirëdashjes, përulësisë së mendjes, butësisë dhe shpirtgjerësisë. Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. . . . Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashurinë, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» 28 Po, dashuria zgjidh shumë probleme në marrëdhëniet me të tjerët.

12 Megjithatë, është «një gjymtyrë e vogël»​—gjuha—​e cila e bën të vështirë të mbash marrëdhënie paqësore me të tjerët. Sa të vërteta janë këto fjalë: «Gjuhën, asnjë njeri nuk mund ta zbutë. Është një e keqe e pakontrollueshme,  plot helm vdekjeprurës.» 29 Gjithashtu, ia vlen vërtet të përmendet kjo këshillë: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur, i ngadalshëm për t’u zemëruar.» 30 Megjithatë, kur përdorim gjuhën, duhet të jemi të kujdesshëm të mos bëjmë pohime gjysmë të vërteta me qëllim që të ruajmë një paqe sipërfaqësore. «Por fjala juaj Po, le të jetë Po, Jo-ja juaj, Jo; sepse ajo që është më tepër se këto është nga i ligu.» 31

13 Si mund të ruajmë marrëdhënie të shëndosha me të tjerët? Vëreni këtë parim drejtues: ‘Shihni me interes personal jo vetëm çështjet tuaja, por me interes personal edhe ato të të tjerëve.’ 32 Në këtë mënyrë do të jetojmë në përputhje me atë që shumë e quajnë Rregulla e Artë: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» 33

14 Stresi: Si mund të ruajmë ekuilibrin emocional në këtë botë plot stres? «Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.» 34 Është e lehtë të mos kemi ‘një zemër të gëzuar’ kur shohim se të tjerët e shpërfillin atë që në sytë tanë duket e drejtë. Megjithatë, bëjmë mirë të kujtojmë këto fjalë: «Mos ji tepër i drejtë as i urtë jashtë mase. Pse kërkon të shkatërrohesh?» 35 Nga ana tjetër, ankthet e jetës mund të na mundojnë vazhdimisht. Çfarë mund të bëjmë, pra? Le të mos harrojmë: «Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.» 36 Duhet të përsiatemi në ‘fjalët e mira’, në atë lloj fjalësh që na inkurajojnë. Pasja e një qëndrimi pozitiv me gjithë rrethanat shkurajuese mund të ketë madje një efekt të mirë mbi shëndetin: «Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë.» 37 Kur shkurajohemi, sepse duket se të tjerët nuk duan t’ia dinë për ne, mund të provojmë të praktikojmë këtë formulë: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» 38 Duke pasur një qëndrim pozitiv, mund ta përballojmë stresin që përjetojmë çdo ditë.

15 A mendoni se fjalët e mençura të përmendura më lart mund të jenë praktike për ne që jetojmë në shekullin e 21-të? Në fakt, ato gjenden në një libër të lashtë, në Bibël. Por, pse t’i drejtohemi Biblës dhe jo burimeve të tjera të mençurisë? Një nga arsyet është se parimet që gjenden në Bibël kanë një vlerë që i ka rezistuar provës së kohës. Shqyrtoni, për shembull, rastin e Jasuhiros  dhe Kajokos, të cilët ishin përfshirë në lëvizjen për lirinë e gruas. Ata u martuan vetëm sepse Kajoko priste një fëmijë nga Jasuhiro. Megjithatë, për shkak të problemeve financiare dhe ndjenjës së mospërputhjes me njëri-tjetrin, shumë shpejt u divorcuan. Më vonë, pa qenë në dijeni për njëri-tjetrin, të dy filluan të studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Të dy vërejtën ndryshime domethënëse në jetën e njëri-tjetrit. Jasuhiro dhe Kajoko vendosën të rimartohen. Ndonëse jeta e tyre nuk është fare pa probleme, tani kanë parimet e Biblës si udhëheqje dhe të dy bëjnë lëshime për të zgjidhur problemet e tyre. Te Dëshmitarët e Jehovait do të shihni rezultatet e shkëlqyera të zbatimit të parimeve biblike në jetë. Pse s’merrni pjesë në një nga mbledhjet e tyre për t’u njohur me njerëz që po përpiqen të jetojnë në harmoni me Biblën?

16 Këshillat e cituara më sipër janë vetëm një model i mençurisë së pafund praktike që mund të gjeni në këtë burim të pasur drite, në Bibël. Ka arsye të vlefshme përse Dëshmitarët e Jehovait i zbatojnë me gatishmëri parimet biblike në jetën e tyre. Pse të mos i zbuloni arsyet që gjenden pas kësaj gatishmërie dhe të mësoni disa fakte themelore rreth Biblës?