Mbreti i Sirisë, Ben-Hadadi, e sulmonte herë pas here Izraelin. Por, çdo herë profeti Elise e paralajmëronte mbretin e Izraelit, kështu që ai kishte mundësi të ikte. Prandaj Ben-Hadadi vendosi ta rrëmbente Eliseun. Ai zbuloi se Eliseu ndodhej në qytetin e Dotanit dhe dërgoi atje ushtrinë e tij që ta kapte.

Ushtria siriane mbërriti në Dotan gjatë natës. Në mëngjes, shërbëtori i Eliseut doli përjashta dhe pa se qyteti rrethohej nga një ushtri e madhe. Ai u tmerrua dhe thirri: «Elise, çfarë të bëjmë?» Eliseu i tha: «Ata që janë me ne, janë më shumë se ata që janë me ta.» Në atë moment, Jehovai bëri që shërbëtori i Eliseut të shihte se malet përreth qytetit ishin plot me kuaj dhe karroca të zjarrta lufte.

Kur ushtarët sirianë u përpoqën të kapnin Eliseun, ai vetë u lut: «Jehova, të lutem, verboji këta njerëz.» Papritur, edhe pse mund të shihnin ende, ushtarët s’e kishin idenë ku ishin. Eliseu  u tha: «Keni ngatërruar qytet. Hajdeni me mua t’ju çoj te njeriu që po kërkoni.» Ata e ndoqën Eliseun gjatë gjithë rrugës për në Samari ku jetonte mbreti i Izraelit.

Sirianët e kuptuan tepër vonë ku ishin. Mbreti i Izraelit e pyeti Eliseun: «A t’i vras?» A e shfrytëzoi këtë mundësi Eliseu që të hakmerrej ndaj njerëzve që donin t’i bënin keq? Jo. Eliseu tha: «Mos i vrit. Jepu për të ngrënë dhe lëri të ikin.» Kështu mbreti shtroi një gosti të madhe për ta dhe i la të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

«Kjo është siguria që kemi tek ai: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.»​—1 Gjonit 5:14