Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 MËSIMI 53

Guximi i Jehojadës

Guximi i Jehojadës

Jezebela kishte një vajzë që quhej Atalia, e cila ishte po aq e ligë sa mamaja. Atalia ishte e martuar me mbretin e Judës. Kur ai vdiq, filloi të sundonte djali i saj. Por, kur djali i vdiq, Atalia e shpalli veten sundimtare të Judës. Pastaj u përpoq të zhdukte gjithë linjën mbretërore duke vrarë këdo që mund të sundonte në vend të saj, madje edhe nipërit e vet. Të gjithë ia kishin frikën.

Kryeprifti Jehojada me gruan e tij, Jehoshebën, e dinin se ajo që po bënte Atalia ishte shumë e gabuar. Prandaj vunë jetën në rrezik që të fshihnin një nga nipat e Atalisë, foshnjën Jehoas. Ata e rritën në tempull.

Kur Jehoasi mbushi shtatë vjeç, Jehojada mblodhi të gjithë prijësit dhe levitët e u tha: «Bëni rojë te dyert e tempullit dhe mos lini njeri të hyjë.» Pastaj Jehojada e bëri Jehoasin mbret të Judës dhe i vuri kurorën në kokë. Populli i Judës thërriste: «Rroftë mbreti!»

Mbretëresha Atali dëgjoi britmën e turmës dhe nxitoi për në tempull. Kur pa mbretin e ardhshëm, thirri: «Komplot! Komplot!» Prijësit e kapën mbretëreshën e ligë, e hoqën që aty dhe e vranë. Por, ç’të themi për ndikimin e keq që pati ajo te kombi?

Jehojada e ndihmoi kombin të bënte një besëlidhje me Jehovain. Ata premtuan se do të adhuronin vetëm Atë. Jehojada urdhëroi ta rrëzonin tempullin e Baalit dhe t’i bënin copë-copë idhujt. Ai caktoi  priftërinjtë dhe levitët të shërbenin në tempull, që njerëzit të adhuronin përsëri atje. Caktoi edhe derëtarë të ruanin tempullin, që asnjë i papastër të mos hynte. Pastaj Jehojada dhe prijësit e çuan Jehoasin në pallatin mbretëror dhe e vunë në fron. Popullin e Judës nuk e mbante vendi nga gëzimi. Më në fund, mund t’i shërbenin Jehovait të lirë nga Atalia e ligë dhe nga adhurimi i Baalit. A e vure re si guximi i Jehojadës ndihmoi shumë njerëz?

«Mos u frikësoni nga ata që vrasin trupin, por që s’mund të vrasin shpirtin, por kini frikë atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë.»​—Mateu 10:28