Jehozafati, mbreti i Judës, shkatërroi altarët dhe idhujt e Baalit që ishin në vend. Donte që populli të njihte ligjet e Jehovait. Prandaj dërgoi princa dhe levitë në të gjithë Judën që t’i mësonin popullit ligjet e Jehovait.

Kombet përreth kishin frikë ta sulmonin Judën, ngaqë e dinin se Jehovai e ndihmonte popullin e tij. Madje ata i bënë dhurata mbretit Jehozafat. Por më vonë, moabitët, amonitët dhe ata që banonin në rajonin e Seirit dolën të luftonin kundër Judës. Jehozafati e dinte se kishte nevojë për ndihmën e Jehovait. Ai mblodhi në Jerusalem të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët. Përpara të gjithëve, ai u lut: «Jehova, pa ty, nuk fitojmë dot. Të lutem, na thuaj çfarë të bëjmë.»

Jehovai iu përgjigj lutjes: «Mos kini frikë. Unë do t’ju ndihmoj. Zini vend, rrini pa lëvizur dhe shihni se si do t’ju shpëtoj.» Si i shpëtoi Jehovai?

Mëngjesin tjetër, Jehozafati zgjodhi disa këngëtarë dhe u tha të marshonin përpara ushtrisë. Ata marshuan nga Jerusalemi për në fushën e betejës, që ndodhej në Tekoa.

Ndërsa këngëtarët lëvdonin Jehovain me zë të lartë dhe plot gëzim, Jehovai luftoi për popullin e tij. Ai i çoroditi aq shumë amonitët dhe moabitët, sa ata filluan të sulmonin njëri-tjetrin dhe u vranë të gjithë. Por Jehovai e mbrojti popullin e Judës, ushtarët dhe priftërinjtë. Të gjithë njerëzit e vendeve përreth dëgjuan ç’kishte bërë Jehovai dhe kuptuan se ai po e mbronte akoma popullin e tij. Pra, si e shpëton popullin e tij Jehovai? Ai e bën këtë në shumë mënyra dhe s’ka nevojë për ndihmën e njerëzve.

«Në këtë rast nuk keni nevojë të luftoni. Zini vend, rrini pa lëvizur dhe shihni se si do t’ju shpëtojë Jehovai.»​—2 Kronikave 20:17