Lajmi për Jerikonë u përhap në gjithë kombet e tjera të Kanaanit. Mbretërit e këtyre vendeve vendosën të bashkoheshin kundër izraelitëve. Por gibeonitët kishin një plan tjetër. Ata shkuan te Josiu të veshur me rroba të vjetra dhe i thanë: «Vijmë nga një vend i largët. Kemi dëgjuar për Jehovain dhe për gjithçka që bëri për ju në Egjipt dhe në Moab. Na jepni fjalën se nuk do të na sulmoni dhe ne do të bëhemi shërbëtorët tuaj.»

Josiu u besoi dhe ra dakord që të mos i sulmonte. Tri ditë më vonë, ai zbuloi se nuk vinin nga larg, por nga vendi i Kanaanit. Josiu i pyeti gibeonitët: «Pse na gënjyet?» Ata ia kthyen: «Patëm frikë. Ne e dimë se Jehovai, Perëndia juaj, po lufton për ju. Ju lutemi, mos na vritni.» Josiu e mbajti fjalën dhe i la gjallë.

S’kaloi shumë dhe pesë mbretërit kananitë me ushtritë e tyre, kërcënuan qytetin e Gibeonit. Josiu me ushtrinë e tij,  marshoi gjithë natën për t’i shpëtuar gibeonitët. Luftimi filloi të nesërmen, herët në mëngjes. Kananitët filluan t’ia mbathnin sa andej-këtej. Kudo nga shkonin, Jehovai i godiste me breshër kokërrmadh. Pastaj Josiu iu lut Jehovait ta bënte diellin të ndalej. Pse ia kërkoi këtë Jehovait kur dielli s’kishte ndalur kurrë më parë? Sepse Josiu besonte shumë te Jehovai. Dielli nuk perëndoi për një ditë të tërë derisa izraelitët i mundën mbretërit kananitë dhe ushtritë e tyre.

«Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’, sepse ato që thuhen më tepër se kaq, vijnë nga i ligu.»​—Mateu 5:37